Biden i premton mbështetje Ukrainës
4 Janar 2022Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të reagojë me vendosmëri ndaj një ndërhyrje eventuale të Rusisë dhe përpjekjes për të pushtuar Ukrainën, theksoi presidenti Joe Biden në telefonatën e tij me presidentin e Ukrainës Volodymyr Selenskyj. Gjatë bisedës Biden ritheksoi se SHBA e mbështet "sovranitetin dhe integritetin territorial" të Ukrainës, bëri të ditur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Falënderimi i Ukrainës
Volodymyr Selenskyj nga ana e tij, përshëndeti "mbështetjen e palëkundur" të Shteteve të Bashkuara për vendin e tij. Presidenti ukrainas bëri të ditur në Twitter se me presidentin amerikan ka biseduar për një qasje të përbashkët nga SHBA, Ukraina dhe partnerët e tyre - për të "ruajtur paqen në Evropë" dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.
Në bisedën telefonike, sipas Psaki, Biden ka theksuar mbështetjen e tij për përpjekjet diplomatike për të zbutur konfliktin në Ukrainë. Përfaqësuesit e qeverisë amerikane dhe asaj ruse do të bisedojnë në Gjenevë më 9 dhe 10 janar, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të krizës me mjete paqësore. Konsultimet mes Rusisë dhe NATO-s janë planifikuar të mbahen dy ditë pas bisedimeve të Gjenevës. Ndërsa konsultimet midis Rusisë dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të pasojnë më 13 janar.
Biseda me Putinin
Para bisedës me presidentin ukrainas presidenti Biden kishte telefonuar edhe me presidentin rus Vladimir Putin. Biden e ka kundërshtuar me vendosmëri edhe në këtë bisedë pushtimin rus të Ukrainës. Ndërsa Putin ka paralajmëruar presidentin amerikan nga vendosja e sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë.
Një dislokim masiv i trupave ruse në kufirin me Ukrainën gjatë javëve të fundit ka nxitur frikën në Ukrainë dhe në Perëndim se Moska mund të ndërhyjë në vendin fqinj, siç kishte bërë edhe në Krime. Moska i ka mohuar këto plane, por në afërsi të kufirit me Ukrainën ka vendosur rreth 100.000 trupa. Rusia e akuzon Ukrainën dhe NATO-n për "provokime".
bc/haz/fw (afp, rtr, dpa)