Çfarë mendojnë gjermanët për imigrimin?
16 Shkurt 2022Fondacioni Bertelsmann kryen që prej vitit 2012 sondazhe përfaqësuese për të konstatuar tendencat ndaj imigrimit në Gjermani.
Interesi i studiuesve në fillim ishte që të mësonin se çfarë mendonin gjermanët për imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani. Me vërshimin masiv të refugjatëve në Gjermani, në vitet 2015/2016, në shoqërinë gjermane u hap një debat i madh për imigrimin. Prej kësaj kohe, objekt i sondazheve të institutit është qëndrimi ndaj refugjatëve dhe migrantëve.
Në studimin e publikuar sot (16.02.2022) "Kultura e mirëseardhjes midis stabilitetit dhe fillimit të ri" Fondacioni jofitimprurës Bertelsmann konstaton që gjermanët janë më optimistë se në të gjitha vitet e tjera, për migrimin dhe imigrimin. "Gjithnjë e më shumë njerëz shohin përparësitë e mundshme të migrimit, para së gjithash për ekonominë", shprehet Ulrike Wieland, bashkëautore e studimit.
Tendenca gradualisht ka ecur drejt pozitives
Për pasojat e imigrimit në Gjermani, qëndrimet skeptike vazhdojnë të jenë të përhapura. Por tendenca gradualisht ka ecur drejt pozitives, pas polarizimit të skajshëm të shoqërisë gjermane për refugjatët në vitet 2015/2016 dhe në vazhdim.
Prania e migrantëve në Gjermani e bën Gjermaninë më tërheqëse për firmat e huaja, që ato të vijnë të vendosen më fort në Gjermani, kështu mendon 68% e të pyeturve. Migrantët ndikojnë në uljen e plakjes së shoqërisë gjermane, mendojnë 65 përqind e të intervistuarve.
Më shumë se gjysma, 55 përqind mendojnë se migrantët do të kompensojnë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani. Të tjerë, thuajse një në dy vetë, 48% i shohin migrantët si kontribues në arkat e sigurimit të pensioneve.
Shkaqet e rezervave ndaj migrantëve
Skeptikët ndaj migrantëve vazhdojnë të jenë shumë të përhapur në shoqërinë gjermane. Ulrike Wieland i tha DW se "një e pesta e popullsisë ka në tërësi qëndrim bazë skeptik deri refuzues dhe ka një botëkuptim idenë e një izolimi (të gjerë) të shoqërisë përballë migrimit"
Numri i skeptikëve ndaj migrantëve është pakësuar në krahasim me vitet 2017 dhe 2019, por ata ende janë shumica. 67 përqind mendojnë se migrantët do të rëndojnë buxhetin social të shtetit (2019:71%).
E përhapur vazhdon të jetë frika që e ka fillesën që numrin e madh të refugjatëve në vitet 2015/2016 se do të ketë konflikte midis imigrantëve dhe vendasve: 66 përqind e kanë këtë shqetësim (2019:69).
Prania e fëmijëve migrantë në shkolla shton problemet atje, këtë e mendojnë më shumë se gjysma e gjermanëve, 56 përqind (2019:64 përqind.) E pandryshueshme është kuota e shqetësimit për vështirësitë e banimit, që shtohen me migrantët në qendrat e mëdha urbane, 59 përqind janë të shqetësuar për këtë, njësoj si tri vjet më parë.
Pengesat strukturore për integrimin e migrantëve
Por në një kohë që në vitin 2021 te migrantët vendasit kërkojnë më pak deficite se vitet e shkuara, pengesat strukturore për integrimin shihen të njëjta.
Si pengesën kryesore për integrim, 84 përqind shohin njohuritë e gjuhës gjermane; 66 përqind mendojnë se integrimin e pengon mungesa e shanseve të njëjta në tregun e punës si dhe diskriminimi (62%).
Më shumë se gjysma e të pyeturve, 54 përqind, mendojnë se migrantët i pengon të integrohen lidhja me kulturën e vendit nga vijnë. Mungesa e shkollimit të përshtatshëm të të huajve shihet thuajse njësoj pengesë integruese, 51 përqind e mendojnë këtë.