241110 JRB Internet HF
27 Dhjetor 2010Ekziston një term që përfshin gjithçka që ka të bëjë me militarizimin e hapësirës virtuale: Stuxnet. Ky program i dëmshëm u shfaq befasisht në verë, ndoshta mbasi e kishte kryer misionin e tij, pra sabotimin e qëllimshëm të programit atomik të Iranit. Ajo çka i çuditi më shumë specialistët ishte fakti që Stuxnet ishte përgatitur enkas për të manipuluar sistemet dirigjuese në industri. Krijuesit e tij e kanë pajisur edhe me një sërë veglash për infektime sistemesh të izoluara komunikimi. Sistemet e sulmuara nga Stuxnet janë instaluar në të gjithë botën: nëpër reaktorë bërthamorë, impiante kimie ose rafineri. Kjo kërkon detyrimisht një rishikim të analizave të rrezikshmërisë, është i mendimit Stefan Ritter nga Zyra Federale e Sigurisë në Teknikën e Informimit me seli në Bonn. "Ne tani kemi dëshmi. Nuk kemi të bëjmë vetëm me kërcënime fiktive, për të cilat flasin ekspertët pas dyerve të mbyllura. Kërcënimi është real dhe jashtëzakonisht i madh e tepër i rafinuar," thotë ai .
Edhe NATO ndërkohe ka reaguar ndaj kërcënimeve që vijnë nga universi elektronik, pra asaj që njihet me emrin Cyberspace. Në samitin Lisbonës në mesin e nëntorit, aleanca veri atlantike vendosi një strategji të re. Ajo i ka deklaruar sulmet e hapësirës virtuale një nga tre kërcënimet më të mëdha të kohës së sotme, ashtu si edhe terrorizmi dhe armët e asgjësimit në masë.
Strategjia e re e NATO-s u përgatit nga një komision nën drejtimin e ish- ministres së Jashtme amerikane, Madeleine Albright.
SHBA përgatiten për luftë Cyber
Ushtria amerikane ndërkohë ka ngritur enkas një njësi speciale nën emrin "Cyber Command" – që merret me pushtimin e hapësirës virtuale. Luftëtarët e universit elektronik udhëhiqen nga Gjenerali Keith Alexander, i cili njëkohësisht është edhe shef i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, shkurt NSA. Në qershor 2010 Alexander i skicoi si më poshtë detyrat e njësisë së tij. "Ne jemi përgjegjës për të mbajtur nën kontroll operacionet e përditshme dhe për të mbrojtur rrjetet informative të Ministrisë së Mbrojtjes si edhe për planifikimin sistemor dhe të përshtatur, integrimin dhe sinkronizimin e të gjitha veprimeve tona në botën elektronike. Nëse e kërkon presidenti, ministri i Mbrojtjes ose komandanti i Komandës Strategjike, atëherë ne kryejmë edhe operacione të plota ushtarake cyber, në mënyrë që të garantojmë lirinë e veprimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tyre në hapësirën cyber.
Se çfarë do të thotë kjo konkretisht, këtë e saktësoi në fillim të nëntorit e përditshmja amerikane "Washington Post". Gjenerali i Hapësirës Cyber Alexander me këtë po kërkon leje që të sulmojë rrjete kompjuterike në të gjithë botën në mbrojtje të interesave të SHBA-ve, shkruante ajo. Mbas publikimeve të dokumenteve të fshehta në platformën e internetit WikiLeaks ithtarët e një kontrolli më të fuqishëm në internet kanë filluar ta ngrenë zërin.
Ndalohet memorizimi i telefonatave
Në Gjermani çështja e mbrojtjes së të dhënave trajtohet krejt ndryshe. Që nga viti 2008 Telekomi gjerman kishte për detyrë të ruante në arkiv për gjashtë muaj me radhë informacionet për telefonatat e bëra nga klientët, mesazhet dhe emailat e dërguara si dhe kush, kur e për sa kohë ka qenë i lidhur me internetin. Më 2 mars 2010 Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë e shpalli këtë praktikë në kundërvajtje me kushtetutën. "Regjistrimi i pashkak i të dhënave të telekomunikacionit është i përshtatshëm për të krijuar një ndjenjë të turbullt kërcënimi. E kjo e pengon perceptimin objektiv të të drejtave themeltare në shumë fusha, argumentoi presidenti i atëhershëm i Gjykatës Kushtetuese. Regjistrimi i të dhënave ishte bërë në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Prandaj edhe presidenti i Zyrës Federale të Kriminalistikës, Joerg Zierke, mbas vendimit kërkoi rinovimin e ligjit. "Na nevojitet me shpejtësi një ligj i ri, që të mbyllim disa boshllëqe që janë krijuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit",- tha Zierke.
Google Street View hyn në Gjermani
Se sa e rëndësishme është për gjermanët ruajtja e sferës personale, kjo u pa edhe në debatin e zhvilluar për kamerat e Google-it. Që nga nëntori aty janë pasqyruar me fotografi 20 qytete gjermane. Por sapo Google e bëri të ditur se do ta përfshinte Gjermaninë në shërbimin e tij me emrin “Street View”- Pamje rruge, i pari që doli para kamerave ishte i ngarkuari i qeverisë për mbrojtjen e të dhënave Peter Schaar. "Ajo që na bën skeptikë është fakti që kompania e shpalli brenda një kohe shumë të shkurtër, pa na pyetur e pa na informuar që më parë. Ne nuk dimë as si funksionon ky program, e as si duhet ta trajtojmë atë. Të gjitha do t'i mësojmë në ditët e ardhshme dhe me siguri që nuk do të kemi asnjë mundësi të bëjmë ndonjë ndryshim." Për rrjedhojë: Rreth çerek milioni njerëz në Gjermani i anonimizuan fasadat e shtëpive të tyre para se të hynte në përdorim "Google Street View".
Por me këtë ata ndoshta kanë humbur edhe ndonjë shans. Sepse depërtimi i botës fizike në atë virtuale ndërkohë ka edhe heronj realë. Si për shembull Bob Mewse. Anglezi 56-vjeçar nga Bristoli u bë i famshëm, sepse ishte dobësuar me një të tretën e peshës së tij. Kur rastësisht kishte parë në "Street View" fotografinë e tij dhe ishte tmerruar kur kishte konstatuar se sa i shëndoshë që ishte. Që atë ditë ai kishte filluar të kujdesej me ushqimin e të bënte sport. Rezultati: 46 kile më pak
Autor: Mathias von Hein/Anila Shuka
Redaktoi: Lindita Arapi