Ëndrra e revolucionit të djathtë
18 Qershor 2017Melanie Schmitz duket sikur mban dhimbjen e botës në sy. Me sy të të mëdhenj të trishtuar ajo interpreton këngët e njohura të yjeve si Lana del Rey apo "the Smiths". Në mediat sociale, 24 vjeçarja është bërë ndërkohë e njohur. Por kënga e saj më e njohur është "AfD Song".
Thirrjet pro partisë së vetëquajtur "Alternativa për Gjermaninë", AfD kërcejnë sa nga refuzimi i kancelares Merkel tek parullat kundër pranimit të refugjatëve, kundër shoqërisë moderne e të hapur. "Vetëm viçat më budallenj e prishin stallën e tyre", këndon Melanie Stern. Ajo nuk është një yll muzike, por një aktiviste politike e "Lëvizjes identitare". Me inskenime të tilla politike të llogaritura mirë ky grupim ekstremist i djathtë, "lëvizja identitare", do që në stilin Hipster të rekrutojë të rinjtë me politikë reaksionare. Kush nuk i përgjigjet imazhit të tyre për atë që është gjermane, duhet të humbasë të drejtat qytetare.
Qëllimi: Futja e ideologjisë raciste
Për të arritur qëllimet e tyre ata mbështeten tek një parti, AfD. Në verën e vitit të kaluar AfD e refuzoi zyrtarisht bashkëpunimin me "lëvizjen identitare". Por pak javë më vonë, kryetarja e partisë, Frauke Petry pohoi se nocioni "nacionaliste-etnike" duhet të marrë sërish ngjyrim pozitiv. (Nocioni nacionalist, etnik u përdor nga ideologjia e nacionalsocializmit në Gjermani, shën.red.)
Lëvizja identitare mbahet nën vëzhgim nga shërbimet gjermane shtetërore për shkak të tendencave të saj antikushtetuese. Deri më tani kësaj lëvizjeje duket se i janë bashkuar 100 vetë. Politologu Hajo Funke e vlerëson si të rrezikshme lëvizjen. "Ata e paraqesin veten si jo të dhunshëm, por idelogjia e tyre është ideologji e dhunshme." Por kjo kritikë nuk e tremb kandidatin e AfD-së për kancelar, Alexander Gauland. "Ata mund të vijnë të gjithë tek ne", thotë ai.
Ndërkohë AfD ka një rrjet grupimesh djathtiste e ekstremiste përreth vetes. Shumicën e bashkon ëndrra për një revolucion konervator dhe rrëzimin e kancelares së urryer prej tyre.
Parulla mejhanesh të kamufluara
Njëri nga të suksesshmit në rrjet është Götz Kubitschek, ish-ushtar gjerman që ka madje edhe një shtëpi botuese. "Instituti për Politikë Shtetërore", siç e quan ai. Në territorin e shtëpisë së tij në Saksoni ai pret lëvizjen identitare, grupime të tjera djathtiste e simpatizantë të AfD-së. Para disa vitesh atij iu refuzua anëtarësimi në AfD -shumë provokues, shumë djathtist. Por ende sot krerë të partisë AfD kërkojnë të afrohen me Kubitschek. Me akrobacitë e tij gjuhësore, Kubitschek përpiqet t'i veshë me një ton filozofik qëndrimet ekstremiste të djathta, por nuk është e vështirë që pas tyre të zbulosh parrullat e mejhaneve, si "Merkel duhet të zbohet", "Gjak dhe Truall", "Të huajt jashtë".
Së bashku me publicistë e aktivistë të tjerë ata bëjnë turne nëpër Gjermani duke organizuar kongrese e demonstrata e përpiqen të paraqesin deri në mesin e shoqërisë imazhin e njerëzve të duhur. Simpatizantët e tyre kërkojnë të gjejnë prova në çdo cep, se Gjermania u ndodhka para një revolucioni dhe në rezistencë kundër politikës së qeverisë. Së bashku ata ëndërrojnë për një revolucion të tipit Trump, për puç kundër elitave të vjetra. Por retorika e tyre e shkallëzimit të gjendjes shpërbëhet në realitet - sepse në Gjermani ekonomia ecën mirë, papunësia ulet, refugjatët e ardhur ndërkohë nuk bien kushedi sa në sy në përditshmëri. E kancelarja e dështuar sipas tyre fitoi njëra pas tjetrës dy zgjedhje në dy lande.