E ardhmja e UNMIK-ut
1 Maj 2018Edhe Kina vetë mendon se problemi i Kosovës është kompleks. Kështu thuhet në deklaratën e ambasadorit kinez në OKB, MA Zhaoxu të tre muajve më parë, kur në Këshillin e Sigurimit u diskutua raporti i UNMIK-ut për gjendjen në Kosovë. "Kina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”, thuhet më tej. Kush është kurioz të mësojë çfarë mendon Kina për Kosovën, le të hedhë një sy në faqen e internetit të misionit të përhershëm kinez në OKB, e cila ka një kapitull më vete për Kosovën. Kjo për të kuptuar absurditetin e rastit.
Për ambasadorin kinez vëmendja e vazhdueshme e KS, është thelbësore për zgjidhjen e çështjes. Sigurisht që Këshilli i Sigurimit vazhdon të tregojë vëmendje. Për situatën në Kosovë ka mbërritur sot raporti nga UNMIK, i cili pritet të diskutohet ditët e ardhshme. Nuk është bërë e ditur se kur. Një organizatë e afërt me Këshillin e Sigurimit, Security Council Report, njoftoi sot se shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin do të informojë për zhvillimet aktuale. Mendohet që Serbia të përfaqësohet në nivel të lartë, ndërkohë që për Kosovën në seancë merr pjesë ambasadorja në SHBA, Vlora Çitaku.
Në zhvillimet kyç tre muajt e kaluar kanë qenë tensionet me arrestimin e Marko Duriçit, protesta e Listës Serbe dhe shtyrja e afatit për zbatimin e marrëveshjes për asocacionin e komunave serbe, vizitat e përfaqësueses së lartë të BE, Federica Mogherini në Serbi, marrëveshja demarkacionit me Malin e Zi, kundërshtimin e Vetëvendosjes ndaj saj, hapja e rrugës për liberalizimin e vizave. Më tej që vrasja e Oliver Ivanoviçit, e cila nuk është zbardhur ende, dhe që prokurori i Gjykatës Speciale ka hequr dorë nga posti.
Roli i UNMIK-ut
UNMIK mund të luajë rol duke ndihmuar në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese midis Beogradit dhe Prishtinës. Ka vende anëtare të Këshillit të Sigurimit që mendojnë se raportimi tremujor siç bëhet aktualisht nuk ka kuptim dhe që kërkojnë t' i jepet fund misionit.
Këshilli i Sigurimit mund të shqyrtojë propozimet që bëhen për t'i dhënë fund misionit ose për t'u ndryshuar formatin takimeve konsultuese. Ose mund t' i kërkohet Sekretarit të Përgjithshëm të bëjë një rishikim strategjik të misionit, për të gjetur rrugët e rritjes së efikasitetit të tij.
"Ne jemi vazhdimit në përpjekje për të përmirësuar situatën. Të presim çfarë do të ndodhë. KS do të diskutojë raportin pasi të ketë mbërritur,” i tha Deutsche Welles, Stéphane Dujarric zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm.
Këshilli i Sigurimit
Kosova ndiqet me vëmendje kryesisht prej vendeve që kanë interes në rajon. Organizata mbirajonale si BE, NATO dhe OSBE luajnë aktualisht rol gjithnjë e më të madh në Kosovë. Vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit kanë përçarje të thella sa i përket Kosovës. Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA e kanë njohur pavarësinë dhe mbështesin qeverinë e Kosovës, ndërkohë që Kina dhe Rusia nuk e pranojnë pavarësinë dhe mbështesin pozicionin e Serbisë.
SHBA kërkon tërheqjen e UNMIK-ut, duke përmendur stafin e madh për përgjegjësi të vogël. Për këtë modifikimi i mandatit të UNMIK-ut do sillte përmirësim të situatës. Çdo lloj përpjekje për të ndryshuar status-quonë e UNMIK-ut do të kërkonte rezolutë të re, gjë që bllokohet prej Rusisë. Çfarë qëndrimi do të mbante Kina, nuk dihet.