Donald Trump president: "America first" për herë të dytë
6 Nëntor 2024Donald J. Trump është presidenti i ri dhe ish-presidenti i SHBA-së. Ai i fitoi zgjedhjet presidenciale 2024 me 277 zgjedhës të Kolegjit Elektoral (të dhënat deri të mërkurën në mesditë). Trump arrit të fitojë në shtetet e rëndësishme të ashtuquajtura swing states, Viskonsin, Pensilvani, Xhorxhia, Karolinën e Veriut.
Trump ka qenë president i SHBA-së në vitet 2017 deri më 2021. Mbështetësit e tij e konsiderojnë presidentin republikan si një shpëtimtar dhe hero, i vullnetshëm të mbrojë vlerat e tyre kundër liberalëve në SHBA. Kritikët, në të kundërt, theksojnë, se ai është një kriminel i dënuar dhe ka ndjekur një fushatë elektorale çoroditëse duke përdorur shprehje shokuese lidhur me politikat e tij radikale, me një sjellje jo si burrështeti dhe duke përdorur me impulsivitet rrjetet sociale brenda dhe jashtë zyrës së tij.
Ndërsa është e paparashikueshme se çfarë e pret SHBA-në dhe pjesën tjetër të botës me mandatin e dytë presidencial të Trump, një vështrim në mandatin e tij të parë mund të japë disa sinjale për atë që pritet të ndodhë.
'Zgjedhjet e vjedhura', mësymja në Kapitol dhe dënimet e Trumpit
Mbështetësit e Trumpit i qendruan në krah atij, kur më 2020 ai refuzoi të pranojë rezultatin e votimeve, duke pretenduar se Joe Biden "ia vodhi atij” zgjedhjet presidenciale. Një numër i madh i konservatorëve e besonin atë. Një sërë rishikimesh të votave provuan, se kjo nuk ishte e vërtetë, por Trump iu përmbajt narrativës së tij, se demokratët kishin manipuluar zgjedhjet pavarësisht se gjykatat që shqyrtuan këto pretendime i hodhën poshtë akuza të tilla.
Më 6 janar 2021, një grup ekstremistësh të djathtë dhe mbështetës të Trumpit mësynë në Kapitol në Uashington DC, në një përpjekje për të ndaluar certifikimin zyrtarisht të fitore së Bidenit. Përpara kësaj po atë ditë Trump kishte mbajtur një fjalim para përkrahësve të tij duke theksuar pretendimet e tij të gabuara dhe duke thënë, se "në qoftë se nuk luftoni si në ferr, ju nuk do të keni më një vend." Kjo deklaratë dhe gënjeshtrat e tij të vazhdueshme për manipulimin e zgjedhjeve, sipas vëzhguesve, inkurajuan masën të ndërmarrë veprime të dhunshme.
Më 13 janar 2021, një javë përpara se të përfundonte mandati i tij, Dhoma e Përfaqësuesve votoi hapjen e procesit impeachment ndaj Trumpit për nxitje të kryengritjes. Dhjetë republikanë votuan pro, numri më i madh ndonjëherë i votuesve brenda radhëve të partisë pro impeachment dhe hera e parë që një president përballet me më shumë se një impeachment. Senati e liroi atë një muaj më vonë, por në vitin 2023, Trump u përball me katër akuza lidhur me refuzimin e tij për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve 2020.
Ekipi i avokatëve të tij e apeloi vendimin dhe çështja përfundoi në Gjykatën Supreme të SHBA-së. Gjykata vendosi që presidentët gëzojnë imunitet ndaj prokurorisë për veprimet e tyre zyrtare. Prokurorët e ripaditën Trumpin me akuza të rishikuara dhe modifikuara juridikisht. Çështja vazhdon të jetë në proces.
Trump gjithashtu është përballur me një numër të madh sfidash ligjore në periudhën kur humbi zgjedhjet më 2020 deri përpara zgjedhjeve presidenciale 2024, duke përfshirë një sërë procesesh që kanë të bëjnë me bizneset e tij, të djemve dhe të familjes së tij.
Trump u akuzua dhe dënua në 34 raste për falsifikim të të dhënave të biznesit dhe pagesave për heshtje ndaj artistes Stormy Daniels. Edhe pas gjyqit, ku kolegji e dënoi atë, ai theksoi pafajësinë e tij. Eshtë e paqartë, nëse Trump si president do të dënohet apo mund të dërgohet ndonjëherë në burg.
Trump u akuzua gjithashtu për mbajtjen e dokumentave të klasifikuara qeveritare në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago në Florida edhe pas periudhës kur nuk ishte më president. Gjithashtu, Trump duhet të paguajë miliona dollarë dëmshpërblim ndaj gazetares E. Jean Carroll, pasi një trup gjykues e gjeti fajtor atë për abuzim seksual në fund të viteve 1990, dhe më pas për diskreditim të saj me deklarimet dashakeqe, se ajo gënjen për incidentin.
Mbështetësit e tij vlerësojnë fokusin e Trump tek 'America first'
Mbi të gjitha votuesit e Trumpit vlerësojnë premtimin e tij për ta drejtuar vendin nën moton "America first." Në këtë linjë Trump ka qenë kritik ndaj NATO-s, nxorri vendin nga organizatat ndërkombëtare si OBSH dhe Marrëveshja e Parisit për Klimën. Nën presidentin Biden, SHBA iu ribashkua këtyre organizmave. Qasja unilaterale e Trumpit gjatë mandatit të parë i zemëroi aleatët eurpoianë, ndërkohë që u përmbushi dëshirën shumë konservatorëve në SHBA.
Formim në biznes dhe i dhënë pas argëtimeve, por jo sfond politik
Presidenti i 47 i SHBA-së ka lindur në 14 qershor 1946 në Nju Jork. Gjyshi i Trumpit nga i ati pati emigruar në fund të shekullit të 19-të nga Gjermania nga qyteti Kallstadt, në landin e Renania-Palatinate. Donald Trump ka ndjekur shkollën prestigjoze të Filadelfias Wharton School of Business me gradën Bachelor of Science in Economics në vitin 1968.
'Fake news' dhe ndjekës i vijës së fortë në politikën ndaj migracionit
Gjatë presidencës së Trumpit, administrata e tij mbante qendrim atakues ndaj shtypit dhe me një sërë pretendimesh false dhe të gabuara. Trumpi shpesh lajmet që nuk i pëlqenin i injoronte si "lajme të rreme," duke u mbushur mendjen mbështetësve të tij, se mediat kritike përhapnin gënjeshtra për të dëmtuar reputacionin e tij.
Gjatë mandatit të parë, Trump ndoqi një politikë të vijës së fortë ndaj migracionit dhe vazhdimisht bënte deklarata raciste. Ai vazhdimisht përbetohej për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit të SHBA-së me Meksikën – dhe për të cilin duhej të paguante Meksika, gjë që ai nuk e realizoi. Në fund të mandatit të parë të Trump në 2021, u ndërtuan vetëm 732 kilometra gjatë kufirit 3.145 kilometra të mes SHBA-së dhe Meksikës, gjë që u kushtoi rreth 16 miliardë dollarë taksapaguesve në SHBA.
Impeachment i parë dhe pandemia e koronavirusit
Më 18 dhjetor 2019 u hap procesi i parë i impeachment kundër Trumpit, duke e berë atë presidentin e tretë në historinë e SHBA-së që përballej me një proces të tillë. Impeachment u fokusua në pretendimin se Trump e bllokonte ndihmën ushtarake për Ukrainën duke i bërë me këtë presion Kievit që të mbështeste rizgjedhjen e tij më 2020 dhe të nxiste hetimin për Joe dhe Hunter Biden.
Ndërkohë presidenti i ka hedhur poshtë akuzat. Dhoma e Përfaqësuesve pranoi dy nene për impeachment kundër Trumpit: abuzim me pushtetin dhe pengim i kongresit. Por ato u bllokuan nga senati me shumicë republikane, që nuk e shkarkoi presidentin.
Pandemia e virusit korona gjithashtu la gjurmët e veta në presidencën e Trumpit. Kuota e vdekjeve nga COVID-19 ishte konsiderueshëm më e lartë në SHBA se në shtete të tjer atë zhvilluara. Trump e nënvleftësoi mprehtësinë e situatës duke priorizuar rikthimin e shpejtë të vendit në normalitetit e para pandemisë dhe në produktivitetin ekonomik e duke mos i përfillur këshillat e ekspertëve dhe studiuesve nga fusha e mjekësisë. Kritikët thonë, se kursi i tij ndikoi në vdekjen e qindra mijëra amerikanëve. Në gusht 2020 në një intervistë Trump pranoi, se në fakt njerëzit po vdisnin, duke thënë se "është kështu si është."
Tri martesa, pesë fëmijë
Më 2005, Trump u martua me Melania Knavs, një ish-modele sllovene. Çifti ka një djalë, Barron Trump. Përpara martesës me Melanian, Trump ka qenë I martuar me aktoren Marla Maples. Ajo e rriti e vetme vajzën Tiffany në Kaliforni.
Nga martesa e parë e Trumpit në vitet 1977 dhe 1990 me Ivana Zelnickova kanë lindur tre fëmijë: Donald Jr., Ivanka dhe Eric.
Në konventën 2024 të republikanëve, Trump, ndryshe nga sulmet e tij të mëparshme ndaj atyre që i përkasin spektrit liberal të politikës, theksoi mesazhin e unitetit.
"Si amerikanë, ne jemi të lidhur bashkë në të njëjtin fat dhe ndajmë të njëjtin fat," tha Trump në fjalimin e tij. "Ne ngrihemi dhe biem bashkë. Unë futem në garë për t'u bërë president për të gjithë në Amerikë."
Përpjekjet e tij ishin të suksesshme. Mbetet të shihet nëse administrate e tij vërtetë do të bëjë përpjekje për unitetin e SHBA-së mjaft të polarizuar.