Mbrojtja Kushtetuese në prag të reformës me një president të ri
30 Korrik 2012Në vitin 2000 grupi terrorist "Ilegaliteti Nacionalsocialis" (Nationalsozialistischer Untergrund, shkurt NSU) vrau në Nuremberg tregtarin e luleve me origjinë turke Enver Simsek. Ky ishte fillimi i një serie të pashembullt vrasjesh. Viktima e dhjetë dhe e fundit, policja Michèle Kieseëetter, ndërroi jetë në 2007 në Heilbron. Por vetëm në nëntor 2011 rastësisht u zbulua, se kush fshihej pas këtyre vrasjeve: treshja e mbushur me urrejtje ndaj të huajve e përbërë nga Beate Zschäpe, Uwe Mundlos dhe Uwe Böhnhardt. Në video me përmbajtje të pështira ata krenoheshin për ekzekutimet e kryera me gjakftohtësi.
Të indinjuar politikanët dhe opinioni shtruan pyetjen, se përse banda e vrasësve e hedhur në ilegalitet në 1998 në sytë e Mbrojtjes Kushtetuese arriti të vrasë dhjetë vetë dhe për 13 vjet me radhë nuk arriti të zbulohet. Dështimi i shërbimeve të sigurisë është tronditës. Presidenti për një kohë të gjatë i shërbimit të Mbrojtjes Kushtetuese, Heinz Fromm, duke marrë përgjegjësinë kërkoi largimin nga detyra përmes pensionimit të parakohshëm. Më 1 gusht ai do të pasohet nga Hans-Georg Maaßen, një ekspert i terrorizmit nga Ministria e Brendëshme.
Neonazistët më të rinj dhe më militantë
Në raportin aktual të shëbrimit të Mbrojtjes Kushtetuese, që paraqiti Fromm në mes të korrikut në Berlin, zhvillimi i ekstremizmit të djathtë vlerësohet nën përshtypjen e krijuar nga vrasjet e treshes NSU. Vëzhguesit profesionistë të këtij shërbimi, të cilët janë tani në shënjestër të kritikave, në raportin prej 80 faqesh i përshkruajnë këto zhvillime që nga fillimet në vitet 1990 e deri më sot. "Në këtë periudhë ekstremizmi i djathtë karakterizohet nga anëtarë më të rinj, më aktivë dhe më militantë", thuhet në të.
Ndërkohë që deri një vit më parë ky shërbim nuk konstatonte struktura terroriste. Të arrish në konkluzionin, se autoritetet "janë të vërbëra nga syri i djathtë", kjo nuk është e pranushme për ministrin e Brendshëm, kristiandemokratin Hans-Peter Friedrich. Ndonëse edhe ai bën fjalë për "dështim" dhe "humbje besimi" si dhe nevojën e domosdoshme për reformimin e këtij shëbrimi. Madje shërbimin e Mbrojtjes Kushtetuese nuk mund ta akuzosh, se i kanë shpëtuar nga vrojtimi format e ndryshme të shfaqejes së ekstremizmit të djathtë, sepse prej shumë vitesh në rapoprte të detajuara përshkruhen këto forma.
Eshtë nënvleftësuar potenciali i dhunës
Ekspertët me sa duket e kanë nëvleftësuar në masë rrezikshmërinë. Ministri i Brendshëm Friedrich tërheq vëmendjen tani për vigjilencë ndaj atentatorëve të tjerë, që mund të veprojnë duke imituar dhe të frymëzuar nga vrasjet e grupit NSU. Friedrich thekson, se duhet bashkëpunuar në nivel ndërkombëtar për t'i bërë ballë më mirë rrezikut.
Parë nga statistikat gatishmëria e ekstremistëve të djathtë për të ushtruar dhunë nuk ka ndryshuar. Numri i plagosjeve fizike, sipas të dhënave të Zyrës Federale të Kriminalistikës, BKA në vitin 2011 me 640 raste ishte dy herë më i lartë se një vit më parë. Rubrika "akte të tentativave për vrasje" ka të regjistruara pesë raste, një më pak se në 2010. Kuota më e lartë nga rreth 16.000 akte penale me 70% u përket krimeve të propagandës. Ndër to p.sh. bën pjesë edhe përdorimi i flamurit nacionasocialst me kryqin e thyer.
Shefi i ri i Mbrojtjes Kushtetuese duhet ta reformojë shërbimin
Vëzhgimi i skenës së ekstremizmit të djathtë është dhe mbetet një nga detyrat kryesore të shërbimit të Mbrotjjes Kushtetuese. Presidenti i ri Hans-Georg Maaßen do të vlerësohet edhe nga konseguencat që ai do të nxjerrë prej dështimit të këtij shërbimi në zbulimin grupit terrorist NSU. 49 vjeçari ka mbështetjen e plotë të ministrit të Brendshëm Friedrich. Ky i fundit është i bindur, se Maaßen do t'ia dalë t'i realizojë reformat e nevojshme në shëbrimin e Mbrojtjes Kushtetuese.