"Adresa e fundit" për viktimat e stalinizmit
7 Shtator 2019Pllaka e parë përkujtimore e projektit "Adresa e fundit" në Gjermani është vendosur në Tyringji. Tanja Hartmann ka përgatitur një fjalim prej dy faqesh. Por pas fjalive të para asaj i shpërthejnë lotët, edhe nëna e saj qan. Ajo mban në dorë një pllakatë të vogël me çeliku të mbuluar me zink në formë katrore.
Në pllakatën me përmasat 11 cm me 19 cm është shkruar: "Këtu jetonte Heinz Baumbach, hidraulik, lindur më 1926, arrestuar më 10.05.1952, dënuar me vdekje më 16.07.1952, ekzekutuar në Moskë më 23.10.1952, rehabilituar më 1996."
Kjo është pllakata e 980 përkujtimore e fondacionit rus "Adresa e fundit". Në Gjermani kësaj pllakate të përuruar më 30 gusht i kushtohet një rëndësi e veçantë, sepse ajo është ekzemplari i parë. Për familjen e Tanja Hartmann me këtë merr fund kërkimi shumë vjeçar i gjyshit të saj Heinz Baumbach. Ai u zhduk pa gjurmë më 10 maj 1952, pasi një polic e pati thirrur të paraqitej në bashki.
"Mbathja në Perëndim!"
Nëna e Heinz Baumbach e kishte parandjerë të keqen dhe i kishte thënë të birit "Mbathja në Perëndim!" Asokohe muri ende nuk ishte ndërtuar, kufiri i pavrojtuar mes dy Gjermanive ishte vetëm pak minuta larg shtëpisë së tyre. Por Heinz, që nuk ishte i vetëdijshëm për rrezikun, shkoi e u paraqit në bashki.
Gjashtë muaj më vonë Baumbach u dënua nga një gjykatë ushtarake sovjetike për "aktivitete anti-sovjetike" dhe u ekzekutua. Në adresën e tij të fundit në Treffurt të Tyringjisë tani atë e përkujtojnë me modesti, por me mjaft emocione.
Vetëm para pak javësh familja e Tanja Hartmann-it, që jeton tashmë në Berlin mësoi për projektin "Adresa e fundit" nga gazetari me prejardhje nga Rusia Mario Bandi. Që nga viti 1993 familja kërkonte të mësonte diçka për fatin e gjyshit të humbur. "Natyrisht në nuk ngurruam asnjë minutë. Ky është nderimi i fundit i madh, që ne mund t'i bëjmë Heinz Baumbach", thotë Tanja Hartmann.
Mbi fatin e viktimave të represionit stalinist në RDGJ askush nuk ka folur e nuk është lejuar të flasë, thotë Hartmann. Më 1966 në Treffurt mbërriti një certifikatë e falsifikuar vdekjeje, sipas së cilës Heinz Baumbach më 1954 ka ndërruar jetë normalisht. Vetëm 30 vjet më pas, më 1996, nga Moska erdhi një njoftim rehabilitimi, vë në dukjembesa e viktimës.
Shoqatat e viktimave në Gjermani
E para pllakë përkujtimore "Adresa e fundit" në Gjermani u mundësua falë angazhimit të shoqatës së Berlinit "Bashkësia e kampit Vorkuta/GULag Bashkimi Sovjetik". Organizata është anëtare në shoqatën ombrellë gjermane të "Unioni i shoqatave të viktimave të regjimit komunist". Iniciali GULag përshkruan rrjetin e kampeve të dënimit dhe të punës në Bashkimin Sovjetik, prej të cilëve njeri ndodhej në veri të Rusisë në Vorkuta.
Në vitin 1955 kancelari i atëhershëm Konrad Adenauer nënshkroi një marrëveshje me Bashkimin Sovjetik për lirimin e robërve të fundit gjerman të luftës nga këto kampe.
Bashkëpunimi me memorialin
Nikolaj Ivanov është kurator i projektit "Adresa e fundit" që ekziston që nga viti 2014 në Shën Peterburg. Sipas tij Gjermania është vendi i gjashtë, ku tani ekziston një pllakatë e tillë. "Ne duam që të tërheqim vëmendjen për fatin e një njeriu të thjeshtë dhe të tregojmë se sa lehtë mund të manipulohej për ta ngarkuar atë penalisht", thotë ai. Me këtë pllakë përkujtimore duhet të kujtohet, se edhe në Gjermani ka pasur viktima të pafajshme të terrorit shtetëror sovjetik.
Fondacioni rus "Adresa e fundit" bashkëpunon me memorialin Gjermania, dega e memorialit Ndërkombëtar. Qëllimi i organizatës është që të zbardhë sundimin e dhunshëm stalinist dhe të përkujtojë viktimat.
Ky projekt ka ecur në gjurmët e projektit për përkujtimin e hebrejve "Stolpersteinen" - në secilën shtëpi prej nga janë deportuar hebrejtë e Gjermanisë sot gjenden në prag të derës pllakat e bronzta me emrat e personave që kanë jetuar në të. Në dallim nga projekti Stolperstein, projekti "Adresa e fundit" realizohet vetëm me miratimin e pronarit të shtëpisë. Një leje e tillë nuk ështe e lehtë të merret për çdo rast.