Dosja e Adolf Eichmann në BND
8 Korrik 2013Në arkivin e shërbimit informativ gjerman (BND) gjenden dosje të panumërta, edhe nga koha menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Asokohe shërbimi informativ me jashtë nuk quhej ende BND por "Organizata Gehlen", e quajtur sipas emrit të shefit të parë të këtij autoriteti, nacionalsocialistit Reinhard Gehlen. Një nga këto dosje është veçanërisht e shquar. Ajo u hap për një burrë i cili ka qenë përgjegjës për deportimin dhe vrasjen e miliona hebrenjve dhe të cilit iu bë procesi në Izrael në 1961: Adolf Eichmann. Dosja ka mijëra faqe por se çfarë shkruhet konkretisht në to, po del në dritë ngadalë vetëm tani.
Dosja nuk është e hapur për publikun. Një reporter i gazetës bulevardeske gjermane "Bild" pati kërkuar në vitin 2010 të kishte qasje në dosje. Atij iu dorëzuan më shumë se 3000 faqe por ato nuk ishin të gjitha dokumentet që përmbante dosja, dhe disa qindra faqe ishin bërë të palexueshme me bojë të zezë. Atëherë reporteri ngriti padi në Gjykatën Administrative në Lajpcig. Padia tani u hodh poshtë.
Por kjo nuk do të vazhdojë kështu, për këtë ekspertët dhe personat e përfshirë në proces janë të një mendje. "Në periudhë afatgjatë të gjitha dokumentet duhet të bëhen publike", thotë historiani Holger Meding. Ai ka që tani qasje të plotë në dosjet e pacensuruara të Eichmann-it. Historiani është anëtar i një komisioni historianësh që merret me studimin e historisë së Shërbimit Informativ në periudhën mes 1945 dhe 1968. Holger Meding është përgjegjës për të gjitha ato dosje, që kanë lidhje me Amerikën Latine dhe veçanërisht me Argjentinën. Pikërisht në Argjentinë u arratis Eichmann dhe si ai, shumë nazistë të tjerë të rangut të lartë.
Një dosje plot faqe të nxira
Për Holger Meding vendimi i gjykatës së Lajpcigut ka "një lloj logjike formale". Në fund të fundit BND ka zgjedhur të ndjekë një rrugë, thotë ai dhe ka parasysh komisionin e historianëve. Ata mund të shqyrtojnë të gjitha dokumentet dhe kështu t'i vendosin ato në kontekst dhe lidhje me njëri-tjetrin. Filozofja Bettina Stangneth ka tjetër mendim. Lidhur me procesin në Lajpcig ajo ka hartuar një ekspertizë dhe e njeh dosjen Eichmann, por vetëm me pjesë të nxira.
Në 2011 ajo botoi librin "Eichmann para Jeruzalemit. Jeta e pazbuluar e një vrasësi të shumëfishtë", në të cilin ajo jep informacione për jetën e Eichmann-it mes 1945 dhe 1961 nga arkiva në të gjithë botën. Konstatimi i saj: Eichmann nuk ishte një burokrat i qetë i një sistemi vrastar. Ai ishte një nazist dhe antisemit i bindur dhe i tillë mbeti deri në ekzekutimin e tij në Izrael në 1962.
Për Bettina Stangneth është një skandal që dosje të këtij njeriu mbahen ende të mbyllura për publikun. "Natyrisht që ka pjesë që duhet të nxihen, si në rastin e të dhënave për persona të tretë". Këtë ajo e pranon, por në dosjen e BND-së pjesët e nxira kanë përmasa të tilla që për ajo nuk mund t'i pranojë. "Unë pyes veten se çfarë e dëmton më shumë imazhin e Gjermanisë: diskutimi i hapur për akvitetet e BND-së të 50 viteve më parë në lidhje me trashëgiminë naziste apo kjo sjellje për mbajtje sekretesh?" Zyra e kancelares, nga e cila varet BND, kishte deklaruar se nuk mund t'i dorëzonte dosjet pasi kjo "do të kishte disavantazhe për të mirën e Federatës".
Eichmann 16 vjet me radhë i pazbuluar
Ne diskutimin për pjesët e nxira në dosjen e Eichmann-it bëhet fjalë edhe për pyetjen se çfarë kanë në të vërtetë për të fshehur autoritetet gjermane. "Natyrisht ngrihet pyetja nëse në ato dosje ka diçka që mund të shkaktonte edhe sot probleme", thotë Bettina Stangneth. Shumë fakte nga historia e shërbimit informativ janë bërë të njohura gjatë viteve të fundit. "Nuk kemi të bëjmë aspak me teori komploti kur themi se ka pasur një vazhdueshmëri në personel nga koha e nacionalsocializmit", thotë Holger Meding.
Disa burra që më pas ngritën organizatën Gehlen kishin qenë më parë të punësuar në Zyrën Qendrore të Sigurisë së Rajhut. Komisioni i historianëve heton aktualisht për numrin e saktë dhe biografitë e personave me të kaluar të tillë. "Deri tani është e sigurt që kanë qenë disa të tillë", thotë Holger Meding, "ndoshta edhe shumë". Kjo zyrë ishte qendra e terrorit të "Rajhut të Tretë". Aty burokratët patën organizuar Holokaustin. Seksionin për "Hebrenjtë dhe çështje të pastrimit" e drejtonte Adolf Eichmann.
Pra duket logjike që ish kolegët e Eichmann-it nuk kanë bërë përpjekje të vërteta për gjetjen e tij, e madje mund të kenë sabotuar qëllimisht. Shqyrtimi i dosjes Eichmann që tani, në formë të censuruar, mund të japë të dhëna të tjera. Kështu Organizata Gehlen si paraardhëse e BND-së e ka ditur që në 1952 se Eichmann ndodhej në Argjentinë.
"Kasapi i Lionit" merrte çeqe page nga BND
Dosjet e pacensuruara, për këtë janë të një mendje Holger Meding dhe Bettina Stangneth, do të japin informacione shumë më të sakta për ato që dinte BND rreth ish nazistëve të rangut të lartë si dhe për pyetjen se sa ish nazistë ishin të përfshirë në rrjetin e agjentëve të BND-së. Vetëm dy vjet më parë u mësua se krimineli i luftës Klaus Barbie, i njohur edhe si "kasapi i Lionit", figuronte në borderonë e BND-së. Edhe ai arriti të shkonte pa u zbuluar në Amerikën Latine pas luftës.
Informacione të reja më e herëta në fund të 2013
"Do të bëhet e qartë se sa aktive ka qenë BND në Argjentinë, çfarë kontaktesh ka pasur dhe cilët persona kanë qenë të përfshirë", thotë Holger Meding në lidhje me dosjen Eichmann. Bettina Stangneth mendon se informacionet do të kenë lidhje me ngjarje të kohëve të fundit.
Që BND është përpjekur të influencojë mbrojtjen e Eichmann-it dhe ka pasur të bëjë edhe me financimin e avokatit të tij, e kanë zbuluar që në 2011 hulumtimet e një gazetari gjerman. Sipas Bettina Stangneth dosjet e BND-së e konfirmojnë këtë aleancë. "Ne nuk dimë vetëm se sa thellë kanë qenë të përfshirë punonjësit e BND-së dhe sa e fortë ka qenë influenca financiare", thotë filozofja. Në procesin kundër Klaus Barbie-t në 1987 në Lion shfaqen përsëri të njëjtët emra kur është fjala për mbrojtjen e tij. A ka pasur dorë edhe atje BND-ja?
Një gjë është e qartë që tani: rasti Eichmann nuk është mbyllur. "Ka lëvizje, por shumë të ngadalta", thotë Bettina Stangneth. Holger Meding mund të japë aktualisht informacione vetëm për pjesët e pacensuruara. Hulumtimet e komisionit të historianëve do të zgjasin sipas parashikimeve edhe dy vjet. Në fillim të dhjetorit 2013 priten raportet e para paraprake.