Ballkani Perëndimor: Nevojitet ritëm i shpejtë për reformat
6 Mars 2024Rreth njëzet vjet presin disa vende të Ballkanit Perëndimorpër afrimin në BE, por rruga është me pengesa. Reformat e nevojshme në shumë drejtime nuk janë zbatuar, po ashtu për shumë kohë në BE ka munguar vullneti politik dhe një strategji e qartë ndaj Ballkanit Perëndimor.
E pikërisht tani, kur Europa po përballet me dy luftra – lufta sulmuese e Rusisë në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme – po bëhet e qartë, se një Ballkan Perëndimor i pastabilizuar mund të jetë një rrezik shtesë për sigurinë. "Lufta sulmuese ruse ndaj Ukrainës e ka bërë një domosdoshmëri gjeopolitike zgjerimin e BE-së", tha mkinistrja e Jashtme gjermaneAnnalena Baerbocktë hënën (4.03.2024) nëMal të Zi – stacioni i parë i vizitës së saj në udhëtimin dy ditor në Ballkanin Perëndimor.
Mali i Zi po rrit shpejtësinë
Koha e zgjedhur për udhëtimi i kryediplomates gjermane nuk është rastësi: Në mes të marsit publikohet raporti i radhës i Komisionit të BE-së për progresin dhe pak pas tij në samitin e BE-së do të diskutohen hapat e mëtejshëm. Vendi anëtar i NATO-s, Mali i Zi, njëri prej gjashtë vendeve aspirante për antarësim në BE, ka përparuar mjaft në procesin e negociatave.
Mali i Zi nisi një reformë në drejtësi dhe posti vakant prej vitesh i kryeprokurorit tani më në fund u plotësua nën presionin e Brukselit. Megjithatë deri në përmbushjen e të gjitha kritereve rruga është e gjatë. Pavarësisht kësaj qeveria pro-europiane e Malit të Zi po nxit procesin me një plan mjaft ambicioz: "28 by 28" është nisma kombëtare, që ka për qëllim antarësimin e vendit deri në vitin 2028 në BE.
Nga 2028 bë BE?
Baerbock nuk dëshironte të pozicionohej konkretisht për datën, duke nënvizuar, se duam ta përshkojmë bashkarisht rrugën për në BE e "madje sa më shpejt". Por zgjerimi nuk është "qëllim në vetvete, por i shërben forcimit të Europës sonë të përbashkët", tha ajo. Nga 33 kapituj të hapur Mali i Zi deri tani ka përmbyllur vetëm tre. Megjithatë ministri i Jashtëm malazez, Filip Ivanovic, dha një sinjal pozitiv. Vendi i tij do t'i përmbahet datës së antarësimit në vitin 2028: "Eshtë e mundur dhe realiste", siguroi ai.
Në Mal të Zi fryma pro antarësimit në BE është mjaft pozitive: Gati 80 përqind e popullsisë janë për antarësimin e vendit në BE. Ndërsa në Serbi vetëm një në tre qytetarë preferojnë antarësimin e vendit të tyre në BE. Udhëheqja aktuale e Malit të Zi do ta shfrytëzojë këtë frymë pozitive të popullsisë për avancimin e reformave.
Bosnja në udhëkryq
Edhe qeveria e Bosnjes dhe Hercegovinës, ku Baerbock qendroi të martën (5.03.2024) siguroi, se do të angazhohet për reformat e nevojshme për në BE. Krahas një ligji për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ky vend do të miratojë edhe një ligj tjetër lidhur me konfliktin e interesit dhe do të nisë reformën në drejtësi.
Ministrja e Jashtme e sheh aktualisjt Bosnjen dhe Hercegovinën në një "udhëkryq vendimtar" në rrugën drejt BE-së. "Ka herë pas here momente në histori, ku duhet kapur çasti dhe duhet shfrytëzuar shansi", tërhoqi vëmendjen Baerbock në Sarajevo gjatë konferencës së shtypit me homologun boshnjak Elmedin Konakoviç.
Sidoqoftë proceset e vendimmarrjes në Bosnje dhe Hercegovinë janë shumë të vështira. Për shkak të ndarjes në tri etni të vendit reformat e mëdha janë të lidhura me procese të vështira e të mundimshme të vendimmarrjes. "Secili politikan këtu mund t'i bllokojë proceset e vendimmarrjes", shpjegoi ministri iJashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakovic, gjendjen në vend. "Ne nuk duam t'ua pengojmë shansin qytetarëve tanë për antarësimin në BE", theksoi ai.
Influenca ruse destabilizuese
Bosnje dhe Hercegovina është që nga dhjetori 2022 vend kandidat për antarësim në BE. Udhëheqja në Sarajevë ndërkohë po lufton jo vetëm për gatishmërinë për reforma të të gjitha pjesëve të vendit, por edhe ndaj influencës gjithnjë në rritje e përpjekjeve të Moskës për destabilizim. Në Bosnje dhe Hercegovinë këto përpjekje kanë një emër: Milorad Dodik. Presidenti nacionalist i Republika Srpska (RS) synon shkëputjen e pjesës serbe nga vendi. Ngjashëm si edhe presidneti i Serbisë Vuçiq, edhe Dodik ruan kontakte të ngushta me Kremlinin dhe së fundi vizitoi Aleksandër Lukashenkon dhe Vladimir Putinin.
Në pamje të jashtme udhëheqja e Bosnje dhe Hercegovinës përpiqet ta nënvleftësojë rolin problematik të separatistit Dodik. Njerëzit në vend tashmë janë ambjentuar me të, tha Ivanoviç. Por Baerbock në takimin e përbashkët tërhoqi vëmendjen nga rreziku i "fantazive për shkëputje" dhe bëri thirrje për ruajtjen e unitetit të vendit në rrugën për në BE. "Ne duam, që Bosnje dhe Hercegovina të antarësohet si një e tërë në BE", tha ajo në Sarajevë.
Ballkani Perëndimor në aspektin gjeopolitik më i rëndësishëm se kurrë më parë
Krahas problemeve të politikës së brendshme dhe rritjes së influencës nga Rusia, situata aktuale gjeopolitike krijon shqetësim në Ballkanin Perëndimor. Disa druajnë, se pas zgjedhjeve të BE-së në Parlamentin Europian mund të ketë më shumë deputetë skeptikë ndaj zgjerimit dhe se në SHBA Donald Trump mund të fitojë zgjedhjet presidenciale. Ndaj ka shqetësim, se kjo do ta zbehte sërish vëmendjen e Europës ndaj Ballkanit Perëndimor.
Por nuk e shohin kështu gjendjen politikanët gjermanë që merren me politikën e jashtme. Politikani kristiandemokrat, Jürgen Hardt, i cili bënte pjesë në delegacionin e ministress ë Jashtme Baerbock gjatë këtyre vizitave në Ballkanin Perëndimor, mendon, se pikërisht zhvillime të tilla do ta rrisin edhe më shumë peshën gjeopolitike të këtij rajoni për Europën. Rëndësia e këtij rajoni "është aktualisht me e madhe se asnjëherë më parë", i tha ai DW-së. Ky rajon nuk duhet të lihet si zonë e influencës ruse.
"Pikërisht në një sfond të tillë, që ballkani perëndimor është kaq pranë nesh, qëllimi ynë duhet tëjetë, që Europa dhe Perëndimi të luajnë aty rol parësor", tha i dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili gjithashtu shoqëronte ministren Baerbock gjatë këtyre vizitave. Një rajon kaq i afërt i pastabilizuar mund të kthehej në një pikë të dobët për Europën.