BE e SHBA duan të krijojnë aleancën për lëndët e para
11 Mars 2023Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u duk e kënaqur pas takimit me presidentin amerikan, Joe Biden. Ishte një bisedë shumë e mirë dhe shumë konstruktive, tha von der Leyen. Që në fillim të takimit me Biden, ajo theksoi, se BE dhe SHBA nuk janë vetëm partnerë, por miq të mirë. Dhe presidenti amerikan i dha notën maksimale mikes nga Brukseli. Ajo bën një "punë të shkëlqyer", tha Biden.
Rezervat e BE ndaj programit amerikan të subvencioneve
Në bisedën kokë më kokë, Biden dhe von der Leyen diskutuan për konfliktin tregtar mes SHBA e BE pas bërjes së ditur nga presidenti amerikan për subvencionet gjigande për teknologjinë e gjelbër. BE e sheh programin amerikan të subvencioneve si rrezik serioz për industrinë europiane. Konflikti nuk është zgjidhur por të paktën palët bën një hap të madh afrimi kundrejt njëri-tjetrit. "Ne synojmë pa vonesë që të fillojmë bisedimet për një marrëveshje për mineralet kritike", thuhet në një deklaratë të përbashkët të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidentit amerikan. Bëhet fjalë për mineralet që nevojiten për prodhimin e baterive për automjetet elektrike.
Von der Leyen deklaroi, se qëllimi është kemi të kemi një marrëveshje që mineralet që nxirren apo përpunohen në BE të trajtohen nga SHBA si mineralet e nxjerra në këtë vend. Pra të mos ketë disavantazhe në tatime për lëndët e para europiane në SHBA. Me këtë do t'i jepej zgjidhje konfliktit tregtar mes BE e SHBA. Gjermania dhe BE kanë frikë se me subvencionet e forta amerikanë koncernet europiane do të zhvendosin prodhimin e tyre, si psh prodhimin e baterive për automjetet elektrike në SHBA, nëse do të përfitonin vetëm aty nga avantazhet tatimore.
Do të nisin bisedime për zbutjen e pasojave negative
Sfond i grindjes mes SHBA e BE është i ashtuquajturi ligji për zbutjen e inflacionit në SHBA që parashikon investime miliardëshe në mbrojtjen e klimës dhe lehtësime tatimore për teknologjitë e gjelbra, por vetëm nëse këto prodhohen në SHBA. Presidentja e KE tha para takimit, se është gjë shumë e mirë që ka investime masive në teknologjinë e gjelbër. Pas takimit ajo tha, se e përshëndet programin për mbrojtjen nga inflacioni. Në SHBA nuk dotë ketë ndryshime në lidhje me ligjin për zbutjen e inflacionit, këtë e bëri të qartë presidenti Biden. Por në implementimin e tij SHBA mund të bëjë një hap drejt kërkesave europiane. Ursula von der Leyen dhe Biden kanë rënë dakord për bisedime si të zbuten pasojat negative për Bashkimin Europian.
Edhe Kosova ka zënë vend në takimin Biden-von der Leyen. Sipas presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen pas takimit, tema e dialogut Kosovë-Serbi në takimin me Biden është përmendur dhe se BE e SHBA mbështesin plotësisht propozimin europian dhe shpresojnë në konstruktivitetin e të dyja palëve për dialogun Kosovë-Serbi.
la/tgsch