Ambasadori izraelit konstaton rritje të antisemitizmit
11 Dhjetor 2022Ambasadori i ri i Izraelit në Gjermani, Ron Prosor ka bërë thirrje për të vepruar të bashkuar dhe të vendosur kundër sulmeve me motive antisemitiste. Kjo është sot e nevojshme, tha Ron Prosor në një intervistë me Deutsche Wellen. Ai vlerësoi qartë "Strategjinë Kombëtare kundër Antisemitizmit dhe për Jetën Hebreje" në Gjermani, të miratuar nga qeveria në Berlin para pak ditësh. Kjo tregon vendosmërinë e qeverisë gjermane dhe të gjithë shoqërisë për të vepruar kundër urrejtjes ndaj hebrenjve. Që ky vend vepron vendosmërisht kundër çdo lloj forme të antisemitizmit është një provë, se "shoqëria gjermane pranon njerëzit me bindje të ndryshme fetare".
Edukimi mjeti më i mirë kundër antisemitzmit
Sot në të gjitha shoqëritë bëhet fjalë për luftën kundër antisemitizmit, në një kohë që urrejtja kundër hebrenjve shfaqet si tek djathtistët ashtu edhe majtistët. "Nuk është normale" që në vitin 2022, jo vetëm në Gjermani, por kudo në Europë sinagogat e hebrenjve, kopshtet dhe shkollat hebreje duhet të mbrohen nga policia. Dhe fakti që herë pas here kjo konsiderohet si normale është "vërtet tërësisht jonormale", ka thënë Prosor. Rëndësi në luftën kundër antisemitizmit ka edukimi dhe zhvillimi i një mirëkuptimi të përbashkët. "Në fund të ditës përgjigja e vetme që kemi për të luftuar ekstremizmin e djathtë dhe antisemitizmin e majtë është: edukimi, edukimi, edukimi."
Kritika ndaj "Documenta-s"
Diplomati izraelit ka kritikuar ekspozitën e njohur të artit që përfundoi në shtator, Documenta në Kassel. Prosor flet për "një shembull të mirë", se si antisemitizmi ka depërtuar nga skajet në mesin e shoqërisë dhe pranohet "si "pjesë normale e debatit". Kjo duhet të luftohet më shumë se deri më tani. Edhe sqarimi i duhur në lidhje me antisemitizmin tek disa punonjës me karakter antisemitist është bërë me shumë hezitim. Ekspozita Documenta u vu në qendër të kritikave pas zbulimit të elementëve antisemitistë tek një vepër arti e paraqitur në këtë ekspozitë, drejtimi artistik i së cilës ishte në dorën e një grupi indonezian, kolektivit Ruangrupa.
Izraeli i gatshëm për zgjidhjen me dy shtete
Në bisedë me Deutsche Wellen, diplomati izraelit shprehet edhe për gjendjen politike në Izrael dhe çështjen e krijimit të qeverisë. Izraeli është i gatshëm për zgjidhjen me dy shtete në parim. Kjo vlen, sipas mendimit të tij, edhe për Benjamin Netanjahun, që me gjasë mund të drejtojë qeverinë e ardhshme izraelite dhe po përpiqet aktualisht të krijojë koalicione. Sipas Prosor, jo çdo deklaratë e bërë para zgjedhjeve duhet vendosur në kandarin e artë. "Ka një dallim, mes asaj që thuhet para ose gjatë zgjedhjeve dhe asaj se çfarë ndodh më pas."
Marrëdhënie më të mira me Egjiptin dhe Jordaninë
Nga bota dëgjohet pritshmëria, se Izraeli duhet të jetë "një shtet hebre dhe demokratik", tha ambasadori izraelit. Paralajmërime përkatëse nuk i dëgjon kurrë ndaj një shteti të mundshëm palestinez. "Ne nuk do të lejojmë asnjëherë një shtet të terrorit", tha Prosor. Izraeli u tërhoq në vitin 2005 nga Rripi i Gazës dhe sot aty kemi "një shtet terrorist". Sipas ambasadorit izraelit, kush angazhohet për një shtet palestinez, duhet të bëjë të qartë vazhdimisht, që ky shtet duhet të jetë demokratik dhe që të ketë zgjedhje çdo katër ose pesë vjet. Presidenti palestinez, Mahmud Abas është zgjedhur në vitin 2005 dhe qeveris që atëherë pa mandat.
Izraeli është "e vetmja demokraci në rajon" dhe ka arritur si me Egjiptin edhe me Jordaninë marraveshjeje paqeje dhe për këtë ka bërë lëshime territoriale. Prosor thekson edhe efektin pozitiv të të ashtuquajturës marrëveshje e Abhrahamit me disa shtete të Gjirit, me të cilat deri në vitin 2020 nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike. "Populli izraelit ka qenë gjithmonë i gatshëm për paqen. Por ka edhe të drejtën për siguri, vetëmbrojtje dhe për të penguar një shtet terrorist në fqinjësinë e tij."
Historia familjare e Ron Prosor
Në fillim të bisedës me Deutsche Wellen, Prosor tregon një foto të gjyshit të tij si oficer i ushtrisë së perandorit. Babai tij, Ulrich Proskauar lindi në vitin 1927 në Berlin dhe u largua në vitin 1933 në Palestinën e atëhershme, nën mandatin britanik. "Me punën time në Berlin qarku mbyllet", thotë ai. "Gjyshi im, një oficer me dekorata, një gjerman duhet të largohej nga Gjermania. Kur unë, nip i Berthold Proskauer, kthehem tani si ambasador i një shteti hebre është emocionuese, por jo vetëm kaq. Kjo tregon, se çfarë rruge të mrekullueshme ka bërë populli hebre që me themelimin e shtetit të tij dhe që unë sot përfaqësoj një Izrael shumë krenar e të pavarur." Prosor thekson se do të punojë për të çuar përpara zgjerimin e shkëmbimit të rinjve gjermanë dhe izraelitë.