E njëjta ditë përkujtimore - dy këndvështrime të ndryshme
13 Maj 2016Kur izraelitët të përkujtojnë 68-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së vendit të tyre, ose Yom Ha'atzmaut, shumë qytetarë do të dalin në rrugë për të parë fishekzjarret dhe festuar, pavarësisht një valë tetë mujorëshe dhune prej së cilës u vranë 28 izraelitë dhe më shumë se 200 palestinezë.
Megjithatë e njëjta ditë e festës izraelite njihet ndër palestinezët si Nakba ose "dita e katastrofës", kur Izraeli u krijua si një shtet në një vend ku jetonin më parë, të paktën pjesërisht, palestinezët.
Edhe pse vlerësimet ndryshojnë, në përgjithësi supozohet se rreth 700.000 palestinezë u larguan me dhunë ose u larguan nga territoret e tyre gjatë luftës izraelito-arabe të vitit 1948, që izraelitët në përgjithësi e quajnë si Lufta e Pavarësisë. Ata u vendosën në vende të tjera arabe si Jordania, ose të në territore të ndryshme si në Bregun Perëndimor të lumit Jordan dhe Rripin e Gazës.
Në kuadrin e festimeve territoret palestineze do të bllokohen përsëri për dy ditë, ndërkohë që më 15 maj palestinezët do të zhvillojnë protesta në rrugë kundër pranisë së Izraelit në Bregun Perëndimor të lumit Jordan
Pranim i dy narrativave
Për izraelitët, festimet e pavarësisë vijnë një ditë pas ditës tradicionale përkujtimore për ushtarët e rënë të vendit, në të cilën përkujtohen më shumë se 23.000 ushtarë hebrej që kanë vdekur në krye të detyrës që nga viti 1960.
Dita e pavarësisë vazhdon të jetë e rëndësishme për shumë të rinj në Tel Aviv edhe pse ata si p.sh. Noa Greenberg, mendojnë se kanë ndryshuar shumë gjëra.
Vitin e kaluar shumë kinema në Izrael refuzuan të shfaqnin filma dhe dokumentarë për Nakbën ose "ditën e katastrofës” sikurse e konsiderojnë palestinezët gjë që u kritikua fort prej regjisorëve dhe aktivistëve.
Fitorja për njërën palë ishte katastrofë për tjetrën
Sipas Noa Greenberg filma të tillë duhet të shfaqen, sepse “ka shumë mundësi që asnjëra prej palëve nuk gënjen, por se thjesht fitorja për njërën palë ishte katastrofë për palën tjetër”. Por shumë njerëz në Izrael nuk mendojnë kështu. Sipas tyre institucionet zyrtare apo mediat shtetërore nuk duhet të krijojnë aludime se dita e pavarësisë ishte një katastrofë.
Vitet e fundit shumë studentë arabë që studiojnë në universitetet e Izraelit si dhe aktivistë të majtë izraelitë kanë shprehur hapur dëshirën për të përkujtuar Nakban, por kërkesat e tyre janë refuzuar në shkallë të gjerë.