Drejtësi në 100 ditë - Hapet procesi në rastin e përdhunimit në Indi
3 Janar 2013Aktpadia, në të cilën paraqiten imtësisht ngjarjet e 16 dhjetorit 2012 thuhet të jetë 1.000 faqe e gjatë. Akuzua mbështetet kryesisht në dëshminë e viktimës dhe të shokut të viktimës, i cili po e shoqëronte atë për në shtëpi pak pas vajtjes në kinema në orën 21:00.
Aktpadia përshkruan sesi çifti i ri u tërhoq në një autobus privat nga keqbërësit e dyshuar dhe sesi papritur autobusi ndoqi një rrugë tjetër nga ajo për të cilën ishte rënë dakord. Kur gruaja u sulmua seksualisht nga burra të pirë, shoku i saj u përpoq që ta mbronte, thuhet më tej. Të akuzuarit e rrahën atë me një shufër hekuri dhe nisën ta përdhunonin gruan njëri pas tjetrit. Ajo u torturua brutalisht me një levë të ndryshkur. Pas një ore çiftit të ri i grabitën ç'kishin dhe i hodhën nga autobusi gjysmëlakuriq dhe të gjakosur. Përveç kësaj thuhet se të akuzuarit kanë tentuar t'i shtypin viktimat. Në tre operacione urgjente gruas u desh t'i hiqej e gjithë zorra. Ajo pësoi edhe dëmtime të trurit dhe vdiq të shtunën e kaluar (29.12.2012) në një spital të specializuar në Singapor nga mosfunksionimi i organeve. Edhe mjekët që e trajtuan raportohet të jenë në mesin e dëshmitarëve.
Drejtësi në 100 ditë
Rasti tronditi të gjithë Indinë dhe shkaktoi protesta të dhunshme. Tani thuhet se procesi duhet të përfundojë për 100 ditë. Qeveria indiane u ndje e shtrënguar ta premtonte këtë me urgjencë përballë zemërimit në popull. Për këtë u ngrit enkas një gjykatë speciale. Në të procesi do të zhvillohet deri në shtatë ditë të javës. Megjithatë, analistët thonë se në një vend si India, ku mullinjtë e drejtësisë bluajnë aq ngadalë sa të mërzisin, ky objektiv është ambicioz. Për këtë arsye presidenti i Gjykatës Supreme në Indi, Altamas Kabir, paralajmëroi: "Duhet të bëjmë kujdes që të mos rrëmbehemi prej emocioneve. Një proces i shpejtë nuk duhet të zhvillohet në kurriz të një procesi të drejtë." Sipas përllogaritjeve në Indi vazhdojnë ende vetëm për përdhunime 40.000 procese.
Cilët janë autorët?
Gjashtë burra u arrestuan pas veprës dhe u identifikuan prej shokut të viktimës. Njëri prej tyre thuhet të jetë një 17-vjeçar, i cili do të gjykohet para një gjyqi për të rinj. Sqarime përfundimtare për moshën e tij reale do të japë një analizë e kockës. Veç kësaj, në trupin e viktimës u gjetën gjurmë sperme si dhe grimca të lëkurës, të cilat u përdorën për analiza ADN-je. Si udhëheqës i grupit konsiderohet, sipas të dhënave të policisë, 35-vjeçari Ram S. nga Raxhasthani. Vejani jetonte në Ravi Dass Camp, një lagje e varfër në jug të Delhit, dhe përshkruhet nga fqinjët si alkoolist që merr flakë shpejt. Edhe vëllai i tij 26-vjeçar thuhet të ketë qenë i përfshirë. Si kryes të tjerë të dyshuar të veprës janë identifikuar një tregtar perimesh 19-vjeçar, një trajner fitnesi 20-vjeçar dhe një shofer autobusi 28-vjeçar, i cili është nga Bihari, një prej shteteve federale më të varfra të Indisë.