Drejtorja e arsimit shkarkohet për reagimin ndaj protestave
17 Qershor 2024Një zyrtare e lartë në Ministrinë e Arsimit është shkarkuar pas një reagimi ndaj një polemike mbi lirinë akademike dhe të drejtën për të protestuar.
Sabine Döring u konstatua se kishte shqyrtuar një plan për të sanksionuar, me shkurtime financiare, profesorë të universitetit, që u shprehën kundër shpërndarjes së një kampi propalestinez proteste në një universitet të Berlinit.
Ajo që dimë deri tani
Ministrja gjermane e Arsimit, Bettina Stark-Watzinger i kërkoi kancelarit gjerman Olaf Scholz ta shkarkojë Döring, u mësua të dielën në mbrëmje.
Kërkesa erdhi pasi transmetuesi gjerman ARD publikoi emaile, që tregonin se ishte kërkuar një shqyrtim juridik brenda ministrisë, për të përcaktuar nëse mund të shkurtoheshin fondet për akademikët.
Shqyrtimi juridik u iniciua nga Döring, përgjegjëse për universitetet. Döring është zyrtarja e dytë më e lartë në ministri dhe, ndryshe nga Stark-Watzinger, nuk është një person i zgjedhur.
"Jam kujdes që faktet të hetohen në mënyrë shteruese dhe transparente," tha Stark-Watzinger. Ajo konfirmoi se "departamenteve përkatëse iu kërkua vërtet të shqyrtonin pasojat e mundshme sipas ligjit të financimit".
Aktivistët propalestinezë patën protestuar në të gjithë qytetin prej disa javësh kur ndërhyri policia.
Döring pranoi se ai "me sa duket ishte shprehur në një mënyrë keqkuptuese kur ngarkoi shqyrtimin ligjor," tha Stark-Watzinger.
"Megjithatë, u krijua përshtypja se Ministria e Arsimit po shqyrtonte pasojat sipas ligjit të financimit, në bazë të një letre të hapur të mbrojtur nga liria e shprehjes”, shtoi ministrja.
Pse u sulmuan akademikët?
Rreth 150 studentë aktivistë propalestinezë, që protestonin kundër aksionit ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës, pushtuan një oborr të Universitetit të Lirë të Berlinit në fillim të majit. Universiteti thirri shpejt policinë, e cila pastroi zonën.
Si përgjigje, njëqind akademikë nga universitetet e Berlinit shkruan një letër të hapur duke pohuar të drejtën e studentëve për të protestuar.
"Pavarësisht nëse jemi apo jo dakord me kërkesat specifike të kampit protestues, ne qëndrojmë në krah të studentëve tanë dhe mbrojmë të drejtën e tyre për protestë paqësore”, shkruan ata.
Sipas policisë, 79 persona u ndaluan përkohësisht pas protestës së majit, si dhe nisën 80 hetime penale dhe 79 procedime për kundërvajtje.
Në deklaratën e tyre, profesorët i kërkuan "menaxhimit të universitetit të përmbahet nga kryerja e operacioneve policore kundër studentëve të vet, si dhe nga përndjekja e mëtejdhme penale".
Në atë kohë, Stark-Watzinger e kritikoi letrën e akademikëve për mospërmendjen e sulmeve të 7 tetorit nga grupi ekstremist palestinez Hamas dhe militantë të tjerë në Izraelin jugor. Ajo e përsëriti këtë kritikë të dielën. Hamasi është në listën e organizatave terroriste të SHBA, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera.
rc/ab (dpa, AFP)