Brexiti? Çfarë Brexiti?
1 Shkurt 2024Brexiti ishte tema dominuese pas referendumit të BE-së në vitin 2016. Por që nga dalja zyrtare e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian në fund të janarit 2020, duket sikur u hoq një barrë e madhe nga zemra britanike: më në fund nuk ka më debate të mëdha me fqinjët dhe miqtë, me gjyshen dhe gjyshin në festa familjare.
Kur bëhen sondazhe parazgjedhore për çështjet që shqetësojnë më shumë qytetarët, BE-ja dhe Brexit nuk janë më as në dhjetëshen e parë të temave. Në sondazhin e fundit të Institutit Ipsos, ekonomia dhe inflacioni janë në krye, ndërsa vetëm pesë për qind e të anketuarve mendojnë se Evropa është një çështje e rëndësishme për ta.
Nostalgjia e BE-së? Nuk vihet re!
"Brexitistët” fituan dhe kjo nuk prek më askënd. Nuk ka asnjë forcë të rëndësishme politike në vend në favor të anulimit të Brexitit. Edhe pse produkti kombëtar bruto do të dobësohet me katër për qind në terma afatgjatë si rezultat i daljes nga BE. Dhe megjithëse shumica dërrmuese e popullsisë tani shpreh keqardhje për dalje nga familja evropiane.
Pra, çfarë mund të bëjë Britania e Madhe me pavarësinë e saj të re? Jo shumë, thonë ekspertët e Mbretërisë së Bashkuar nga King's College në Londër. "Boris Johnson foli shumë për përdorimin e 'lirive të reja'. Por deri më tani pak është zbatuar," shpjegon shkencëtarja Jannike Wachowiak.
Dobitë e paqarta ekonomike
Prandaj, çrregullimet e mëparshme ishin më shumë simbolike. Të tilla si mundësia e shitjes së verës në shishe një pintë (568 ml). Ministri përgjegjës po përpiqet ta shesë ligjin e ri si progres - në fund të fundit, kështu e ka pirë Winston Churchill shampanjën e tij të dashur. Por përfitimet ekonomike nga dalja nga BE mbeten mjaft të paqarta.
Ka barriera të reja për tregtimin me partnerin më të rëndësishëm. Për shkak të pasigurisë së ndryshimeve, investimet e kompanive janë ulur. Dhe si për ironi të votuesve pro Brexit, numri i emigrantëve tani është më i lartë se përpara largimit nga BE: mbi 700.000 në vit. Një numër rekord.
Infermiere nga Afrika apo Azia
Sektori i shëndetësisë është veçanërisht i varur nga punëtorë të kualifikuar nga jashtë. Qeverisë britanike iu desh të lëshonte pothuajse 100.000 viza për mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë brenda një viti. Kjo është më shumë se kurrë më parë, thotë Instituti i Observatorit të Migracionit në Universitetin e Oksfordit. Shumica e punëtorëve të kualifikuar të punësuar nuk vijnë nga BE-ja.
Katër vjet më parë, Deirdre Yager ishte në mesin e atyre që nxirrnin shampanjë në natën e Brexit. "Më në fund liri!”, thoshte. Ajo që e shqetësonte më shumë në BE ishte burokracia, të cilën ajo e konsideroi shumë të kotë, shumë jodemokratike dhe shumë larg realitetit të jetës në vendin e saj.
Ajo nuk sheh përfitime të qarta nga Brexiti. Por as ajo nuk ndjen ndonjë mangësi tani. Djali i saj jeton në një shtëpi për përkujdesje, për shkak të kufizimeve fizike, ndërsa burri i saj Barry, i cili vuan nga sëmundja e Parkinsonit, ka po ashtu nevojë për ndihmë të rregullt. Nuk ka asnjë problem me mungesën e personelit mjekësor apo kujdestarit, thotë Yager. Në vend që të vijnë nga BE si më parë, infermierët tani vijnë nga Afrika apo Azia. I riu nga Sri Lanka kujdeset shumë për Berry, thotë ajo dhe shton se nuk i vjen aspak keq për Brexit.
Për ekonomistin Julian Jessop, sistemi i ri është një përmirësim. Në vend që të lejohet imigrimi i pakontrolluar nga BE-ja, siç ndodhte më parë, tani punëtorë të kualifikuar mirë të trajnuar mund të sillen në vend pikërisht për ata sektorë në të cilët mungojnë.
Jessop është një nga ekonomistët e paktë britanikë që mbështet Brexitin. Sipas tij, shumë kompani në të kaluarën janë mbështetur shumë në fuqinë punëtore të lirë nga BE-ja në vend që të investojnë në teknologji të reja. Kjo është edhe arsyeja e produktivitetit të pamjaftueshëm të Britanisë. Brexit ka krijuar më shumë hapësirë për tregti – por qeveria aktuale është shumë e kujdesshme për të përfituar prej saj.
Nuk ka kuptim të përqendrohemi shumë te BE-ja dhe thjesht të miratojmë rregullat e saj, sepse atëherë shanset nuk do të shfrytëzoheshin. Qëllimi është krijimi i marrëveshjeve të reja tregtare, për shembull me SHBA-në, edhe nëse këto negociata ngecin. Jessop sheh gjithashtu mundësi të mira në sektorin financiar dhe inteligjencën artificiale për t'u diferencuar nga BE-ja, e cila është kryesisht e orientuar drejt rregullave të qarta dhe më e orientuar nga SHBA.
Kufiri i pavarësisë
Janik Vechovijak nuk mendon se përjashtohet që edhe Britania e Madhe të përfitojë në fushën e inteligjencës artificiale në të ardhmen. Gjithsesi e kemi problemin se nuk jemi më në të njëjtën dhomë ku zhvillohen shumë biseda të rëndësishme. Ky është rasti me Këshillin e Tregtisë dhe Teknologjisë, ku BE dhe SHBA komunikojnë rregullisht në nivel ministror për zhvillimin global.
Ekziston edhe i ashtuquajturi efekti i Brukselit: si fuqi e madhe ekonomike, BE-ja mund të vendosë standarde tek të cilat vendet e tjera orientohen. Britania e Madhe nuk e ka këtë mundësi. BE-ja është një sistem dinamik dhe po evoluon vazhdimisht – Britania e Madhe do të duhet të vendosë nëse dëshiron të ndjekë shembullin apo jo. Megjithatë të gjitha këto çështje ka më shumë gjasa të diskutohen në rrethe profesionale sesa në pube apo festa ditëlindjesh për këtë. Yager thekson se njerëzit nuk duan të luftojnë më për Brexit: vrazhdësia dhe sjelljet e këqija nuk janë të mirëseardhura në vendin e saj.