Bashkësia Ndërkombëtare shton ndihmat për Filipinet
13 Nëntor 2013Numri i të vdekurve në Filipine vlerësohet të jetë 1798. Siç njofton autoriteti filipinas për mbrojtjen nga katastrofa, NDRRMC, shumica e viktimave janë nga provinca më e prekur Leyte, pasuar nga provinca fqinje e Samarit. Vlerësimet fillestare për rreth 10.000 të vdekur duket se kanë qenë shumë të larta, tha presidenti i Filipineve Benigno Aquino në kanalin televiziv amerikan, CNN.
Ndihma nga e gjithë bota
Për të mbijetuarit po mbërrijnë gradualisht ndihmat ndërkombëtare. SHBA kanë nisur aeroplanmbajtësen "George Washington" dhe katër anije. "George Washington" ka 5.000 marinsa në bord dhe më shumë se 80 avionë dhe ka një impiant për përgatitjen e ujit të pijshëm. Edhe Britania e Madhe ka dërguar një anije të marinës dhe një avion transporti.
Nga e gjithë bota po mbërrin ndihmë në Filipine. Një avion i Lufthansës nga Frankfurti zbarkoi me pajisje mjekësore dhe batanije në Manila.
Bashkimi Evropian e ka ngritur ndihmën e menjëhershme nga tre milionë euro në dhjetë milionë, tha Komisioneri europian për Zhvillimin, Andris Piebalgs, në Manila. Qeveria gjermane e ngre ndihmën me gjysëm milionë euro. Qeveria amerikane dhuron 20 milionë dollarë (15 milionë euro), Britania e Madhe premtoi rreth 12 milion euro.
Shumë zona janë ende të paarritshme.
Zona të tëra nuk kanë qenë të arritshme as të martën, kështu që nuk ka informacione të sakta për shkallën e fatkeqësisë. Natasha Reyes koordinatore ndihmës së organizatës "Mjekë pa Kufij" tha: "Askush nuk e di se si është situata në këto zona rurale dhe të largëta." Duke pasur parasysh situatën e dëshpëruar të njerëzve në zonat e izoluara operacionet e shpëtimit dhe të ndihmës janë duke u bërë gjithnjë e më shumë një garë kundër kohës.
Rreth 660.000 njerëz, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, kanë humbur shtëpitë nga tajfuni "Haiyan", apo u është dashur të ikin nga përmbytjet.
Në zonat më të prekura të vendit mijëra njerëz presin për ndihmë. Prej ditësh ata duhet t'ia dalin pa ushqim, ujë dhe përkujdesje mjekësore. Kudo të mbijetuarit kanë pikturuar në muret e shtëpive thirrjet e dëshpëruara: "Kemi nevojë për ushqim!", "Na shpëtoni!" dhe "Ndihmë!". Fëmijët rrinë buzë rrugë duke qarë dhe kërkuar ndihmë, njoftojnë ndihmësit.